Avokati i Popullit, raport për gjendjen e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri

Avokati i Popullit, Igli Totozani në 20 dhjetor në hotel “Mondial” në Tiranë, ka organizuar konferencën vjetore me shoqerine civile ku ka paraqitur raportin e veçantë për gjendjen e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri. Në raportin e tij avokati i popullit ka paraqitur rekomandimet përkatëse për të drejtat e minoriteteve që përfshijnë përmirësimin e kuadrit ligjor me miratimin e një ligji për njohjen “de jure” të tyre; ratifikimin e Kartës evropiane për gjuhët rajonale, mbrojtjen nga diskriminimi etj.

Ndërkohë në konferencën vjetore të institucionit të Avokatit të Popullit, Totozani tha se në fokus është gjendja e të drejtave të minoriteteve në vendin tonë, bazuar në eksperiencën disa vjeçare të institucionit të AP dhe perceptimin real të vet minoriteteve mbi gjendjen e të drejtave të tyre.

“Ekzistenca e minoriteteve në Shqipëri është një realitet sa historik aq edhe aktual. Kjo ekzistencë që, përtej çështjes juridike është një çështje fakti, është konkretizuar sot me njohjen nga shteti të dy lloje minoritetesh, minoriteteve etnike kombëtare ku përfshihet minoriteti Grek, minoriteti Maqedon dhe minoriteti Serbo-Malazez, si dhe minoriteteve etno gjuhësore, ku përfshihen minoriteti Vllah dhe minoriteti Rom”, tha Totozani.

Ai sqaroi se pavarësisht kësaj realiteti i shoqërisë sonë njeh “de facto” edhe disa komunitete të tjera të ndryshme nga popullsia etnike shqiptare, siç janë komuniteti Boshnjak, dhe komuniteti Egjiptian.

Për Avokatin e Popullit, njohja e minoriteteve nxjerr nevojën edhe të mbrojtjes së tyre, përmes afirmimit të një sërë të drejtave që u njihen posaçërisht atyre.

“Pavarësisht parashikimeve ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare që janë në fuqi, të gjithë jemi të vetëdijshëm, që ka shumë për të bërë, për të garantuar në praktikë, respektimin e të drejtave, integrimin dhe përfshirjen sociale, të pakicave që jetojnë në vendin tonë”, tha Totozani.

Në raportin që AP ka paraqitur për minoritetet thuhet se “Një kujdes i posaçëm i është kushtuar të drejtave të minoritetit Rom, që jeton në Shqipëri, i cili konsiderohet si minoritet etno gjuhësor. Popullsia Rome në një pjesë të madhe nuk figuron e regjistruar në regjistrin e gjendjes civile, fenomen i cili është më i përhapur për personat e lindur pas viteve ’90”.

Ndërhyrjet e Avokatit te Popullit për të drejtat e këtij minoriteti kanë qënë konstante në vite, por ndërkohë duhet theksuar se, vitet e fundit mund të konsiderohen si vitet ku përparësi në punën e institucionit kanë patur të drejtat e këtij minoriteti, të trajtuara në një këndvështrim shumëplanësh.

Ky aktivitet ka konkluduar me disa rekomandime drejtuar organeve të administratës publike, në nivel vendor dhe qëndror, si dhe me përgatitjen e një raporti të veçante drejtuar Kuvendit, në lidhje me problematikat e komunitetit Rom, në Shqipëri.

Vlerësojmë se, veç impaktit institucional, një nga treguesit më pozitivë të arritur gjatë këtyre ndërhyrjeve institucionale është padyshim, sensibilizimi mbarëshoqëror dhe i medias, në lidhje me problematikat që, sot shqetësojnë minoritetin Rom në Shqipëri.

Në lidhje me minoritetet kombëtare, AP vëren se, pavarësisht bazës normative ligjore në fuqi mungon përkufizimi i minoritetit kombëtar. Aktualisht procesi i njohjes së këtyre minoriteteve në vend, bazohet në kriteret e përcaktuara nga konventat ndërkombëtare, siç janë kriteret objektive që kanë të bëjnë me ekzistencën e karakteristikave etnike, kulturore, fetare, linguistike të veçanta dhe të qëndrueshme, nga pjesa tjetër e popullsisë të këtij grupi, si dhe me shfaqjen e vullnetit për të ruajtur kulturën, traditat, fenë, gjuhën e tyre, si dhe kriterin që nënkupton zgjedhjen personale për të qenë pjesë e minoritetit.

REKOMANDIMET E AVOKATIT TË POPULLIT PËR MINORITETET

Rekomandimi i parë ka të bëjë me përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e minoriteteve mbetet një nga çështjet kryesore, pasi vërehen mangësi. Në këtë kuadër është i nevojshëm miratimi i një ligji, ku të përcaktohet definicioni dhe kriteret e njohjes “de jure” të minoriteteve, në përputhje me parashikimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e minoriteteve”, të ratifikuar me ligjin nr.8496 datë 3.06.1999.

Po kështu është i nevojshëm fillimi dhe përfundimi i procesit për ratifikimin e Kartës Europiane për Gjuhët Rajonale, ose Minoritare.

Rekomandimi i tretë i AP ka të bëjë me përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi, me fokus disa përmirësime në nenin 1, të Ligjit nr. 10221, datë 4.02.2010 “Për mbrojtjen kundër diskriminimit”, duke përfshirë në këtë nen si shkaqe për diskriminim; kombësinë; qëllimin e shpallur për të diskriminuar; nxitjen për diskriminim dhe ndihmesën dhe inkurajimin e diskriminimit.

Marrja e masave adekuate dhe zgjerimi i mundësive për edukimin e minoriteteve, duke përfshirë mësimin e gjuhëve minoritare, promovimin e identitetit dhe zhvillimin e kulturës së minoritetit.

Marrjen e masave konkrete ligjore dhe administrative për përmirësimin e aksesit në strehim, shërbimet e arsimit, shërbimet sociale dhe pjesëmarrjen në jetën publike veçanërisht të minoritetit Rom, por edhe të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera në vend. Integrimin real të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera në jetën e përditshme, veçanërisht në strukturat qeverisëse në nivel vendor, apo qendror.

Garantimin e të drejtave të minoriteteve dhe marrjen e masave për respektimin e tyre në jetën e përditshme dhe mbrojtjen e popullsisë vulnerabël.

Zhvillimi i një dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm, si dhe bashkëpunimi ndërkulturor ndërmjet, institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe pjesëtarëve të minoriteteve, me qëllim që, adresimi i problematikave dhe procesi i analizimit dhe zgjidhjes së tyre të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe i gjithë pranuar.

Realizimi i një procesi të regjistrimit të popullsisë (censusi), të pakontestuar dhe të gjithëpranuar edhe nga minoritetet dhe komunitetet e tjera, i cili do të jepte shifrat reale të popullsisë minoritare, apo edhe të komuniteteve të tjera.

Krijimi i kushteve për rritjen e mirëqenies në zonat ku banojnë minoritetet dhe komunitetet e tjera, përfshirë këtu edhe financimin me një buxhet më adekuat për njësitë e qeverisjes vendore, ku ka komunitete minoritare dhe komunitete të tjera në një masë dalluese me pjesën tjetër të popullsisë mazhoritare.

Rritja e rolit dhe veprimtarisë së të gjithë institucioneve shtetërore në kuadër të respektimit të të drejtave të minoriteteve, veçanërisht zgjerimi i aktivitetit të institucioneve të pavarura në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe mbështetja e tyre në funksion të afirmimit, njohjes dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve.

OSBE: Përpjekje të bashkërenduara për të përmirësuar mbrojtjen e minoriteteve

Në konferencën vjetore të Avokatit të Popullit, Zëvendës Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton bëri thirrje për përpjekje të bashkërenduara për të përmirësuar mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri.

Ai vuri theksin te Raporti i Veçantë i Avokatit të Popullit për Minoritetet, si një kontribut i rëndësishëm për të përmirësuar përfshirjen e minoriteteve në Shqipëri, në dritën e dialogut të gjerë që tashmë ka nisur.

Wilton u shpreh se: “Ne të gjithë e kemi parë se çfarë mund të ndodhë kur identiteti i minoriteteve përdoret për përçarje dhe diskriminim. Përkundrazi, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe integrimi kuptimplotë i minoriteteve janë faktorë që ndihmojnë në ndërtimin e shoqërive demokratike, të qëndrueshme dhe plot jetë. Është e mundur që të respektohet dhe kremtohet identiteti i minoriteteve dhe, në të njëjtën kohë, të bëhet pjesë e një shteti të fuqishëm e të qëndrueshëm; kjo është e mundur dhe pozitive.”

OSBE-ja, përmes Prezencës në Shqipëri dhe institucionit të Komisionerit të Lartë për Pakicat Kombëtare, ka mirëpritur hapat e Shqipërisë në drejtim të konsolidimit të stabilitetit në rajon dhe të kohezionit në vend. Në këtë kontekst, ngritja e një grupi pune ndër-institucional për të vlerësuar kuadrin ligjor dhe politikat për minoritetet është një zhvillim pozitiv. (Makedonium)