Drama “Fuçi Baruti” e Dejan Dukovski në shqip

Projekti “READ” – Regional network for cultural diversity” i financuar nga Bashkimi Europian, krijoi një mundësi të veçantë për të afruar zëra dhe autorë nga rajoni, që mund të përkthehen dhe të kumbojnë shqip, falë thirrjes për projekte ndërkulturore të fokusuar në përkthimet letrare.

Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të punës me Institutin e Librit dhe Promocionit në Shqipëri, organizata “Aktivizmi letrar dhe Kulturor” i dha jetë nismës “Fqinjët përballë pasqyrës”, për të sjellë në shqip dramën e autorit të mirënjohur Dejan Dukovski, nga Maqedonia, me shqipërimin e përkthyeses së njohur Milena Selimi të veprës “Fuçi Baruti” nga ky autor.

Dejan Dukovski zë një vend të rëndësishëm në Maqedoni dhe është një nga dramaturgët më të vlerësuar në panoramën e artit dramatik në Evropë. Në cilësinë e dëshmitarit konkret të luftës dhe konflikteve në Ballkan, ai përshkruan pasojat e saj në një shfaqje e cila është e ndarë në shtatë momente, secila e banuar nga një mikrokozmos grotesk personazhesh të dëshpëruar që përfaqësojnë të gjithë potencialin shpërthyes të situatave janë përherë në prag të dhunës.

“Fuçi Baruti” nuk është vetëm një shpalosje e natyrës ballkanase, e kontradiktës dhe absurdin që gjallon jetën e komuniteteve dhe kulturave në kontakt të vazhdueshëm me njëra-tjetrën. Ky tekst, shënjon dhe tejkalimin e kufirit gjuhësor, për të shkuar pranë një realiteti ku të gjithë mund të shihemi si përballë një pasqyre ku reflekton edhe fqinji ynë, edhe e djeshmja jonë, historia që ka ushqyer paqen dhe konfliktet mes nesh.

Kjo ishte arsyeja që organizata “Aktivizmi letrar dhe kulturor”, vendosi të botonte në shqip një nga dramat më të fuqishme të këtij autori të mirënjohur, në mënyrë që botimi i tekstit të qarkullojë, të prezantohet dhe të diskutohet në takime me specialistë në këtë fushë, dashamirët e artit dramatik dhe të rinjtë që gjejnë në teatër forcën për të ndryshuar realitetin. Drama “Fuçi baruti’ është një evokim i territ që ka nevojë të përflitet dhe të sfidohet në errësirën e tij, dialogët, të mbushur me tension, paradoks dhe absurd, i mundësojnë lexuesve hapësira për debat mbi përmbajtjen e veprës, mbi artin dramatik, mbi ngjashmëritë dhe ndryshimet midis kulturës shqiptare dhe maqedonase, duke parë fqinjët tanë si fytyrën e një pasqyrë në të cilën reflektohen vetvetja jonë.

Përmes kësaj vepre, synohet që lexuesit shqiptarë të dinë, të ndiejnë dhe të shohin idenë e Dukovski për të diskutuar Ballkanin përmes një sistemi metaforik:

Një “fuçi baruti” dhe të gjithë që duan të «largohen nga toka e tyre si prej sëmundjes”, që e jetojnë braktisjen dhe emigrimin si shpëtim. Por çfarë ndodh më pas, atje, në vendin e zbrazët nga jeta dhe njerëzit? Në Ballkanin – fuçi baruti, çfarë vendi zënë kufijtë mes shteteve, cilat janë ndasitë mes kulturave?

Kufiri, është sinonim i ndarjes dhe i dhimbjes për një periudhë dhjetëra vjeçare në kontekstin e vendit tonë me fqinjët përqark. Megjithatë një kufi edhe më i ndjeshëm, është ai midis së shkuarës dhe të tashmes. Midis asaj që ishim dhe asaj çka jemi. Ky lloj kufiri ku lexuesi bartet nga nuanca gjuhësore të trajtuara mjeshtërisht prej autorit, duket sikur dëshmon një nxitje për t’u kthyer drejt së shkuarës, që mund të konsiderohet një nevojë për të zbuluar vetveten. Kjo, sepse letërsia me fytyrë nga e shkuara, mund të shndërrohet në një zë të fuqishëm që kërkon të zbehë deformimin e kohës që na rrëshqet duarsh secilit prej nesh.

Dejan Dukovsi e ndien një realitet të tillë, ndaj në dramën “Fuçi baruti” kemi motivimin motivimin e personazheve, të sjelljeve dhe veprimeve të tyre: vrasja, gjymtimi, pabesia, komploti – përpjekjet që dështojnë gjithmonë. Ata njerëz margjinalë janë të paparashikueshëm, të nxitur nga zhgënjimi dhe zakonisht vetëvrasja është ndalesa e tyre e fundit, ose ata vazhdojnë drejt një tokë pa jete, drejt një fati të paracaktuar, dhe japin dorëheqjen nga ekzistenca, duke shkelur korsinë e kujtesës.

Me përkthimin dhe botimin e librit, organizata “Aktivizmi letrar dhe kulturor” do të mundësojë takime letrare në rajonin e Korçës, duke i mëshuar faktit që ky rajon është në kufi dhe lidhje të ngushta me dy botë dhe kultura në kontakt: Maqedoninë dhe Greqinë. Kjo, nga një paradoks që mund të ngjajë deri diku i pajustifikuar: edhe në ditët e sotme, ka mjaft nga ata që nuk e dinë ose i injorojnë ngjashmëritë që kemi me vendet e tjera të Ballkanit. Kjo e bën të vlefshme idenë për të përcjellë këto njohuri, në anën tjetër të pasqyrës, falë përkthimit të një drame, sepse drama në përgjithësi zbulon një krizë, a problem ose ndonjë variacion të domosdoshëm, që stimulon ndjenjat dhe tensionin dramatik. Ndonjëherë, shoqëria, mjedisi, vetëdija kolektive ose pa vetëdija nuk arrijnë t’i regjistrojnë këto kriza. Ndërsa letërsia po, sepse kjo e fundit nuk të lejon të ecësh, por të lejon të mbushesh me frymë dhe me këtë nevojë për frymëmarrje, për refleksion, Dejan Dukovski iu ka mundësuar lexuesve një vështrim tjetër të historisë së zhvendosjeve, rrugëtimit emigrant dhe ndonjëherë edhe fatin tragjik të Ballkanit, kësaj fuçie baruti, me kontradikta dhe paparashikueshmëri, në ekzistencën tonë.


Eris RUSI-drejtor ekzekutiv Shoqata “Aktivizmi letrar dhe kulturor”