Ambasadori maqedonas në Tiranë, Z. Stojan Karajanov viziton Bashkinë e Korçës

Kryebashkiaku Z. Sotiraq Filo dhe stafi i tij patën një takim me Ambasadorin Maqedonas në Shqipëri, Z. Stojan Karajanov.   ”Korça është një qytet i bukur, mikëpritës me të cilin përveç të tjerave më lidh edhe një histori e bukur, pasi në vitin 1980 kam qënë si gazetar në këtë qytet, ku edhe kam marrë lajmin e gëzueshëm të lindjes së djalit tim. Kjo është një arsye më tepër, pse unë kam një lidhje të fortë me Korçën”, – u shpreh Krarajanov në fillim të këtij takimi. Më pas ai vazhdoi: “Marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë janë në vazhdimësi në nivele të larta të bazuara në interesin reciprok për bashkëpunim në të gjitha fushat. Kohët e fundit janë hedhur hapa të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të bashkëpunimit, por ende mendoj, se ka hapësira për bashkëpunime të reja edhe në fushën e turizmit, artit, ekonomisë etj”, – theksoi ambasadori.   Nga ana tjetër kryebashkiaku Filo tha se, “deri tani dy vendet kanë patur një bashkëpunim shumë të mirë në promovimin e vlerave kulturore dhe artistike, siç është prezantimi i karnavaleve të Korçës për disa vite me rradhë në Festivalin e Karnavaleve në Prilep e Strumicë, ku edhe janë vlerësuar me disa çmime. Komuniteti maqedonas, është urë lidhëse midis dy shteteve. Të dy vendet kanë se çfarë ti japin njëri – tjetrit në shumë fusha dhe aq më tepër në atë të turizmit, duke qënë se janë edhe dy vende fqinjë. Për këtë jemi të hapur për bashkëpunim me projekte konkrete të cilat do t’i vijnë në ndihmë zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë”, – u shpreh Filo.   Ambasadori Karajanov i përcolli kryebashkiakut Filo, ftesën nga kryetari i bashkisë së Prilepit për të vizituar Prilepin dhe për tu parë mundësia për binjakëzim mes dy qyteteve.   Ambasadori i Maqedonisë në Shqipëri, Z. Stojan Karajanov viziton redaksinë e Gazetës së Pavarur Rajonale “KORÇA”   Ambasadori maqedonas në Tiranë, Z. Stojan Karajanov gjatë qëndrimit të tij në Korçë, ka vizituar redaksinë e gazetës së pavarur rajonale “Korça”, ku u prit nga botuesi i kësaj gazete Z. Vehbi Furxhi dhe anëtarët e redaksisë. Ambasadori Karajanov është njohur nga botuesi i gazetës “Korça”, Vehbi Furxhi rreth gazetës së pavarur rajonale “Korça”, si një nga gazetat e para pluraliste në Shqipëri, numri i parë i së cilës ka dalë në dhjetor të vitit 1992, duke vazhduar deri në ditët e sotme pa ndërprerje.   Ambasadori Karajanov nga ana e tij ka vlerësuar përkushtimin në punën e botuesit Vehbi Furxhi, si dhe te stafit të redaksisë dhe inkurajoi redaksinë që të vazhdojë të punojë me të njejtin dedikim.   Në takim u ra dakort për një bashkëpunim mediatik të shoqatës së gazetarve të pavarur “Korça” dhe shoqatatave të gazetarve të Maqedonisë. (Makedonium)