NJË UDHËTIM NDRYSHE

Para disa vitesh, në javën e fundit tradicionale te dimrit, u njoftova për të marrë pjesë në një aktivitet promovues për zhvillimin e turizmit në Voskopojë dhe Dardhë. Më kujtohet si sot, u gëzova pa masë, aq sa më dukej sikur kisha zënë qiellin me dorë. Ishte një ngjarje e veçantë për mua, pasi kishte të bënte me një aktivitet ballkanik që do të më ofronte mundësira njohjeje. Aktiviteti do të zgjaste disa ditë dhe unë do të luaja rolin e intrepretuesit. Dikush mund të mos më besoj, por me sinqeritet po them se po e prisja me padurim, ashtu siç e presim diellin pas një kohe të vrenjtur dhe të ftohtë.

***

Dita e shumëpritur erdhi… Aktiviteti që në fillimet e tij ishte i sukseshëm. Ajo u duk nga korrektësia e zbatimit te programit. Për mua ishte punë shumë e lehtë ose ashtu siç themi në gjuhën popullore si bukë me djathë. Aktiviteti u organizua në bujtinën e parë, sa futesh në Voskopojë, djathas. Të them të drejtën, ajo familje ishte mjaft mikpritëse. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte një bujtinë diku në qendër të fshatit. Duke qënë se numri i të pranishmëve ishte më i madh se mundësia që ofronte bujtina ku do të zhvillohei aktiviteti, ishin përzgjedhur edhe të tjerë. Midis të cilëve edhe ajo e Benit. Tek ai zbulova një djalë i shkathët, i kudo ndodhur aq sa këmbët dhe nuk i zinin. Nga pamja e jashtme nuk të jepte shumë përshtypje, pasi e kishte kurrizin pak të dalë, për pasojë të punës së rëndë në duhan në emigracion. Flokët e zinj dhe të krehur djathas mbi një fytyrë të zgjatur dhe trup të hollë të jepte përshtypjen e një njeriu punëtor. Ishte shumë i Zoti në menaxhimin e punëve dhe me të drejtë i thoshin s’ia ha qeni shkopin. Në fund të ditës së tretë më tha:

-Që në fillim të pëlqeva, pasi më ngjan me një shokun tim të ushtrisë. Lekoja ishte një djalë për së mbari. Ja, kanë kaluar mbi 30 vjet dhe nuk kam takuar një të dytë. Ishte mjaftë i sinqertë dhe korrekt. Jo vetëm unë por i gjithë reparti e donte. Prej tij mësova shumë fjalë nga gjuha juaj e bukur maqedonase. Të them të drejtën për kohën që isha me të arrita të merresha vesh. Sigurisht që koha bën të vetën, pasi gjuha që nuk flitet harrohet shpejtë. Me të drejtë thonë se po e le, të la.

Pas aktivitetit u takuam disa herë në qytet dhe ashtu siç i kishim premtuar njëri-tjetrit, do të ishte mysafir tek unë. Problemi ishte se kishin kaluar disa muaj dhe nuk po gjenim momentin e përshtatshëm. Kjo për faktin se ai gjatë beharit ishte shumë i zënë me miq, numri te të cilëve po rritej gjithnjë e më shumë, sidomos fundjavave. Megjithëse po kalonte mesi i vjeshtës, përsëri nuk po e gjente mundësinë. Kurse mua më ndodhte e kundërta, isha më i lire të shtunave dhe të djelave. Si përfundim, një të dielë, bëri si bëri dhe aty nga dreka, pa më njoftuar, mbërriti në zyrën time.

***

Sapo u nisëm me makinën e tij, më kërkoi që të mos i njoftoja prindërit. Isha i lumtur që do ta shoqëroja këtë biznesmen të turizmit familjar në vendin tim. Të them të vërtetën kisha pak emocione. Ai kishte disa vite që e ushtronte atë profesion dhe kishte bërë me vizitorë të ndryshëm, thjeshtë ishte njëriu qe mund t’i vinte pikës i në fushën e tij. Ndërkohë që po ngjiteshim Qafës së Zvezdës, nuk po shkëmbeheshim me ndonjë makinë dhe nga goja e tij dëgjova:

-Nuk po kuptoj se çpo ndodh këtu. Kur po zbrisja nga Voskopoja, makinat ishin rradhë.

Pa u menduar shumë, iu përgjigja,

-Fshati që duket nuk do kalluaz.

Pas disa minutash dhe pikërisht në vendin ku shfaqet liqeni për herë të parë, e ndali makinën dhe zbriti.

sdr

Unë e kuptova dhe mendova…do ti ketë bërë përshtypje …Pas tij zbrita edhe unë. Beni kishte shkuar në anën e djathtë të rrugës dhe po mbikqyrte me kujdes mjedisin perreth. Ai nuk fliste. Iu afrova, por nuk më vuri re. Duke dashur t’i ndodhem sa më afër, fillova të përshkruaj vendbanimet, liqenin dhe ishullin, dhe nuk e di nëse më dëgjonte apo jo. Ndëkohë që unë po flisja ai vetëm lundronte në bukurinë që ofronte natyra.

Ishte më se normale, pasi bukurinë e vendit ja shtonte edhe vjeshta. Gjethet e pemëve kishin rënë përtokë dhe i gjithë vendi kishte marrë ngjyrën e floririt dhe kjo e gërshetuar me qiellin dhe liqenin e kaltërt si dhe me bardhësinë e shtëpive jepte një panoramë që do ta çudiste edhe vet Pikason. Pas disa çastesh u kthye në makinë. Pas tij edhe unë. E nisi makinën, por akoma nuk po fliste…vetëm njeherë ktheu kokën nga unë dhe buzëqeshi, gjë e cila më ngrohu pak, pasi mëndja më kishte shkuar për keq dhe me vete falenderova Zotin. Duke dashur ta largoj heshtjen isha gati ti tregoja me dhjetëra episode.

-Besoi se të bëri përshtypje ishulli,- i thashë, dhe mora përgjigje vetëm me lëvizjen e kokës.

-Ai ishull ka një histori interesante, vazhdova unë, – pothuajse gati të panjohur. Për të, herë pas here, shkruajnë studjues të ndryshëm, por shumica me qëllim dashakeq, të financuar nga qarqe jo dashamirëse. Shkrimet e tyre ngjajnë si buka e misrit në kohën e Enverit qe nuk e shponte as plumbi. Në realitet po të të bjerë rasti të lexosh librin “Parajsa e heshtur” do të mësosh të vërtetën. Bëhet fjalë për Mbretin Maqedonas Car Samoil, i cili në periudhën e vet të lulëzimit e transferoi vendkomandën e tij nga Ohri në Prespë. Ai mbretëroi në vitin 1050, kohë për të cilën ka shumë pak të dhëna. Liqeni kishte nje emër tjetër, por Cari për faktin se e donte shumë të bijën e cila quhej Prespa i dhuroi asaj liqenin dhe gjithçka përreth tij, ashtu siç mund të bënte një mbret, dhe me kalimin e viteve njerëzit filluan ta quanin liqenin e Prespes, nga ku i mbeti edhe emri.

Une po vazhdoja të flisja dhe po merrja reagim vetëm me kokë. Po zbrisnim nga Biglla dhe nuk po gjeja qetësi. Sigurisht që pamja magjepsëse e pyjeve e kishte bërë për vete. Këtë e vura re se si po kundronte përreth, ndërkohë që kishte ulur shpejtësinë e makinës. E ndjeva dhe e lashë në vetminë e tij. Por përsëri një merak ja kisha. Ky njëri që fliste aq shumë deri dje, si u bë kështu përnjeherësh! E ka kyçyr gojën dhe nuk po thotë një fjalë.

Sapo mbërritem në anën tjetër të liqenit, pikërisht ku atakohemi me ishullin Golem Grad, përsëri e mbajti makinën.

Po sodiste natyrën pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja. Sigurisht që nuk më pëlqeu kjo heshtje aq e gjatë. Mëndja më vajti përsëri për të keq… Nuk dija se çtë bëja, si ta ndihmoja. Zemra filloi të më rrihte fort, aq sa e vura dorën në të duke dashur që ta frenoja… papritur i thashë:

-Beni, mirë je?

Ai nuk mu përgjigj. Shqetësimi im u rrit. U skuqa i tëri, siç më ndodh në raste të tilla dhe pa u menduar shumë ja vura dorën në qafë dhe përsëri e pyeta, por kësaj radhe me zë pak më të lartë:

-Të lutem, a je mirë?

Ai më pa në sy dhe mu përgjigj:

-Nuk di si të të them, por një vend aq të bukur nuk kam parë në jetën time. Bile, botërisht deklaroj se kam qënë emigrant në dy shtetet fqinj, dhe një vend të tillë nuk kam vizituar. Nuk po gjej fjalë si ta përshkruajë. Sikur ma qepi gojën dikush. Kjo është parajsa vetë, njësoj si në atë librin tënd, që po më tregoje gjatë rrugës, ku ke hulumtuar aq shumë për të nxjerrë në dritë ngjarje dhe episode të padëgjuara. Në të njejtën kohë si shpjegohet që nuk ka vizitorë!!! Kësaj, çfarë emri ti vemë? Ky vënd është disa herë më i bukur se aty ku jam unë dhe kur tek ne nuk ka vend ku të hedhësh mollën, ketu… O zot si është e mundur? Kjo është çudi. Sigurisht që ka diçka. Ku ka zë s’është pa gjë. Jam më se i sigurt se ka lidhje me propagandën e keqe dhe të qëllimshme ndaj juve maqedonasve këto vitet e fundit… Nuk e di, nuk e di, por nuk ka turp më të madh. Asgjë nuk lind kot. Ai po fliste dhe unë u mallëngjeva shumë, ndoshta edhe nga natyra ime e sinqertë…aq sa ndjeva lot faqeve…

Vazhduam rrugën dhe pas disa minutash e mbajti makinën për herë të tretë. Ishim pikërisht në vendin e njohur “Zaver”, nga ku buron uji dhe del në anën tjetër në Ohër dhe që andej në Drin dhe më tëj në det. I kishte ardhur goja plotësisht dhe nuk po pushonte së foluri…

-Kjo pjesë më duket fenomenale, pasi për mua nuk ka vend më të bukur se ky, por pavarësisht se nuk kam mbërritur aty dhe tregoi me dorë vendlindjen time, fakti se nuk ka asnjë lloj lëvizje, tregon se si mund të jetë! Po, pse të ndodh kështu xhanëm? Atdheu ynë është kudo. Të gjithë duan të jetojnë më mirë. Dielli na ngroh të gjithëve njësoj. E kjo nuk bëhet pa investime. Nese po, atëherë kjo dhuratë e Zotit do të zbukurohet edhe njëherë.

***

Për ne maqedonasit ne Shqiperi është normale që të jemi gjithmonë të shoqëruar me miq, gjë e cila na lumturon. Ishte koha e drekës dhe prindërit u gëzuan shumë me ardhjen tonë. Sikur e dinin që do të vinim dhe në tavolinë gjetëm një tigan me cironka të gatuar tradicionalisht edhe nje kanë me verë. Ndërkohë, u ngrita nga tavolina dhe i thashë Benit:

-Të lutem, nëse ka mundësi vetëm një minutë të më shoqërosh, duke i treguar me dorë se kjo verë është prej këtij vreshtit para shtëpisë. Ne e quajmë “Italian” dhe vërtetë ata e kanë sjellë. Data e saktë nuk dihet, por kjo ka ndodhur pas viteve 1936, pas lidhjes së marrëveshjes së qeverisë së Zogut me qeverinë italiane të asaj kohe. Është një karakteristikë vetëm këtu tek ne. Çdo familje ka diku ne 300-400m2 nga ky vresht. Çudia më e madhe është se i ka rezistuar kohës. Ja, po afrohen rreth 100 vjet dhe ne e kultivojmë me shumë kënaqësi. Atë që dua të them është se nuk ka nevojë për asnjë lloj lloj pesticidesh dhe jo vetëm kaq nuk ka rëndësi nëse moti është i thatë apo me lagështirë. E gjitha kjo falë italianit që e rikonstruktoi rrugën në fillim të luftës së dytë botërore. Unë, personalisht kam gjetur të dhëna dhe kam kompozuar nje tregim të tilluar “Lotë vere” me të cilin kam marrë pjesë në një konkurs letrar në Malegnano të Italisë.

Të nesërmen kisha shumë opsione ku ta çoja Benin për vizitë, por nga të gjitha ato zgjodha të vizitonim një nga kishat eremite, pikërisht më të afërtën atë te Shen Vangjelizmoit. Liqeni me kaltërsinë e tij dhe me valëzimin që krijonte të jepte përshtypjen e vazhdimësisë së jetës, të një jete që nuk shteron kurrë. Dielli reflektonte në liqen me madhështinë e vet duke demonstruar prezencën e tij, se pa të kjo jetë nuk kishte kuptim. Duke përjetuar këtë magji natyrore, që rrallë mund ta hasësh gjetkë, po i afroheshim në heshtje krijesave të zotit. Aty zoti kishte krijuar mrekullitë e veta për të qenë prezent bashkë me liqenin dhe diellin si një trup i vetëm. Gjatë rrugës po i tregoja Benit:

-Çuditërisht kishat eremitë në të gjitha anët e liqenit komunikojnë me njëri tjetrin dhe, vet murgjit që jetonin aty sigurisht kishin të përbashkët përkushtimin ndaj zotit, duke mposhtur çdo lloj ligësie dhe, duke i dhënë besim banorëve për të jetuar të qetë në trojet e tyre pasi zoti po i mbronte me engjëjt e tij të zgjedhur, që të bënin një jetë të lumtur, pasi ishte ai mbi gjithçka. Kishat eremitë u ndërtuan pasi u ndërtua kisha e Shën Mërisë në ishullin e Maligradit.

Zbritëm nga varka dhe u afruam pranë kishës. Për shkak të thatësirës së viteve te fundit, niveli i liqenit ka rënë shumë, por i dikurshmi dallohet. Sapo u afruam i tregova një episod që e shoqëron këtë kishë…

– Murgu që i shërbente me devotshmëri zotit këtu në këtë kishë, kishte zbritur në liqen për të kryer punët e tij të përditshme. I mbyllur në botën e tij nuk para vinte re se kush kalonte. Ai ishte njeriu i zotit dhe për të jeta kishte vlerë vetëm nëse do t’i dedikohet atij. Kishte disa vite që shërbente aty dhe si qendër kishte kishën e Shën Mërisë në ishullin e Maligradit. Papritur dëgjoi të afroheshin zhurma jo të zakonshme. Ngriti kokën dhe pa tre veta me veshje jo normale, të paqethur dhe të pa rrojtur, me uniforma të shkalafitura dhe me dyfek të hedhur krahëve. Nuk u tremb dhe nuk kishte pse të trembej pasi sipas tij edhe ata ishin krijesa të perëndisë dhe sigurisht nuk kishin punë me të, prandaj ndërkohë që ata po afroheshin ai vazhdonte të lante enët.

Ai mendoi se ata ishin njerëz të perëndisë dhe nuk kishin punë me të. Unë në punën time dhe ata në punën e tyre. Sapo u afruan u ndalën pranë tij. Dy prej tyre u ulën pak më tutje, kurse i treti iu afrua dhe filloi ta ngacmonte duke e shtyrë me trup dhe ndërkohë duke pritur që të reagonte. Kur pa se loja po zgjatej, mendoj se janë të paudhë dhe jo vetëm që nuk i mallkoi, por përkundrazi iu lut zotit që t’i falte për paudhësitë. Murgu e ndjeu se ishin keqdashës dhe filloi të mblidhte enët sapo të larë dhe të largohej në shtëpinë e vet. Ndërkohë hajduti i mori një pjatë dhe ia hodhi më tutje. Murgu vrapoi për ta marrë, por u pengua duke i rrëzuar edhe enët e tjera, gjë që i shkaktoi të qeshura hajdutit që po e ngacmonte dhe dy të tjerëve. Hajduti ishte shumë i fuqishëm dhe, në momentin që murgu zgjati dorën për të marrë pjatën, ai i ra me këmbë dhe ia largoi akoma më tutje. Murgu u përpoq edhe një herë për ta rimarrë. Të tre hajdutët po shkuleshin së qeshuri për përpjekjet e tij për të marrë enët. Hajdutët po gajaseshin duke e shoqëruar të qeshurën edhe me fjalë në gjuhën e tyre, të cilën murgu nuk po e kuptonte. Për një çast mendoi se mbase kishin ndonjë plan për ta vrarë.

Për një moment iu fut frika. Këta mendoi ai, jo vetëm se janë të paudhë, por janë ata hajdutët e dëgjuar! Duhet të largohem sa më shpejtë të jetë e mundur, se pastaj do jetë vonë. Iu lut zotit t’i jepte zgjidhje. Murgu i la enët dhe ia futi vrapit për në shtëpinë e tij. Shtëpia e tij ishte kisha e Shën Vangjelizmoit, e ndërtuar brenda shkëmbit. I shpejtë si flutur arriti shkallët e kërpit. Ndërkohë që po hipte shkallëve hajduti po afrohej. Por për fatin e tij hajduti u pengua dhe, ndërsa po çohej murgu i lehtë si pendë arriti në majë. Hajduti në momentin që u rrëzua filloi të shajë dhe të bërtasë dhe, në inat e sipër arriti tek shkallët, la pajimet poshtë që i vareshin krahëqafë dhe filloi të ngjitet.

Sa bëri disa shkallë, duke qenë se ishte shumë i rëndë, megjithëse aty ishte parashikuar që të hipnin edhe disa njerëz bashkë, shkalla u këput dhe hajduti ra poshtë. Pas disa çastesh ndjeu dhimbje dhe filloi të ulërij. Sigurisht do të kishte ndonjë dëmtim në ndonjë pjesë të trupit, pasi lartësia nuk ishte më pak se dy metra. Hajduti po ulërinte nga dhimbjet që kishte kurse dy shokët e tij nuk lëvizën nga vendi. Ata qeshnin dhe nuk e morën guximin që t’i jepnin ndihmë. Shoku i tyre vazhdonte të lebetitej, kurse ata as që deshën t’ia dinin, përkundrazi pasi kishin qeshur dhe lumturuar shpirtin e tyre nga kjo skenë midis ortakut dhe murgut, u larguan pa e kthyer kokën pas. Ata po largoheshin, kurse ortaku i tyre po lebetitej dhe, ndërkohë po i lutej që ta ndihmonin, por ata nuk deshën t’ia dinin. Kjo nuk është për t’u çuditur se kjo ishte filozofia e hajdutëve, shoqëria e tyre ishte pa ideale dhe e pamoralshme. Në se dikush do të shkiste atëherë ata nuk ia jepnin dorën për ta ndihmuar, përkundrazi e shtynin edhe pak më shumë që të gremisej, sepse në këtë mënyrë ata do të kishin një hajdut më pak dhe, kur do t’i ndanin hiset e vjedhjeve, do t’u binte më shumë. Të gjithë skenën që po zhvillohej, murgu po e shikonte me vëmendje. I mbante të dyja duart lart nga zoti dhe po i lutej që t’i falte për mëkatet që po kryenin.

Ndërkohë shokët e tij ishin larguar dhe e kishin lënë hajdutin që krijoi skenën e përbuzjes dhe të talljes me murgun. Pavarësisht nga ajo që kishte ndodhur, iu lut zotit që ta shpëtonte. Murgu i fali. Ai nuk duroi dot më, por zbriti poshtë dhe filloi ta ndihmonte. Fillimisht e çoi në një vend të sheshtë dhe të butë dhe, pastaj pasi ia hoqi këpucët dhe çorapet e grisura që mbanin erë kërmë, i plagosuri i tregoi me gisht vendin ku i dhembte. Murgu e kuptoi se kishte nxjerrë kyçin e këmbës. Ai ishte mjeshtër për të dhënë ndihmë të shpejtë pasi ishte edhe njëri i shkolluar dhe, menjëherë ia drejtoi këmbën. Hajduti në moment bërtiti aq sa mundi, por pastaj të gjitha dhimbjet i pushuan dhe filloi të qeshë. Pavarësisht se i vajti kyçi në vend, ai nuk po ngrihej dot, sepse akoma i dhembte dhe do të duhej të paktën ndonjë ditë që ta mbante të palëvizur. Vetëm pastaj do të kishte mundësi të ecte. Murgu ia pastroi këmben dhe e mbështeti duke sajuar njëkohësisht edhe një mundësi rehatimi me batanijet që ia zbriti nga kisha. Ndërkohë i bëri një çaj. Hajduti u lehtësua dhe ndryshoi çehre.

Nga një pamje egërsire ai po ndryshonte pak nga pak, duke u kthyer në normalitet. Sigurisht edhe ai ishte njëri dhe kishte ndjenja. Ai e talli, e përbuzi, bile donte edhe ta vriste, kurse viktima sillej krejt ndryshe, ndërsa ata që ai quante si vëllezër e lanë aty si derr të ngordhur. Kjo situatë ndikoi tek ndjenjat shpirtërore të hajdutit, i cili pas disa orësh filloi të reflektonte duke i vënë duart të mbledhura shuplakë para vetes duke e falënderuar. Murgu ia uli duart dhe e fërkoi nga supi duke i treguar se e kishte falur.

Pak më vonë hajdutin e zuri gjumi. Murgu kishte përfunduar punët dhe ishte në shërbim të tij. Mendonte çfarë të bënte me të? Nuk donte ta bashkonte përsëri me shokët e tij. Ata nuk ishin shokë! Për një moment vendosi që ta përcillte tek vendi nga vinte me anë të peshkatarëve me të cilët përshëndetej sa herë që kalonin aty. Erdhi mbasditja dhe varka me dy peshkatarë po afrohej. Hajduti ishte çuar më këmbë, por ecte pak duke u mbështetur në një shkop të vënë nën sqetull të sajuar nga murgu. Mund të bënte disa hapa por jo më shumë, pasi këmba ishte enjtur dhe duheshin disa ditë që të shërohej.

EPILOG

Nuk e di nëse ju kënaqa apo jo, por mbi të gjitha kam dashur të tregoj diçka të vërtetë, atë që e jetojmë për ditë. Dhëntë Zoti që pas kësaj pandemie të kemi ditë më të mira. Ky është atdheu ynë i përbashkët me të mirat dhe të ligat e veta. Jeta zhvillohet kudo. Jo vetëm që Voskopja dhe Dardha te lulëzojnë akoma më shumë, por edhe të tjerët… Njëkohësisht i lutemi Zotit që edhe fqinjët tanë të ndërpersin mëndjelehtësitë, pasi nuk mund ndryshohet identiteti me zor, ne nuk i prishim punë atyre, përkundrazi. Gjatë këtyre viteve çfarë nuk kemi dëgjuar… ne nuk kemi zbritur nga qielli, kemi jetuar këtu së bashku me ta…dhe ndërkohë që po i diskutojmë çdo ditë këto me shokë e miq, pyesim njëri –tjetrin a mund të quhet kjo Demokraci!!!??? Sa bukur do të ishte sikur të ishim si në Perëndim, ku të gjithë janë njësoj. Por që të ndodh kjo duhet të mposhtin emocionet nacionaliste…

Vasil SHUMKA
Korçë