Këshilli i Europës i kërkoi përsëri Shqipërisë që të respektojë minoritetet

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka miratuar më 2 tetor 2014, raportin për Shqipërinë, duke theksuar se pavarësisht progresit të arritur, vazhdojnë të mbeten shqetësuese çështje të tilla si paanshmëria e institucioneve të shërbimit civil, pavarësia e gjyqësorit, korrupsioni dhe mosrespektimi i të drejtave të minoriteteve.

Asambleja shpreh shqetësimin se pavarësisht reformave të shumta, pavarësia dhe paanshmëria në sistemin gjyqësor nuk është siguruar mjaftueshëm dhe sistemi vazhdon të jetë nën presionin politik.

Gjithashtu theksohet nevoja për reforma urgjente konsensuale gjithpërfshirëse duke përfshirë këtu edhe ndryshime në Kushtetutë, për të siguruar pavarësinë e sistemit gjyqësor gjë që cilësohet prioritet për autoritetet shqiptare.

Asambleja ka shprehur shqetësimin për përhapjen e gjerë të korrupsionit në të gjitha nivelet e gjyqësorit gjë që sipas saj, çon në dëmtimin e paanshmërisë dhe efikasitetin e këtij institucioni.

Një pjesë të mirë të raportit të Asamblesë e zënë zhvillimet poltike në Shqipëri, ku ka shprehur keqardhjen për vazhdimin e retorikës së ashpër midis dy palëve, duke i bërë thirrje opozitës mos të vazhdojë bojkotin e parlamentit e të komisioneve parlamentare.

Gjithashtu në raport vihet në dukje shtyrja e zbatimit të ligjit për shërbimin civil, e cila mundëson zbatimin e rregullave strikte për punësim në bazë të meritokracisë.

Në rezolutën e saj Asambleja Parlamentare e KiE thekson se është mjaft e rëndësishme që të zbatohen reformat dhe paketat legjislative të miratuara, duke e vënë theksin te reformat parlamentare për të cilat është rënë dakord nga mazhoranca dhe opozita, me qëllim funksionimin e duhur te parlamentit dhe dialogut politik.

Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës  kërkon angazhim më të madh të autoriteteve shqiptare në respektimin e të drejtave të minoriteteve.

Lidhur me mbrojtjen e minoriteteve kombëtare, edhe pse ka progres, në Rezolutën e miratuar i rekomandohet Parlamentit shqiptar të miratojë mekanizëm adekuat për respektimin e tyre. Madje kërkohet edhe miratim i legjislacionit për minoritetet, si dhe nënshkrim dhe ratifkim në afat më të shkurtër të Kartës evropiane për gjuhët rajonale dhe minoritare.

Në fund të raportit Asambleja Parlamentare thekson se duke parë dhe evidentuar shqetësimet e përmendura më lart, do të vazhdojë monitorimin e zbatimit të detyrimeve dhe zotimeve që ka marrë Shqipëria derisa këto shqetësime të kenë marrë përgjigje pozitive. (Makedonium)