Nëse erdhi “Gjurgjovden” (Shën Gjergji), priteni “Mitrovden” (Shën Dhimitri) – Për shumë vjetë!

Si festë e popullit, e sidomos si festë kryesore blegtoriale, dita e Shën Gjergjit veçohet nga festat e tjera të vitit për nga rëndësia dhe zakonet e shumta. Kjo festë në parim, me besimet dhe zakonet, manifestohet për ti dhënë pjellori bagëtive dhe fushave si dhe lumturi mes njerëzve.

Kjo festë në kalendarin kombëtar maqedonas zë një vend të rëndësishëm sepse është një festë historike. Në këtë ditë fillon sezoni veror, i cili sipas popullit zgjat deri në “Mitrovden” (Shën Dhimitri). Për këtë arsye, një fjalë e urtë maqedonase thotë: “Nëse ka ardhur Shën Gjergji, prisni Shën Dhimitrin.

Secila zonë në Maqedoni e feston ndryshe, edhe zona e Prespës, e cila tradicionalisht banohet me pakicë kombëtare maqedonase e feston me mënyrën e vetë. Në këtë ditë ngjyroseshin vezë të kuqe, nga një për secilin pjesëtar të familjes si dhe për personat që nuk jetonin më. E mbaj mend si fëmi, një ditë përpara Shën Gjergjit, gratë dhe vajzat e fshatit tim (Gorna Gorica) çoheshin herët në mengjes, përpara se të lindte dielli, përgatisnin ushqime me vete dhe shkonin në mal. Mes këngëve dhe valleve mblidhnin bime të ndryshme. Një nga këngët që këndonin ishte:

Dil, dil “Singjilemone”,
Të shkojmë në mal,
Të mbledhim bimë dhe rrënjë,
Të ushqejmë bagëtinë.

Pasi ktheheshin në fshat, bimët e mbledhura i vendosnin tek haurët e bagëtive, për rritjen e pjellorisë së tyre, si dhe nëpër shtëpi për shëndet dhe lumturi në familje. Për fat të keq kjo traditë nuk është se manifestohet më. Por një pjesë e saj ka ngelur, psh në ditën e Shën Gjergjit, të gjithë njerëzit, të rinjtë, të vjetrit dhe fëmijët, mblidhen tek kisha e Shën Gjergjit e cila ndodhet në fshatin Glloboçenit. Aty ndizen qirinj dhe festohet festa mes këngëve dhe valleve.

Marjana Kostovski