-Të vetëdijshëm për vlerat e jashtëzakonshme natyrore, kulturore dhe ekonomike të rajonit Ohër – Prespë, Republika e Shqipërisë po bën përpjekje dhe ka luajtur një rol aktiv në aktivitetet e ndryshme dhe projektet për mbrojtjen integrale dhe zhvillimin e
qëndrueshëm të rajonit. Gatishmëria për mbrojtjen integrale dhe zhvillimin e qëndrueshëm duke promovuar mirëqenien socio – ekonomike dhe kulturore të komuniteteve lokale në rajon është përcaktuar në marrëveshjen trepalëshe për rajonin e Prespës, të nënshkruar në vitin 2010 nga të tre vendet fqinje: Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia, si dhe në marrëveshjen bilaterale për Liqenin e Ohrit dhe të pellgut ujëmbledhës të nënshkruar nga qeveritë shqiptare dhe maqedonase në vitin 2004 dhe ratifikuar nga të dy parlamentet në vitin 2005.
-Në vazhdim të këtyre përpjekjeve krijimi i një Rezerve Ndërkufitare Biosfere (RNB) në përputhje me Programin “Njeriu dhe Biosfera” (MAB) të UNESCO-s. Konsiderohet si kuadri më i përshtatshëm territorial për të përshtatur iniciativat ekzistuese dhe ato të ardhshme në lidhje me zhvillimin rajonal duke integruar ruajtjen e biodiversitetit dhe mirëqenien social-ekonomike të rajonit Ohër-Prespë dhe të komuniteteve të saj lokale, si dhe promovimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor dhe iniciativave mjedisore edukative.
Aktivitetet e para për fillimin e proçedurës për caktimin e RNB sipas Programit MAB të UNESCO-s filluan në kuadër të bashkëpunimit financiar të Gjermanisë me Maqedoninë dhe me Shqipërinë, përmes projektit “Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespa”, financuar nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillimin nëpërmjet Bankës gjermane për Rindërtim (KfW). Konferenca e parë Ndërkombëtare Rajonale për “Mbrojtjen e integruar të Rajonit Ndërkufitar të Prespës, për krijimin e një rezerve biosfere trepalëshe në Liqenin e Prespës” u
organizua në Ohër në shkurt 2011, në kuadër të projektit të KfW për Parkun Kombëtar të Galicicës, Maqedoni me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit të
Maqedonisë dhe Zyrës së UNESCO-s në Venecia.
Në vazhdim të aktiviteteve të realizuara, ekipi i projektit të KfW “Mbështetja për Pyllin Kombëtar të Prespës, Shqipëri”, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave gjatë vitit 2012 ka vazhduar përpjekjet për mbështetjen hapave të mëtejshëm të proçesit për nominimin e RNB “Baseni Ohër – Prespë”. Në të tre vendet janë mbajtur takime të shumta me palët e interesuara, në veçanti me organet menaxhuese të zonave të mbrojtura, me drejtuesit e njësive të qeverisjes lokale, komunave e bashkive të rajonit, drejtuesit e institucioneve për menaxhimin e pyjeve, organizatave jo-qeveritare dhe Ministrive të Mjedisit shqiptare dhe maqedonase, si dhe autoriteteve kombëtare të UNESCO-s.
Mbështetja e gjerë e ofruar nga të gjitha institucionet e përmendura më lart çoi në finalizimin e “Deklaratës së e angazhimit për krijimin e Rezervës Ndërkufitare të
Biosferës Ohër – Prespë në kuadër të Programit MAB të UNESCO-s”, që u nënshkrua më 2 Tetor 2012 nga Ministrat Shqiptarë dhe Maqedonas të Ministrive të
Mjedisit dhe kryetarët e komunave dhe bashkive të pellgut ujëmbledhës Ohër -Prespë dhe drejtorët e zonave të mbrojtura dhe të institucioneve pyjore në territorin e RNB të propozuar.
-Angazhimi i shprehur mundësoi vazhdimin e iniciativës në fillimin e procedurave për përgatitjen e dokumenteve të nominimit. Për shkak të mos angazhimit të institucioneve të Greqisë, proçesi ka filluar duke u bazuar në marrëveshjen dypalëshe, por duke mbajtur të hapur mundësinë e përfshirjes së pjesës greke në
të ardhmen. Proçesi i përgjithshëm për krijimin e RNB koordinohet dhe udhëhiqet nga Sekretariati i Komitetit dypalësh të Menaxhimit të Basenit të Liqenit të Ohrit, që
është pjesë e Ministrive të Mjedisit të të dy vendeve, me financimin e projektit të KfW të Pyllit Kombëtar të Prespës dhe me mbështetjen dhe udhëheqjen e Zyrës së Venecias të UNESCO-s, Sekretariatit MAB në Paris si dhe të Komisioneve Kombëtare të UNESCO-s në Maqedoni dhe Shqipëri. Komiteti i Menaxhimit të Basenit të Liqenit të Ohrit është identifikuar si platforma e duhur për të ndërtuar institucionin e menaxhimit të RNB të ardhme.Forma dhe përmbajtja e dokumenteve të nevojshëm për nominimin e RNB janë përcaktuar nga Autoriteti i UNESCO-s. Përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve konkrete për nominimin e RNB dhe hartimin e dokumentit të nominimit për RNB “Baseni Ohër – Prespë” është grupi i punës i përbërë nga drejtuesit e projektit të KfW “Mbështetje për Pyllin Kombëtar të Prespës në Shqipëri”, nga ekspertë ndërkombëtarë dhe nga rajoni Shqipëri e Maqedoni, dhe nga Sekretariati për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit. Aktualisht ka përfunduar hartimi i përmbledhjes së Dokumentit të Nominimit, i cili do t’i paraqitet së shpejti për miratim Komisioneve Kombëtare të UNESCO-s dhe partnerëve të projektit në të dy vendet, si dhe janë përgatitur dokumentet dhe anekset e detyrueshme. Proçesi i hartimit të Dokumentit të Nominimit është në përputhje me përqasjen me pjesëmarrje për të realizuar hartimin e dokumentit nëpërmjet konsultimit, mbledhjeve e workshopeve me të gjithë partnerët kyç.
Konkluzionet e mbledhjeve dhe workshopeve dhe promovimi i aktiviteteve të RNB u janë komunikuar grupeve të aktorëve të synuar, në përputhje me Strategjinë e Komunikimit për RNB “Baseni Ohër – Prespë” të hartuar në Qershor 2012 dhe të përditësuar në Mars 2013. Për të forcuar kooperimin midis partnerëve të ndryshëm,
ndërgjegjësimin publik dhe transferimin e njohurive për periudhën në vazhdim janë planifikuar të realizohen dy udhëtime studimore. Udhëtimi i parë studimor do të organizohet me përfaqësues të medias dhe drejtuesit e parqeve kombëtarë për të vizituar zonat e mbrojtura në rajon, ndërsa udhëtimi i dytë do të organizohet me drejtuesit e pushtetit vendor të të dy vendeve për të vizituar RNB të krijuara më parë
në Evropë. Dokumenti final i nominimit pritet të përfundojë dhe të firmoset nga autoritetet përgjegjëse shqiptare e maqedonase në fillim të muajit shtator 2013
.
Dokumenti i përbashkët i nominimit do t’ju paraqitet autoriteteve përgjegjës të
UNESCO-s në Paris në fund të shtatorit 2013 nga Komisionet Kombëtare të
UNESCO-s të Shqipërisë e Maqedonisë. -Përfitimet nga krijimi i RNB “Baseni Ohër – Prespë” janë të shumëfishta si: përmirësimi i nivelit të jetesës të popullatave lokale
nga zbatimi korrekt i konceptit të rezervës të biosferës; përmirësimi i lidhjeve të zonave të mbrojtura ekzistuese në të tre vendet fqinjë nëpërmjet adoptimit të praktikave të përbashkëta të menaxhimit dhe nismave të përbashkëta; forcimi i menaxhimit të ekosistemeve të ndryshëm ujorë e tokësorë nëpërmjet adoptimit të një plani të përbashkët menaxhimi për rezervën ndërkufitare të biosferës; adoptimi i një marke të përbashkët e cila do të reflektojë identitetin e rezervës ndërkufitare të biosferës dhe do t’ju japë një vlerë të shtuar produkteve dhe shërbimeve lokale;
ofrimi i platformave të kooperimit për institucionet e ndryshme partnere (Bashkitë, universitetet, qendrat, etj.) si dhe OJF-të dhe komunitetet lokale; shërbimi si “rajone
model” për zbatimin e praktikave të reja të zhvillimit të qëndrueshëm (p.sh. planifikimi lokal i energjisë së qëndrueshme, turizmi i qëndrueshëm në zonat e
mbrojtura); koordinimi i kërkesave për mbështetje ndërkombëtare dhe ofrimi i mundësive të reja për të nxitur aktivitetet në rrjet. Adoptimi i këtyre vlerave është çështje e zgjedhjes sonë.
Marrë nga gazeta Korca