Prespa e Madhe

Nga Fatos Baxhaku

Ose në anë të liqenit “me shpirt”

Преспа | PrespaMali i Thatë e meriton me të vërtetë emrin që mban. I përzhitur nga dielli i fortë ai duket si një vigan i mundur nga vapa dhe nga thatësira që, megjithatë, nuk pranon të japë shpirt. Asnjë hije, asnjë gjë e gjallë që të ngrihet më shumë se gjysmë metri, vetëm barishte të zhuritura me kohë dhe disa ferrishte të ulëta që mezi mbahen shpateve të tij. Ky është Mali i Thatë në verë. Në dimër vigani është krejt tjetër gjë. Atëherë ai “vë” atë kapuçin e rëndë prej dëbore dhe duket sikur është krejt në formë. Por që të vijë kjo kohë do t’i duhet ta “vuajë” ca vapën dhe bashkë me të do të vuajë edhe njerëzia e fshatrave që shtrihen në këmbë të tij. Jemi nisur për në Prespën e Madhe, liqeni i ndarë në tri shtete.
Vetëm para pak ditësh, në mbyllje të një studimi ndërkombëtar pesëvjeçar, dy profesorë me përvojë, Sokrat Amataj dhe Molnar Kolaneci, bashkëdrejtues të projektit mbi liqenin, kishin përsëritur alarmin: Niveli i Prespës po bie në mënyrë alarmante! Vetëm në periudhën 1908-2010 niveli ka rënë me tetë metra, aq sa është thellësia e Liqenit të Shkodrës, sa për ta pasur situatën më mirë parasysh. Vetë Prespa e Madhe është e thellë diku te 50 metrat.
Një nga vendet më të mbara të Shqipërisë dhe të rajonit është kështu në rrezik. Projekti është munduar të nxjerrë në pah edhe shkaqet e këtij fenomeni të ngadaltë, por të pandalshëm: veprimtaria e gabuar njerëzore, ndonjë aktivitet tektonik që ka shtuar lidhjet nëntokësore mes Prespës dhe Pogradecit, ndryshimet globale në klimë në këto dekadat e fundit. Sido që të jetë, pakësimi i ujit në Prespë i bën edhe më të ndjeshme mbeturinat që depozitohen ende atje nga veprimtaria njerëzore e fshatrave rreth e rrotull. Kjo jo vetëm ndot vetë liqenin, por ndotja mund të depërtojë përmes burimeve nëntokësore e nënliqenore deri në Tushemisht, Shën Naum, Pogradec e me radhë.
Më pak ujë do të thotë një liqen pa interes. Jo vetëm më pak peshk, por edhe më pak vizitorë dhe ëndrra për të pasur një ditë turizëm të zhvilluar sa vjen e dobësohet. Problemi bëhet edhe më akut nëse kujtohemi se Parku Kombëtar i Prespës (që përfshin edhe Prespën e Vogël bashkë me Trenin dhe rrethinat) është më i madhi në krejt vendin. Territori i tij ua kalon të gjitha parqeve të tjera të marrë së bashku.
Teksa udhëtojmë në këmbë të Malit të Thatë, duke kaluar me radhë Nizhavecin, Vreshtasin, Koritën, Shëngjergjin arrijmë në Zvezdë, njëri prej fshatrave më të mëdhenj të krejt zonës. Në fakt, vërtet kemi udhëtuar përgjatë shpateve të Malit të Thatë, por në krahun tjetër kemi pasur një fushë të madhe që shtrihet deri tutje në horizont. Në fakt ne jemi duke udhëtuar mbi xhadenë e vjetër që dikur lidhte Korçën me pjesën tjetër të vendit.
Kujtohemi se deri në fillim të viteve ’50 në këtë vend shtrihej një tjetër liqen, të cilin, si për ta sharë paraprakisht meqë duhej tharë, u bë zakon që të thirrej Këneta e Maliqit. Ky liqen i madh, i pasur me florë e faunë të veçantë u tha jo vetëm me bindjen se “po bëhej një hap i madh përpara”, jo vetëm me idenë se vetëm kështu do të shtohej prodhimi bujqësor për një popullsi gjysmë të uritur, por edhe me mijëra sakrifica e kurbane njerëzore. Fati i Maliqit tashmë dihet, po ai i Prespës?

 

Në Pustec

Vetëm nëse do të ketë ndonjë hall të madh ndonjë turist mund të marrë mundimin të vijë në verën e sivjetme këtyre anëve. Në të dalë të Zvezdës, një gurore e madhe vazhdon të grijë gurë pa fund. Rruga, vetëm deri para pak vjetësh e shtruar fare mirë, tani po zgjerohet dhe makinat që udhëtojnë nëpër xhade e shohin shumë shpejt veten të mbështjellë nga një re e dendur tymi.
Një tabelë e vënë në krye të rrugës shënon “Parku Kombëtar Prespë 4 km”, por deri sa të shohim magjinë e sipërfaqes së paqtë të liqenit neve do të na duket sikur kemi udhëtuar jo 4, por të paktën 40 kilometra.Me Prespën e Madhe përballë, me Maligradin, ishullin e saj ca më tej dhe me çatitë e kuqe që dallohen nga larg, e kuptojmë që jemi treguar ca të cekët a të nxituar kur turfullonim përmes pluhurit që na ngjitej gjithandej. Në Prespë vihet gjithherë, në dimër e në verë, me pluhur e pa pluhur, me rrugë të re e me rrugë të vjetër… Nuk është vetëm liqeni, nuk është vetëm historia dhe kishat, në radhë të parë janë njerëzit.
Ndalesën e parë e bëjmë në Pustec, fshat, si edhe të tjerët rreth e rrotull, i banuar nga popullsi maqedonase. Në fakt, në të gjitha hartat e vona dhe në të gjitha dokumentet ky fshat, që është njëherazi edhe qendra e komunës, shënohet me emrin shqip Liqenas. Edhe kjo puna e emrave ka një histori më vete.
Kur komisioni ndërkombëtar i kufijve, në përbërje të të cilit nga pala shqiptare ishte i famshmi Mehdi bej Frashëri, më 1924-n vendosi kufijtë që pak a shumë janë edhe sot, e gjithë kjo zonë kaloi nga zotërimi jugosllav e grek në atë shqiptar. Është pikërisht koha kur Jugosllavia merr Shën Naumin e Vermoshin. Në kujtimet e tij, Mehdi Frashëri e shënon si arritje të madhe të Shqipërisë marrjen e këtyre territoreve në këmbim të Shën Naumit. Sipas tij, marrja e një pjese të shpatit të Malit të Thatë bashkë me Prespën e bënte Korçën një qytet më të mbrojtur. Sido që të ketë qenë puna e kishim fjalën te emrat. Sapo këta fshatra kaluan në anë të Shqipërisë dikujt i bëri përshtypje tingëllimi i tyre sllav.
Atëherë Pusteci u quajt Shën Pal, ndërsa Zaroshka, me emrin e çuditshëm Laraskë, një emërtim që sigurisht nuk mund të kishte jetë të gjatë. Pas 1967-s, kur u mbyllën kishat, xhamitë e teqetë, ish-Pustecit, Shën Palit ia ndryshuan sërish emrin. Këtë herë ai do të quhej Liqenas. Porse vendasit kanë përdorur e përdorin emrat e vjetër.
Në qendër të Pustecit takojmë Xhorxhin, baba i dy fëmijëve, që punon diku në afërsi të Kosturit. Me shpinën e kthyer nga liqeni ai na tregon se përse liqeni, me të cilin dikur ishin të lidhur aq fort, tani nuk mund t’i mbajë më: “Sikur të na mbante liqeni unë nuk kisha përse të ikja në Greqi, në kurbet. Atje kam që më 1995-n dhe punoj bashkë me shokët në përpunimin e gurit. Është punë e lodhshme vërtet, por ama jetojmë normalisht. Tani na ka rënë disi puna nga ajo puna e krizës, por nuk ka të krahasuar me punën e lodhshme dhe me jetën e vështirë që do të hiqja po të rrija këtu. Këtu toka është e paktë dhe nuk jep shumë prodhim. Liqeni nuk ka më peshk. Ca nga ndotja që i bëjmë vetë neve, ca ngaqë niveli ka rënë shumë, i tërë peshku shkon andej nga ana e grekut. Me shpirt do të rrija këtu, nuk ka si vendi yt, por ama këtu nuk kam më me se të mbahem…”.
Një tjetër mik është Zhivko. Ky ndryshe nga shoku i tij vazhdon të merret edhe me peshkim. “Merrem more merrem, po vetëm sa për vete – na thotë – nuk ia vlen aq sa zëmë ta marrim që këtu e ta shesim në Korçë, nuk ia vlejnë vetëm shpenzimet e rrugës. Më përpara, deri aty nga 1994-a kishte raste që zinim deri në 2-3 kuintalë peshk. Tani kush zë 10 kilogramë është më i pari i fshatit. Liqeni ka qenë i pasur me peshk shumë llojesh, krap, karas, klën, mrën, puticë, cironkë. Tani këto janë rralluar”. Pastaj të dy miqtë kujtohen edhe një herë për liqenin. “A të kujtohet – i thotë Zhivko Xhorxhit – në kohën kur ne ishim fëmijë vinte deri afër rrugës”. Tjetri tund kokën pa e kthyer kokën andej nga është liqeni i Prespës së Madhe.
Në dalje të fshatit, ca më larg nga qendra me kishën, ndalojmë një copë herë në anë të liqenit. Këtu bregu, dikur i përmbytur nga liqeni, është kthyer në vend kullotje për bagëtinë. Gardhet që ndajnë parcelat gati futen brenda në liqen. Para dhjetë vjetësh, gjatë një udhëtimi disaditor në këto anë, ishim nisur me një varkë nga një si lloj moli i vogël. Asokohe moli ishte ndonjë metër e pak mbi ujë. Tani moli duket vërtet, por ai është krejt i zhytur në liqen.
Disa pelikanë që po ngrohen në diell bezdisen nga vizita jonë e beftë. Duke thërritur njëri-tjetrin ata ngrihen si me përtesë në ajër. Niveli ka zbritur apo është ngritur? Tani nuk po kuptojmë më gjë fare. Një kalimtar, që po kthehet nga një gjueti e pafrytshme me grepa, na e sqaron se si është puna. Në krahasim me 1980-n, niveli sigurisht që është ulur, porse sivjet në krahasim jo vetëm me dhjetë vjet më parë, por edhe me një vit më parë, niveli është ngritur si rezultat i reshjeve të shumta të dimrit që porsa kaloi. Ja përse ai moli i vogël u ka mbetur vetëm pelikanëve. Në fshat të rinjtë diskutojnë për Kampionatin Botëror.
Flasin në gjuhën e tyre, por ne e kuptojmë se bëhet fjalë për futbollin, përndryshe nuk do të përsëritej aq shpesh: Franca, Franca… Ca më tej gjëmon një altoparlant. Një shitës shëtitës reklamon mallin e tij: Hajde, domate, piperka, bostan me provë… Këtë herë gjuha e përdorur është një devollishte e pastër.

“Shpirti” i liqenit

Zaroshka është një tjetër fshat në anë të liqenit. Nuk është aq i madh sa Pusteci, porse tek ai vendasit kanë vënë një shpresë të fortë. Ndryshe nga fshatrat e tjerë të zonës, Zarosha ka pranë tij një plazh të vërtetë me rërë dhe gurë të imët. Një plazh të gjerë ku mund të ecësh gjatë në ujë për të arritur thellësinë. Pikërisht prandaj në këtë zonë janë ndërtuar lokalet më të shumtë.
Në njërin prej tyre takojmë një 88-vjeçar. Ai quhet Bosilko Ilo Todor.
Xhaxhai ka jetuar jetë e mot në Zaroshkë, me përjashtim të viteve kur e morën ushtar në Korçë. “Me këtë rast mësova edhe shqip – na thotë – se përpara nuk dija as edhe një fjalë të vetme”.
Xha Bosilko këtë herë na flet për liqenin me sytë e ngulur fort në ujërat e tij: “Pleqtë tanë thoshin se niveli i liqenit shumë kohë më parë ka qenë deri lart në kodër, andej nga erdhët juve me makinë, pastaj ka ardhur gjithnjë duke rënë. Nuk është puna se ka rënë niveli vetëm në këto kohët e fundit.
Kjo punë, me sa duket ka nisur që prej kohësh që nuk mbahen mend. Kam dëgjuar shumë hamendje nëpër fshat se si ta shpëtojmë liqenin. Vërtet duhet vrarë mendja, sepse me të jemi mësuar brez pas brezi jetë e mot. Por çfarë nuk po na dëgjojnë veshët: jo do ta hedhin në erë atë Grykën e Zaverit, atje në Goricë, ku uji shkon për në Pogradec a Tushemisht, jo do të mbyllin dalje të tjera, apo do ta betonojnë më mirë grykën në thellësi e kështu ca nga të gjitha. Harrojnë se liqeni ka një shpirt të vetin. Nëse sillesh mirë me të ai ta shpërblen, nëse jo atëherë ai do të ikë nëse e ka vendosur. Pleqtë tanë qëmoti na thoshin se ai ikën kur merr vesh se do të ndodhin gjëra të liga. Këtë e kam parë edhe vetë. Kur plasi lufta italo-greke luftime të ashpra u zhvilluan pikërisht këtu ku jemi sot. Ne familjarisht ikëm që këtu e shkuam në Gllomboç ku ishte më qetë. Sapo nisi lufta uji i liqenit zbriti.
Pas luftimeve kur kemi ardhur e kemi gjetur mbi xhade. Po kësaj ç’i thoni ju?”. “Sa e rëndësishme është ta njohim liqenin”, e pyet xhaxhain njëri prej nesh. “Është aq e rëndësishme sa të duhet të shpëtosh kokën. Ky liqen është shumë tekanjoz po nuk e njohe, ose po e nënvleftësove. Sa koka njerëzish ka ngrënë ky liqen! Vetëm se nuk e njohën, ose nuk e respektuan. Edhe atëherë ky e nxjerr në pa Shpirtin e tij. Mbaj mend që pikërisht këtu ku jemi është mbytur një bashkëfshatari ynë, baba i dy fëmijëve. Ca më larg janë mbytur dy motra. Liqeni është i paparashikueshëm. Këndej era mund të ndryshojë drejtim brenda pak minutash dhe atëherë ai bëhet i frikshëm. E vetmja zgjidhje është të rrish në varkë e të mos hidhesh në ujë.
Po nuk e dite këtë, më mirë mos lundro në këtë liqen”.
Ndërsa plaku flet, neve na kujtohet një tragjedi që pat ndodhur në këto brigje në majin e 1995-s. 14 nxënës të gjimnazit të Starovës bashkë me mësuesin e tyre humbën jetën në ujërat e këtij liqeni teksa kishin ardhur për një ekskursion të zakonshëm. Një vit më pas njëri prej të paktëve djem, që kishin shpëtuar, vrau veten me pistoletën e vëllait polic. Nuk mund të jetonte më. Në atë tragjedi, veç shokëve e shoqeve, kishin humbur jetën edhe e dashura dhe një kushërirë e tij. Kështu kishte vendosur shpirti i liqenit.

Kishat

Ku fshihet shpirti i liqenit? Mbase ndër vende të heshtura ku këmba e njeriut e ka të vështirë të arrijë. Prespa e Madhe është e njohur edhe për kishat e saj. Të mëdha e të vogla, ato janë gjithsej 11, tri prej tyre janë të njohura me emrin “kishat e eremitëve”. Ato janë disa kisha të vogla të gdhendura në gur. Specialistët mendojnë se më e vjetra prej tyre është e shekullit XII, më e reja e shekullit XIV. Janë kisha të vogla, te të cilat mezi shkohet pas një lundrimi të gjatë me barkë. Pastaj nis ngjitja në disa shkallë të pjerrëta të ngulura në shkëmb.
Vetëm mund t’i marrësh me mend ata, eremitët, njerëzit e çuditshëm, të cilët vendosnin të shkonin një jetë të izoluar vetëm duke iu falur Perëndisë. Si traditë, të qenët eremit ka lindur diku andej nga Egjipti, mbase në Aleksandri. Format e të qenët eremit ishin të ndryshme, duke filluar nga izolimi, sikurse eremitët e Prespës, e deri te qëndrimi përjetësisht në këmbë, ose të fjeturit në majë të një kolone. Ai që e solli këtë prirje në Europë ishte një shenjtor i krishterë që nderohet njësoj nga të dy kishat, katolike dhe ortodokse. Ky jetoi në shekullin III.
Ai quhet Shën Thanasi dhe mbahet mend si një teolog i famshëm që arriti të shpëtojë unitetin e Trinisë së Shenjtë. Thonë se kishte aq armiq sa që i dhanë emërtimin “Atanasius contra mundum” (Thanasi kundër botës). Pikërisht një shenjti të tillë i kushtohet kisha e Pustecit. Një shenjt eremit në një vend ku me shekuj kanë jetuar eremitët, të jetë vetëm rastësi? Përgjigjen e saktë e di vetëm liqeni i heshtur.
Një tjetër kishë e famshme është ajo e Shën Marisë në shpellën e ishullit të vogël të Mali Gradit. Kisha është ndërtuar për herë të parë në 1345. Specialistët thonë se ajo u pikturua 24 vjet më vonë me porosi të Kosar Novakut dhe gruas së tij, Kalia. Novaku duket se ka qenë njëri prej princërve të zonës asokohe.
Portretin e tij dhe të së shoqes e shohim ende në murin e përparmë të kishës së vogël, ku edhe sot e kësaj dite besimtarë të shumtë shfrytëzojnë çdo rast për të sjellë teshat e të afërmve të tyre me shpresë se do të kenë një jetë më të mirë. Vetëm se shumë prej tyre ende harrojnë të pyesin më parë shpirtin e fshehtë të liqenit.

1924, ushtarë, shkolla shqipe dhe një eksperiment

Sterjo Spasse (1912-1989) është mbase emri më i njohur që kanë nxjerrë anët e Prespës së Madhe. Shkrimtari i njohur u largua që fare i ri nga Gllomboçi, vendlindja e tij në anë të Liqenit, por nuk i shkëputi kurrë lidhjet e forta me vendin dhe njerëzit e tij. Udhëtimin e fundit për në vendlindje e bëri vetëm pak ditë para se të mbyllte sytë. Gjashtë vjet më pas, i biri botoi një libër që bazohet në shënimet e shumta që Spasse la pas. Më poshtë është një pjesë e vogël e tyre.
“… Ishte vjeshta e 1924. Sterjoja, duke ndihmuar vëllain e madh, Joshe, në lloishtet e liqenit, pa nga larg, nga Gryka e Bigllës mizëri njerëzish që po afroheshin, duke lënë pas tym pluhuri… Joshja vuri dorën në strehën e kapelës. Mizëria e njerëzve po afrohej. Përpara ishin disa kalorës, prapa këmbësorë me pushkë të gjata lidhur me spango, ngjalmë a ushkure, të leckosur. Shpejt e shpejt Joshja mblodhi plaçkat, i hodhi në çumkë e të dy dolën në breg. Pararoja e ushtrisë, dy djem faqekuq, ndalën kuajt para tyre:
Punë e mbarë, o peshkatarë! – foli njëri.

Joshja e humbi për një copë herë. Këmbësoria pas u afrua edhe më pranë.
Në razbiram (nuk kuptoj) – u përgjigj Joshja duke mbledhur supet.
Sterjoja herë shihte vëllain e madh, herë oficerët e herë ushtrinë e shformuar.
Gllomboçi, Gorica, Tumineci ku janë? – pyetën ata.
Gllomboçi tuka (Gllomboçi këtu), Gorica tamo… (Gorica atje) – tregoi Joshja me dorë.
Jemi ushtri shqiptare. Tani këta fshatra do të kalojnë në Shqipëri…
Sterjoja ktheu kokën nga kalorësit…
Pas dy javësh të ardhjes së ushtrisë shqiptare, Spasja i qeshur i dha një sihariq të madh Sterjos:
Do të hapet shkollë në gjuhën shqipe në Goricë të Madhe. Si mësues ka ardhur një djalë i ri nga Korça. Quhet Pandeli, Pandeli Sina.
Sterjoja ia nguli sytë të atit si me mosbesim dhe kishte frikë ta pyeste më tej se mos gjithçka ishte ëndërr e prishej shpejt e shpejt…
… Kur u kthye javën e parë në shtëpi gjeti dy vëllezërit, Joshen e Stojanin, tek kripnin peshqit e zënë gjatë natës. Joshja, sa e pa u ngrit dhe e puthi:
Hë, si dole në Goricë, si të duket mësuesi i ri?
Mirë brate (vëllaçko), është shumë më i mirë se ai i Nivicës!
A mësove ndopak shqip?
Po brate!
Kaku m’u velet na konot? (Si i thonë kalit?)
Kalë.
A na ribata? (Po peshkut?)
Peshk.
A na solta? (Po kripës?)
Kripë.
…Mbi xhade, në Zaverr, panë një “topolino”, ndërsa poshtë në grykë, buzë liqenit, disa burra diç po bënin. Spasja vazhdonte përpara rrugën i menduar, pas, kali i ngarkuar me thëngjij evgjiti. Sterjoja, pasi i ra rrotull “topolinos”, u var poshtë, përmes shkurreve e shkëmbinjve. Ujërat e liqenit përplaseshin me zhurmë të madhe nga Gryka e Zaverit. Kërshëria e bëri t’u afrohej më pranë. Një nga burrat ia përkëdheli faqet e skuqura dhe flokët e dendura. Sterjoja mori guxim e u afrua më pranë tyre. Ata i folën me një gjuhë të pakuptuar. Sterjoja buzëqeshi. Dy të tjerë, morën një thes me pluhur në ngjyrë të kuqe dhe e zbrazën në liqen. Për një moment, i tërë uji në atë gadishull të vogël u bë gjak i kuq. Gryka e Zaverit, më atë zhurmërimë të madhe, e përpiu menjëherë ngjyrën, duke e kthjelluar ujin. Dy burrat e parë filluan të bëjnë disa matje. Herë-herë ngrinin kokën lart. Shkëmbi i Zaverit, nga një lartësi e madhe, tepër e madhe për vështrimin e Sterjos, binte thikë e në liqen. Nga ai shkëmb masiv dilte guva. Pas një copë here, kur çdo gjë u kthjellua mirë e mirë, ata morën një thes tjetër me ngjyrë blu dhe e zbrazën në liqen. Panë orën. Diç shënuan në një tefterkë. Ujërat rreth e rrotull morën ngjyrën blu të fortë. Ata vazhdonin të mbanin shënime duke parë herë mbas here orën e dorës… Këtë histori ai do ta tregonte tërë jetën, kur binte rasti. Madje shtonte: Kur u rrita, duke shfletuar shtypin e huaj të vitit 1924, gjeta në një vend një material që bënte fjalë për një eksperiment që kishin kryer disa shkencëtarë në Grykën e Zaverit. Atë ditë ujërat e Shën Naumit kishin dalë ‘të përgjakura’ nga Mali i Thatë. Në atë periudhë kishte marrë forcë të madhe në popull legjenda ‘Divi i Malit të Thatë’ që Sterjoja e përfshiu më vonë, më 1966, në librin e tij për fëmijë ‘Sokolesha’…”.
(Ilinden Spasse, Im atë, Sterjo!, Përmes arkivit vetjak, Tiranë 1995).