Kulti i Shën Naumit në Shqipëri

Kulti i Shën Naumit u përhap në Shqipëri. Atij i janë kushtuar ikona dhe afreske të shumtë. Një ikonë e Shën Naumit e pikturuar nga ikonografi Nikollë Guga në vitin 1759, është në Muzeun e Artit Mesjetar të Korçës.

Afreske të Shën Naumit ka në faqet jugore të kishave të Shën Thanasit dhe Shën Kollit në Voskopojë. Gjithashtu një afresk i tij është në skajin lindor të arkadave të kishës së Shën Mihalit në Voskopojë.

Një ikonë e Shën Naumit është në kishën e Shën Gjergjit në fshatin Shipskë. Një afresk është në kishën e anargjendëve Kozma e Damjan në Vithkuq të Korçës, ku Shën Naumi paraqitet bashkë me Nikodhin Vithkuqarin.

Shën Naumi bën pjesë në kultin e shtatë shenjtorëve sllavë, të cilët janë pikturuar në shumë kisha të Shqipërisë. Afresku më i vjetër që paraqet kultin e shtatë shenjtorëve “Οι αγιοι Επτάριθμοι” është në manastirin e Shën Naumit. Afresku daton më 1806 dhe është pikturuar nga Terpo Zografi.

Një ikonë e shtatë shenjtorëve është në Muzeun Onufri në Berat. Ikona është pikturuar në vitin 1812 nga Joan Çetiri.

Në manastirin e Ardenicës është një afresk i shtatë shenjtorëve me përmasat 1.5 x 2m. Afresku është pikturuar nga Kostandin dhe Athanas Zografi në vitin 1744.

Afreske të tjerë me shtatë shenjtorët gjenden në kishat e Libofshës dhe të Vanajt në Myzeqe. Një afresk është në manastirin e Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq, i cili daton më 1764.

Andre Llukani