Maqedonasit në zonën e Prespës dhe Gollobordës natën e Vitit të Ri do ta kalojnë në errësirë

Dëbora dhe temperaturat polare që përfshinë Shqipërinë izoluan zonat e banuara me popullsi maqedonase dhe disa prej tyre mbetën pa energji elektrike.

Zona e Gollobordës, në qarkun e Peshkopisë për shkak të borës e madhe është krejtësisht e izoluar, rrugët rurale janë të pakalueshme dhe përveç temperaturave të ulëta të cilat arrijnë në -17 gradë, problem është edhe ndërprerja e energjise elektrike si pasojë e rënies të shtyllave dhe këputjes së telave nga dendësia e dëborës.

Besnik Hasani, kryetar i shoqatës maqedonase “MOST” nga Trebishti për gazetën Makedonium tha se të gjitha rrugët në komunat e Trebishtit, Ostrenit dhe Steblevës në zonën e Gollobërdës janë të bllokuara dhe është e kalueshme vetëm rruga nga f.Trebisht deri tek pika kufitareTrebishtë-Xhepishtë.

“Dëbora dhe temperaturat e ulta na sollën shumë probleme, katër ditë jemi pa energji elektrike dhe nuk dimë se kur autoritetet kompetente do ti riparojnë defektet. Mirë që është e kalueshme rruga deri në pikën kufitare Trebishtë-Xhepishtë, kështu të paktën banorët e f.Trebishtë mund të shkojnë në Debar (Dibër) të bëjnë pazar dhe ti mbushin baterit e telefonave celular .”- tha Besnik Hasani për gazetën Makedonium.

Për shkak të reshjeve të dëborës në Komunën e Pustecit në zonën e Prespës, janë shembur disa shtylla dhe janë këputur telat në f.Tuminec dhe f.Zrnosko dhe që prej tre ditësh nuk ka energji elektrike. Institucionet kompetente nuk kanë bërë asgjë për ti riparuar  defektet, sepse janë angazhuar me riparimin e defekteve në komunat e tjera në Qarkun e Korçës ku ka ndërprerje të energjisë dhe nuk dihet se kur do të furnizohet me energji elektrike komuna e Pustecit.

Rruga kombëtare Zemblak-Dogana Goricë është pastruar nga dëbora dhe është kryer kriposja. Lëvizja vijon normalisht, përveç pjesës së Bigllës, ku për shkak të terrenit dhe pozicionimit të trasesë rrugore, gjendja paraqitet me akull dhe është e domosdoshme vendosja e zinxhirëve për kalimin në këtë segment.

Në zonën e Gorës në Qarkun e Kukësit ndërprerja e reshjeve të dëborës është shoqëruar me era të forta dhe ngrica dhe sot janë hapur rrugët që lidhin qendrat e komunave Shishtavec dhe Zapot, ndërsa rrugët rurale të komunave Shishtavec dhe Zapot janë të bllokuara.

Moti me dëborë që goditi Shqipërinë solli shumë probleme sidomos në zonat veriore dhe juglindore të vëndit ku shumë akse rrugore janë të bllokuara ndërsa në qarqet e Korçës dhe Dibrës shume komuna janë pa energji elektrike. (Makedonium)