Kolefski: Uji i pijshëm në Pustec është brenda standarteve të lejuara

Kryebashkiaku i Pustecit hodhi poshtë vërtetësinë e konstatimeve të shprehura në emision “Piranjat” në Syri TV, të cilët në emisionin e tyre transmetonin se sipas analizave të kryera nga ana e tyre për parametrat e ujit, uji i pijshëm nga ujësjellësi i ri në Pustec ka nivel të lartë të ndotjes bakteriologjike dhe nuk rekomandohet të pihet.

Sipas kryetarit Pali Kolefski, me ndërtimin e ujësjellësit në Pustec nga ana e Bashkisë Pustec janë bërë të gjitha analizat për kontrollimin e parametrave të ujit, në tre laboratorë të ndryshëm dhe në vitin 2023 janë bërë 4 kontrolle dhe në të gjitha rastet, uji ishte brenda standarteve të lejuara.

Më poshtë reagimi i plotë i kryetarit të Bashkisë Pustec, Pali Kolefski:

Të nderuar bashkëqytetarë të Bashkisë Pustec,

Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Piranjat” u transmetua një material lidhur me ujin e pijshëm të bashkisë tonë. E ndjej detyrim moral dhe qytetar si njëri prej jush, t’u sqaroj për situatën e përcjellë në media për ujin që konsumojmë në përditshmëri.

Investimi i kryer i Ujësjellës-Kanalizime Pustec, është deri më sot projekti më i nevojshëm dhe më i rëndësishëm për lehtësimin e kësaj problematike që ka ekzistuar prej vitesh në bashkinë tonë. Pjesa më e madhe e fshatrave të kësaj bashkie ka vuajtur mungesën e ujit të pijshëm, dhe sot me shumë krenari ne ja dolëm të furnizojmë me ujë gjithë popullatën. Kjo edhe falë jush që na keni mbështetur në çdo hap tonin, duke u bërë bashkë në shumë diskutime dhe vendimmarrje.

Sa i përket emisionit të transmetuar ditën e djeshme, nëpërmjet fakteve, i’u bëj me dije se nga ana e Bashkisë Pustec, janë kryer të gjitha analizat për të kontrolluar parametrat, në tre laboratorë të ndryshëm, ku vetëm këtë vit kemi kryer 4 kontrolle të tilla. Në çdo rast, uji ka qenë brenda standarteve të lejuara. (Bashkangjitur statusit gjeni dokumentat që tregojnë përgjigjet e analizave.)

Bashkia Pustec ka përmbushur të gjitha detyrimet për kryerjen e kontrolleve periodike të këtij lloji, pa hasur asnjë problematikë nga konfirmimi i institucioneve përgjegjëse.

Kemi iniciuar kontrollin e parametrave të ujit duke qenë në gatishmëri të plotë për marrjen e të gjitha masave për të verifikuar vërtetësinë e këtij informacioni të transmetuar për ju. Në bazë të kompetencave që kemi si bashki, ky është dhe mbetet i vetmi detyrim i yni. Pjesa tjetër është proces metodologjik dhe shkencor që përmbushet nga institucione që nuk janë në varësi të bashkisë tonë.

I’u garantoj se do të vijojmë të punojmë me përkushtim real për të siguruar një cilësi të lartë jetese në çdo drejtim, thuhet në reagimin e Kolefskit.

©Makedonium