100 VJET NGA VRASJA E GJENERALIT ENRIKO TELINI I CILI NË RAPORTET E TIJ SHKRUANTE PËR EGZISTENCËN E MAQEDONASVE NË SHQIPËRI

Më 27 gusht 1923, në afërsi të Janinës, u vra së bashku me shoqëruesit e tij Enriko Telini, gjenerali italian, kryetar i Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve ndërmjet Shqipërisë, Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe Greqisë.

Atentati ndaj Gjeneral Telinit dhe shoqëruesve që ndodheshin me të, solli edhe reagimin e Italisë. Komisioni Hetimor Ndërkombëtar i ngritur posaçërisht për këtë rast vërtetoi se vrasja ishte organizuar nga vetë qeveria greke. Shteti grek u ngarkua të paguante dhe një dëmshpërblim tejet të madh, bashkë me shpalljen fajtor për vrasjen.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, mosmarrëveshjet midis shteteve ballkanike vazhduan për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë. Përveç kontestit të mëparshëm mes Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe Greqisë, u shfaq edhe Bullgaria. Shteti bullgar u ankua në Komisionin Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve se në 18 fshatra, që ndodheshin në Shqipëri rreth zonës së Liqenit të Prespës dhe Ohrit, jeton popullsi bullgare.

Detyra për përcaktimin e kombësisë së banorëve të këtyre 18 fshatrave iu besua më pas italianit, gjeneralit Enriko Telini. Ai u emërua kryetar i Komisionit Ndërkombëtar për Përcaktimin e Kufijve ndërmjet Shqipërisë, Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe Greqisë. Pas anketimit në këto fshatra, gjeneral Telini informoi përfaqësuesin e lartë të Italisë në Stamboll, se në këto 18 fshatra jeton popullatë maqedonase dhe jo bullgare, sepse “…kur i pyeta për përkatësinë etnike nëse ishin bullgarë, të gjithë u përgjigjën se janë maqedonas dhe flasin maqedonisht”.

Përfaqësuesi i ambasadës bullgare në Stamboll, Todor Markov, më 15 shtator 1923, i raporton Ministrisë së Punëve të Brendshme të Bullgarisë situatën në fshatrat ku pretendohet se ka bullgarë në Shqipëri. Në raport ndër të tjera thuhet:

“Oficerët e komisionit kaluan nëpër të gjitha fshatrat përgjatë kufirit dhe i pyetën fshatarët me detaje se çfarë kombësie kishin. Ata nuk i dëgjuan të përgjigjen se ishin bullgarë, por se ata u përgjigjën se ishin maqedonas”.

Vasil Sterjovski