I nderuar Z. Bumçi, si një ish-ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë duket se nuk e keni mësuar mësimin e sjelljeve europiane, kur është fjala për zbatimin e konventave ndërkombëtare. Deklarata juaj është e rrezikshme dhe e dëmshme për fqinjësinë e mirë, reagoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës maqedonase për integrim europian, Vasil Sterjovski për deklaratën e Aldo Bumçit, pas takimit e Presidentit maqedonas George Ivanov me Kryeministrin shqiptar Edi Rama.
“Ju kujtojmë se Shqipëria, nuk mund të bëhet anëtare e plotë e komunitetit të madh europian me ide të natyrshme për shekullin e 19-të. Në qoftë se janë të sakta pohimet në deklaratën tuaj, atëherë kërkojmë nga ju, si një politikan me përvojë, ti shpjegoni publikut shqiptar, pse Bashkimi Europian, insiston në përmbushjen e rekomandimit te 11-të që ka të bëjë me zbatimin e vazhdueshëm të standarteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve.Ju kujtojme se ky rekomandim u dërgua tek ju, në kohën e qeverisë tuaj.
Të drejtat e minoriteteve janë universale dhe nuk varen nga numri i popullsisë të minoritetve. Një nga kushtet kryesore e marrëveshjes parazgjedhore e koalicionit midis Partisë Aleanca maqedonase për integrim europian me Partinë Demokratike, ishte pikërishtë zotimi i Partisë Demokratike se do ti përmirësonte të drejtat e komunitetit maqedonas në Shqipëri. Z.Edi Rama, si kryeministër i ri ka virtyt të perballet me zgjidhjen e të gjitha këtyre problemeve, sepse ka vizion për atë se si duhet zhvilluar vendi tonë. Ne jemi qytetarë luajalë të Republikës së Shqipërisë, me respektim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit dhe në këtë rast duam të dini se zoti Rama ka mbështetjen tonë të plotë jo vetëm për këtë, por për të gjitha përpjekjet e tij për ta cuar vendin perpara në familjen e madhe europiane .”- tha Vasil Sterjovski.
Ai shtoi se përfaqësuesit e komunitetit maqedonas në Republikën e Shqipërisë mbështesin nënshkrimin e një marrëveshje ndërshtetërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë për mbrojtjen reciproke të komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Maqedoni.
“Përafrimi i standarteve të trajtimit të komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe atij shqiptar në Maqedoni duhet të jetë shoqerues i iniciativave të përbashkëta dhe bashkëpunimit të të dyja vendeve në cdo fushë, sidomos në fushën e arsimit në gjuhën e minoriteteve, përfaqesimit në jetën publike, përdorimin e gjuhës dhe alfabetit apo dhe toponimeve, zhvillimin ekonomik të zonave ku jetojnë komunitetet, etj. Partia Aleanca e maqedonasve për integrim europian i bënë thirrje Z. Edi Rama, Qeverisë shqiptare, Parlamentit dhe aktorëve të tjerë politikbërës dhe kompetentë në fushën e mbrojtjes së minoriteteve të bëjnë realitet politika në favor të minoriteteve, të cilat do të bëjnë të mundur përmbushjen e plotë të rekomandimit të 11- të te Bashkimit Europian dhe do të garantojë një nivel më të lartë të trajtimit të minoriteteve në Republikën e Shqipërisë”.- tha Vasil Sterjovski. (Makedonium)