Arsimi në zonën e Prespës

Të shumta janë vuajtjet e sakrificat e popullsisë maqedonase së fshatrave të zonës së Prespës në vite, por shkollimi i fëmijëve asnjëherë nuk është lënë pas dore. Për këtë janë të shumtë shëmbujt, janë qindra djem e vajza që kanë mbaruar shkollat e larta brenda e jashtë vendit. Aktualisht ata kontribuojnë në profesionet e tyre ose në sektorë të tjerë të ekonomisë brenda e jashtë vendit tonë.

Nikolla Berovski me nxënësit në Prespë

Ashtu siç është punëdashës komuniteti maqedonas i zonës së Prespës është dhe arsimdashës. Ai ka ruajtur në shekuj gjuhën, veshjen e bukur karakteristike, këngët e vallet por dhe bujarinë dhe mikpritjen. Të shumtë janë monumentet e kulturës në këtë zonë. Kush ka erdhur e nuk ka mbetur i impresionuar nga natyra piktoreske e kësaj krahine.

Përpjekjet për hapjen e shkollave në këtë zonë fillojnë në kohën e Rilindjes. Viti 1903 shënon përpjekjet konkrete, por shkolla e parë në fshatin Pustec u hap më 10 shtator 1908 me 7 fëmijë parashkollorë dhe 22 fëmijë të klasës së parë. Mësues ishte Aleksandër Kuzmanov nga fshatrat e Strugës. Në këto vite është hapur edhe shkolla në fshatin Glloboçeni. Ndërtesa e vjetër e shkollës së këtij fshati daton e vitit 1913 e shërbeu si e tillë deri në vitin 1978.

Pas viteve 1944- 1945 në të gjitha fshatrat u hapën shkolla fillore në gjuhën amtare maqedonase. Në vitin 1950 në Pustec u hap shkolla 7-vjeçare, kurse në 1983 shkolla e mesme me dy profile: e përgjithshme dhe profesionale.

Në vitin 1960 në fshatin Dollna Gorica (Goricë e Vogël) u hap shkolla 7-vjeçare. Kontribut të çmuar për zhvillimin e arësimit në këtë zonë kanë dhënë mësuesit Boris Malevski, Nikolla Berovski, Llazo Risto, Boris Stojani, Todor Kolevski, Metodi Male, Gjergji Gllafçe, Gjergji Pando e shumë të tjerë.

Mësimi në katër klasat e ciklit të ulët zhvillohet në gjuhë amtare maqedonase, gjuha shqipe mësohet si e dytë. Aktualisht, me ndryshimet demokratike pas vitit 1991 mësimi në shkollat e komunitetit maqedonas si shkolla dy gjuhëshe zhvillohet në gjuhën amtare maqedonase dhe në gjuhën shqipe në bazë të programeve të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Gjuha amtare mësohet edhe në klasat 5-8 të shkollës tetëvjeçare si dhe është futur si lëndë më vete në vitin e parë e të dytë në shkollën e mesme. Tekstet shkollore shtypen në vendin tonë, një pjesë e tyre janë shtypur në formë ndihme në Maqedoni.

Në shkollat e kësaj zone mësojnë çdo vit rreth 600 nxënës. Kuadri edukator dhe mësues i gjithi vendas dhe me arsim përkatës përbëhet prej 64 punonjës. Ndërtesat shkollore pjesërisht janë rinovuar, por ndihet shumë nevoja për bazë materiale mësimore. Gjatë viteve të fundit janë ndjerë mungesa në disa tituj tekstesh mësimore dhe në bazë materiale mësimore për arsimin parashkollor, fillor, 8-vjeçar etj.

Kur shkruan për zonën e Prespës, për arsimin e kulturën në këtë zonë, nuk mund të lësh pa përmendur birin e shquar të saj, shkrimtarin me spektër të gjerë krijues Sterjo Spasse (1914-1989). Jeta dhe vepra e tij është e lidhur me fshatin e lindjes, Glloboçenin, me zonën e Prespës, me gjithë Shqipërinë. Sot në gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase krijojnë mjaft të rinj si Spase Mazenkovski, Valentina Ilia, Risto Sotir etj. Lidhjet me shtetet fqinje e më gjerë do t’i japin impuls të ri zhvillimi në përgjithësi të zonës së Prespës, arsimit e kulturës së saj në veçanti.

Zona e Presës është nga më të pasurat me vlera të rëndësishme kulturore siç janë kishat eremite të kohës së bizantit dhe postbizantit, kisha e Shën Mërisë e ndërtuar në ishullin e Maligradit në shekullin e 14-të, muri pengues në Zvezdë i ndërtuar në shekullin e 8-të para erës së re etj. Nga vlerat e shumta kulturore etj. zona e Prespës i plotëson kushtet për të qenë një zonë e mbrojtur.

Me vendimin e Këshillit të Ministarve Nr. 80 datë 18/ 02/1999 baseni ujëmbledhës i Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël u shpall Park Kombëtar i kategorisë së dytë dhe është më madhi në shkallë vendi.


Foto Nikolla
Prespë 2002