E ardhmja evropiane na bashkon – Presidenti Ivanov takon krerët e shtetit shqiptar

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani më 2 prill 2015 i uroi në një ceremoni zyrtare mirëseardhjen në Shqipëri Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Sh.T.Z. Gjorge Ivanov, i cili me ftesë të Presidentit Nishani,  zhvilloi një vizitë shtetërore dy ditore në Shqipëri.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve kombëtare, Presidenti Nishani dhe Presidenti Ivanov, të shoqëruar nga Ministrat e Mbrojtjes së të dy vendeve, respektivisht zonja Mimi Kodheli dhe zoti Zoran Jolevski, kryesuan bisedimet zyrtare duke u ndalur në mënyrë të veçantë në marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin rajonal, interesin e integrimit në BE dhe NATO, si dhe trajtimin e komunitetit shqiptar në Maqedoni dhe të komunitetit maqedonas në Shqipëri.

Presidenti i Republikës vlerësoi që në fillim të takimit se për Shqipërinë Maqedonia është një vend fqinj shumë i rëndësishëm dhe mik, me të cilin kemi marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe shumë dinamike. Duke vlerësuar se Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Maqedonisë në vitin 1993, Presidenti Nishani theksoi se në këto 22-vjet bashkëpunimi ka evoluar në mënyrë pozitive dhe është e rëndësishme ruajtja e këtij trendi.

Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, duke theksuar se ky bashkëpunim ende nuk i përgjigjet nivelit të bashkëpunimit politik. Përqendrimi i bashkëpunimit në sektorët e energjetikës, turizmit, bashkëpunimit ndërkufitar, shfrytëzimit të koordinuar të ujërave të përbashkëta lumore e liqenore e të tjera, u bënë temë e diskutimit mes dy Presidentëve. Në këtë aspekt Presidenti Nishani theksoi se: “është e domosdoshme koordinimi i veprimeve mes institucioneve të të dy vendeve për projekte të ndryshme, me impakt të drejtpërdrejtë ekologjik dhe ekonomik tek vendi tjetër, në respekt të marrëveshjeve dhe protokolleve në fuqi, pasi respektimi i tyre ndikon edhe në ruajtjen dhe forcimin e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve”.

Kreu i Shtetit përshëndeti interesin e përbashkët strategjik të integrimit të të dy vendeve në Bashkimin Evropian, duke theksuar se aspiratat e përbashkëta për të qenë vende anëtare të BE-së na nxisin dhe motivojnë që marrëdhëniet mes dy vendeve të ngrihen në një nivel më të lartë bashkëpunimi. Ndërsa duke u ndalur tek interesi i Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO, Presidenti Nishani theksoi se: “Shqipëria e mirëpret anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, pasi vlerëson se kjo është në interesin më të mirë të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Presidenti i Republikës i kushtoi një vëmendje të veçantë situatës së komunitetit shqiptar në Maqedoni dhe komunitetit maqedonas në Shqipëri, duke theksuar se, pavarësisht statusit të ndryshëm që ato kanë në vendet respektive, ato duhet të shërbejnë si ura mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. “Situata dhe të drejtat e popullsisë shqiptare në Maqedoni, janë të lidhur ngushtë me zbatimin sa më shpejt dhe të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje e ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar. Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni kanë një rëndësi të veçantë edhe për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.” – u shpreh Presidenti Nishani. Ndërsa duke u ndalur tek komuniteti maqedonas në Shqipëri, Presidenti i Republikës vlerësoi se kjo pakicë jeton në harmoni të plotë dhe miqësi me shqiptarët si dhe e garantoi homologun e tij maqedonas, se institucionet shqiptare, në respekt të Kushtetutës së vendit, konventave për të drejtat e njeriut dhe Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve, që përcaktojnë dhe standardet më të mira, janë të interesuara për t’i garantuar kësaj pakice të drejtën e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.

Ndërkaq, Presidenti Ivanov ka theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të intensifikohet, në veçanti në aspektin ekonomik. Ai është shprehur optimist se investimet dypalëshe në infrastrukturë do të ndihmojnë në këtë drejtim.

“Ne si dy shtete kemi një bashkëpunim të frytshëm, me takime të shpeshta dhe marrëdhënie shumë të mira. Besoj se do të arrijmë të rindërtojmë bashkëpunimin të mirë përmes mbajtjes së kësaj dinamike. Presidenti Nishani ka një ftesë për të vizituar Maqedoninë dhe ne i përkushtohemi intensifikimit të marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë. Por ka diçka për të cilën s’mund të jemi të kënaqur. Nga takimi shtetëror i kaluar, viti 2012, e deri më sot kemi një bashkëpunim ekonomik, por ai nuk mund të jetë në këtë nivel që është. Ndaj, marrëdhëniet e mira duhet të kthehen në një bashkëpunim ekonomik më të lartë. Besoj se investimet e mëdha në infrastrukturë do të ndikojnë edhe më shumë në bashkëpunimin tonë”, ka thënë Ivanov.

Kryeministri Rama pret Presidentin e Maqedonisë Ivanov

Kryeministri Edi Rama mirëpriti në një takim Presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov si dhe delegacionin që e shoqëronte.

Forcimi i bashkëpunimit në kuadrin e projekteve të përbashkëta rajonale, të mbështetura nga BE, ishte fokusi i bisedimeve mes palëve.

Kryeministri Rama dhe Presidenti Ivanov theksuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët për t’i konsoliduar ato në bazë të respektit e fqinjësisë së mirë, si dhe të së ardhmes së përbashkët europiane.

Të dy personalitetet ndanë të njëjtin angazhim që bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë të jetë më frytdhënës në të ardhmen, veçanërisht në fusha si infrastruktura, transporti, energjia, të cilat do t’i shërbejnë zhvillimit ekonomik të dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti Presidentin e Maqedonisë z. Gjorge Ivanov

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti Presidentin e Republikës së Maqedonisë z. Gjorge Ivanov me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe vunë në dukje nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit Meta vlerësoi mesazhin e kësaj vizite të rëndësishme të Presidentit Ivanov në Shqipëri e cila lidhet ngushtë me rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Në këtë drejtim z. Meta theksoi se duke punuar më ngushtë së bashku, Shqipëria dhe Maqedonia janë më konkurruese në tregjet e mëdha.

Presidenti i Maqedonisë z. Gjorge Ivanov pasi shprehu kënaqësinë e kësaj vizite në Shqipëri vuri në dukje se fokusi i marrëdhënieve dypalëshe duhet të jetë ekonomia. Në këtë kuadër duhet shkurtuar distanca mes  Shkupit dhe Tiranës dhe duhet shtuar fokusi në zhvillimin e mëtejshëm infrastrukturor me qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe të aksesit të produkteve të agro-ushqimore në tregjet reciproke.

Presidenti Ivanov shprehu mirënjohjen për vizitën e fundit të Kryetarit të Kuvendit Meta në Komunën e Pustecit duke vlerësuar vëmendjen që po i kushtohet komunitetit maqedonas dhe nevojave të tij në Shqipëri. Në këtë kuadër z. Meta dhe z. Ivanov ndanë bindjen se mes dy popujve ekzistojnë lidhje të forta miqësie dhe kulturore që kontribuojnë në cilësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Në përfundim të takimit Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë në proceset e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë dhe nënvizoi se të dy parlamentet do e forcojnë më tej bashkëpunimin e tyre, në interes jo vetëm të forcimit të ndërlidhjes mes dy vendeve por edhe në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal.

Presidenti Ivanov u takua me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Z. Lulzim Basha.

Presidenti dhe Kryetari i Bashkisë z. Basha shkëmbyen mendime mbi Marrëdhëniet midis dy vendeve, në planin politik dhe ekonomik, si dhe për perspektivën evropiane të rajonit. U konstatua se integrimi do të sjellë stabilitet  dhe prosperitet për vëndet e rajonit.

Presidenti dhe Kryetari i Bashkisë z. Basha diskutan edhe për situatën aktuale politike dhe ekonomike në Maqedoni dhe Shqipëri.

Kryepiskopi Anastas priti presidentin maqedonas z. Gјorge Ivanov

Në kuadrin e vizitës zyrtare në Shqipëri, më 2 prill 2015, Presidenti I Republikës së Maqedonisë z. Gjorgje Ivanov u prit në selinë e Sinodit të Shenjtë, në Tiranë, nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi.

Takimi i ngrohtë dhe miqësor vazhdoi për më shumë se një orë dhe më pas Presidenti Ivanov, i shoqëruar nga Kryepiskopi Anastas, vizitoi Katedralen e re “Ngjallja e Krishtit”. (Makedonium)