Në Pustec homazhe për dëshmorët Kolefski dhe Gjorgjiofski

Me rastin e 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, u bënë homazhe për dëshmorët e rënë nga Pusteci në Luftën e Dytë Botërore, Mitre Kolefski dhe Trajan Gjorgjiofski.

Në monumentin, i cili ndodhet para ndërtesës së Bashkisë, buqeta me lule të freskëta vendosën kryetari i Bashkisë Pali Kolefski, kryetari i partisë maqedonase, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, Vasil Sterjovski, drejtori i shkollës së bashkuar “Mitre Kolefski dhe Trajan Gjorgjiofski” Pustec, Trajan Vangjelovski dhe familjarë të dëshmorëve, pas së cilës nxënësit mbajtën një program të shkurtër.

Në fjalën e tij, Sterjovski tha: “Sot shënohet 77 vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare u fitua me gjakun e mijra dëshmorëve. I arriti objektivat për çlirimin e vendit dhe rivendosjen e pavarësisë duke rreshtuar vendin tonë në Koalicionin Antifashist.
Maqedonasit e Shqipërisë iu bashkuan partizanëve shqiptarë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ishin pjesë e koalicionit antifashist në Luftën e Dytë Botërore dhe ndihmuan në çlirimin e Shqipërisë nga nazifashizmi.
Jemi krenar si Maqedonas sepse Maqedonasit në Luftën e Dytë Botërore, shfrytëzuan momentin historik dhe iu bashkuan Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe së bashku me partizanët shqiptar e mundën nazifashizmin në Shqipëri.

Në bazë të sakrificës së partizanëve maqedonas në luftën antifashiste në Shqipëri në Luftën e Dytë Botërore, që në vitin 1945, maqedonasit u njohën si pakicë kombëtare në Prespë dhe fshatin Vërnik në zonën e Devollit në Qarkun e Korçës dhe në zonën e Gollobërdes në Qarkun e Dibrës.

Populli maqedonas dhe shqiptar në Luftën e Dytë Botërore luftuan së bashku për çlirimin nga pushtuesit nazifashistë, duke u rrjeshtuar në krahun e forcave më përparimtare të kohës dhe në anën e duhur të historisë. Një pjesë e maqedonasve të Shqipërisë u bashkuan me partizanët maqedonas dhe luftuan për çlirimin e Maqedonisë nga pushtuesit fashist bullgar dhe italian dhe më vonë nga pushtuesi nazist gjerman, ndërsa një pjesë tjetër iu bashkuan partizanëve shqiptar dhe luftuan për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashist italian dhe gjerman.

Dëshmorët e rënë nga Prespa në Luftën e Dytë Botërore, Mitre Kolefski dhe Trajan Gjorgjiovski si dhe shumë të tjerë, janë simbol i luftës së popullit shqiptar dhe maqedonas për çlirimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë nga pushtuesit nazifashist.

Mitre Kolefski u bashkua me partizanët shqiptar dhe vdiq në vitin 1944 në luftë me pushtuesit gjerman në fshatin Rajcë (Prenjas), ndërsa Trajan Gjorgjiovski në vitin 1942 iu bashkua partizanëve maqedonas dhe vdiq në vitin 1944 në Maqedoni në luftë me pushtuesin fashist bullgar.

Na mbetet neve, brezi i ri i maqedonasve në Republikën e Shqipërisë, të luftojmë për avancimin e të drejtave dhe lirive tona si dhe për zhvillimin ekonomik në zonat ku jetojmë dhe presim që vendi ynë Shqipëria ta mbështesë këtë.

Lavdi të përjetshme dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e vendit! Lavdi të përjetshme dëshmorëve nga Prespa, Gora dhe Gollobërda që dhanë jetën në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”!- tha Sterjovski.