Ohri organizon Ditët Evropiane

Për më shumë se pesë dekada, Festivali Veror i Ohrit, një nga festivalet më të vjetra të artit në Ballkan dhe në Evropë, ka shërbyer si një urë kulturore midis BE-së dhe Ballkanit. Mijëra artistë europianë, muzikantë dhe aktorë marrin pjesë në mbrëmjet e BE-së dhe interpretojnë për auditorin e rajonit në Ohër çdo vit.

Elizabeta Jankullovska, drejtor i Festivalit Veror të Ohrit, tha se projekti ka për qëllim të zhvillojë konceptin e kulturës që kalon përmes programeve evropiane dhe të ndihmojë artistë maqedonas që të paraqesin punën e tyre në Evropë dhe në mbarë botën.

“Përpiqemi të bëjmë projekte për të sjellë artistë ndërkombëtarë dhe për t’i lidhur ata me artistët maqedonas,” tha Jankullovska për SETimes. “Ose artistët maqedonas mund të interpretojnë vepra të huaja. Dhe ky është plani ynë gjatë Verës së Ohrit: për të bërë promovimin e kulturës maqedonase, muzikën e tij dhe teatrin maqedonas përtej kufijve tanë.”

Festivali, i cili mblodhi së bashku 900 artistë nga Evropa këtë vit, është anëtar i Shoqatës Evropiane të Festivaleve. Dragisha Kurkuz, themelues i teatrit Zvezdara në Beograd, tha se festivali është i rëndësishëm për të paraqitur punën rajonale dhe për të promovuar artistë nga Ballkani.

“Aktorët nga Ballkani janë shumë të talentuar dhe kanë diçka për ti treguar botës,” tha Kurkuz për SETimes. “Mendoj se Festivali Veror i Ohrit është një festival i madh dhe nuk ka asnjë festival të ngjashëm kudo tjetër në rajon. Në një vend të vogël si Maqedonia, që ka një festival të tillë është shumë e rëndësishme për shtetin dhe për rajonin”,

[Miki Trajkovski/SETimes]