Korçë, inaugurohet Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë

Dje u inaugurua zyrtarisht në Korçë, Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë.

Të pranishëm në ceremoni ishin dy minsitrat e Mjedisit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, Lefter Koka dhe Nurhan Izairi, por edhe Zv/Kryeministri Niko Peleshi , ambasadori maqedonas ne Tirane, Stojan Karajanov dhe përfaqësues të UNESCO-s.

Në fjalën e tij, ministri i Mjedisit, Koka, shprehu kënaqësinë e tij për vlerësimin që i është bërë basenit nga UNESCO, duke shënuar të parën Rezervë Biosferë për Shqipërinë.

“Baseni Ohër-Prespë ka një rëndësi të madhe jo vetëm lokale e rajonale, por edhe globale, si një zonë me vlera të jashtëzakonshme mjedisore, ekonomike, shkencore dhe kulturore. Kjo është një zonë me interes kombëtar dhe më gjerë dhe menaxhimi e promovimi i vlerave natyrore, biodiversiteti i shumëllojshëm i saj, janë një kapital i vërtetë i cili kërkon përdorim të kujdesshëm nga ana jonë”,  tha Koka.

Ministri i Mjedisit theksoi se Shqipëria ka vullnetin politik për të bashkëpunuar edhe më shumë në çështjet e mbrojtjes së natyrës.

”Dua të theksoj se mbrojtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore siç janë pyjet, biodiversiteti apo ujërat, janë dhe do të mbeten pritoritetet tona”, tha ai. Ministri i Mjedisit shprehu gjithashtu falënderimet e tij të veçanta për Qeverinë Gjermane për mbështetjen në projektin e Parkut Kombetar të Prespës-Shqipëri.

Gjatë ceremonisë, ministrit Koka, iu dorëzua  dokumenti i çertifikimit të  basenit Ohër – Prespë si “Rezervë Ndërkufitare Biosferë”, i firmosur nga Drejtorja e UNESCO-s, Irina Bokova.

Në dokument cilësohet se përfshirja e basenit Ohër-Prespë në rrjetin botëror të Rezervës Biosferë synon ruajtjen, studimin, monitorimin, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

Këshilli Koordinativ Ndërkombëtar (ICC) i Programit “Njeriu dhe Biosfera” i UNESCO-s ka miratuar nominimin e RNBOP në sesionin e 26 të mbajtur në Joenkoeping, Suedi më 11.6.2014.

Rezerva e re Ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë përfshin basenin e liqenit të Ohrit si dhe basenin e të dy liqeneve të Prespës, që lidhen me të.

Në Rezervën Ndërkufitare të Biosferës Ohër-Prespë gjenden 454.000 banorë që jetojnë në 23 komuna e bashki në pjesën shqiptare dhe në gjashtë bashki në pjesën maqedonase. E gjithë zona karakterizohet nga një biodiversitet i pasur me specie të rralla e të rrezikuara në nivel global. Liqenet e Ohrit dhe Prespës, për shkak të gjenezës historike, kanë në gjirin e tyre specie të shumta endemike të cilat janë unike dhe gjenden vetëm në ekosistemin ujor dhe në ekosistemet tokësore për rreth liqeneve.

Për këtë arsye në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar u krijuan parqet kombëtarë për ruajtjen e këtyre vlerave. Parqet Kombëtarë të Galiçicës dhe Pelisterit në Maqedoni dhe Parku Kombëtar i Prespës në Shqipëri përfaqësojnë funksionin e konservimit të Rezervës së Biosferës. Në zonën qendrore të rezervës janë përfshirë rreth 14,000 ha ku ndalohet rreptësisht zhvillimi i çfarëdo aktiviteti njerëzor.

Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Ohër- Prespë do të administrohet nga Komiteti i Menaxhimit të Basenit të Ohrit (OWMC), një institucion i krijuar në kuadrin e një marrëveshje dypalëshe nga të dy vendet bregliqenore, e nënshkruar në vitin 2004 dhe e ratifikuar nga parlamentet e të dy vendeve.  OWMC mbështetet nga Sekretariati i Përbashkët me zyra në Pogradec dhe Ohër.

Krijimi i Rezervës Ndërkufitare të Biosferës është mbështetur nga “Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespa: Mbështetje për Parkun Kombëtar të Prespës në Shqipëri” një projekt zhvillimi i Republikës së Shqipërisë, i bashkëfinancuar nga Republika Federale e Gjermanisë, nëpërmjet KfW”.

Faza e parë e projektit pritet të perfundoje në korrik të vitit 2015 dhe gjatë këtij projekti janë arritur disa rezultate të tjera pozitive përveç krijimit të Rezervës Ndërkufitare Rezervë, mes të cilave jane: përmirësimi i menaxhimit dhe administratës, infrastrukturës së Parkut, përmirësimi i bashkëpunimit  ndërkufitar si dhe rehabilitimi i pyjeve dhe kullotave. Ndërsa është në proces krijimi i një Organizate Marketingu në Parkun Kombëtar të Prespës. Ndërkohë, Ministria e Mjedisit të Shqipërisë është duke përgatitur fazën e dytë të projektit që ka si synim investimin e mëtejshëm në Parkun Kombëtar të Prespës. (Makedonium)