Kryeministri Edi Rama me 18 shtator, priti në një takim Presidentin e Maqedonisë Gjeorge Ivanov, me të cilin shkëmbyen pikëpamjet lidhur me bashkëpunimin mes dy vendeve, si dhe rrugën e përbashkët drejt të ardhmes evropiane.
Kryeministri Rama gjatë takimit, por edhe në deklaratën e përbashkët për media u shpreh se për qeverinë e Shqipërisë integriteti i Maqedonisë është shumë i rëndësishëm. “Ka një rëndësi të dorës së parë mbarëvajtja e Maqedonisë, jo vetëm sepse në Maqedoni jeton një pjesë e rëndësishme e popullsisë shqiptare, por edhe sepse Maqedonia është shumë e rëndësishme për të gjithë ekuilibrat e rajonit tonë”, tha Kryeministri Rama.
Kryeministri garantoi kreun e shtetit të Maqedonisë se Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet shumë e interesuar për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe dy qeverive. “S’ka dyshim se kjo është një kohë e re pas marrëveshjes së Kosovës me Serbinë, që hap një horizont të ri mundësisht për të gjithë rajonin. Në këtë kohë të re edhe Shqipëria e Maqedonia duhet që bilateralisht të shohin përpara me vizion të ri, ide të reja, projekte të reja. Por nga ana tjetër ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për implementimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakortësuara edhe me partnerët ndërkombëtarë, lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni”, u shpreh Kryeministri Rama.
Lidhur me shqetësimin e Presidentit Ivanov për më shumë vëmendje dhe më shumë hapësirë për pakicën maqedonase në Shqipëri, Kryeministri Rama nënvizoi se “e marr këtë mesazh jo thjesht si një detyrim të shtetit tonë ndaj çdo pakice, por edhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, që ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne vetë nuk jemi në gjendje ta plotësojmë për të tjerët”.
Më tej, Kryeministri Rama theksoi se “do të çojmë përpara një proces bashkëpunimi ku implementimi me rigorozitet i marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakordësuara për të harmonizuar bashkëjetesën mes pjesës maqedonase dhe pjesës shqiptare të Maqedonisë do të jetë i padiskutueshëm”.
Presidenti Gjeorge Ivanov duke i uruar sukses Edi Ramës në detyrën e Kryeministrit të Shqipërisë i dorëzoi edhe ftesën zyrtare nga Kryeministri maqedonas për të zhvilluar një vizitë zyrtare. “Na presin ndërmarrje dhe projekte të përbashkëta, të cilat do të jenë në favor të të gjithë atyre që jetojnë në këtë rajon”, u shpreh Presidenti Ivanov gjatë deklarimit për media, pas takimit.
Presidenti Ivanov u shpreh, gjithashtu, se “rruga drejt Bashkimit Evropian është në fakt diçka që ndryshon realitetin tonë. Të gjithë e njohin të kaluarën që kemi pasur të gjithë ne që kemi jetuar në Ballkan, por është hera e parë që po ndodh diçka e cila na bashkon për të ardhmen. E ardhmja evropiane është ajo që na detyron që aktualisht ne të punojmë në plotësimin e kritereve dhe standardeve evropiane.”
“Duke qenë të përkushtuar ndaj axhendës evropiane, ne e ngushtojmë hapësirën për ata që i duan të keqen këtij rajoni”, tha ai.
Lidhur me këtë, Presidenti Ivanov theksoi rëndësinë e kontributit që duhet të kenë edhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, por edhe maqedonasit që jetojnë në Shqipëri, sepse jetojmë në një kohë kur nuk mund të bllokohet komunikimi apo interesi i njerëzve. “Brezit të ri duhet t’i japim edhe një infrastrukturë të re, rrugë të reja, kabllo optike të reja, gazsjellës të ri e kështu me radhë. Kjo është ajo që i detyrohemi brezit të ri. Ata thjesht do të na kujtojnë nga ajo që ne do të bëjmë sot”, u shpreh Presidenti Ivanov. (Makedonium)