Ervin Nikolla: Kontributi i babait tim Fote Nikolla në mësimin e gjuhës maqedonase

Në konferencën shkencore “80 vjet arsim në gjuhën amtare maqedonase në Shqipëri”, e cila u mbajt në Korçë, Ervin Nikolla foli për kontributin e babait të tij Fote Nikolla për mësimin e gjuhës maqedonase në Shqipëri.

Më poshtë sjellim fjalën e tij:

Të nderuar pjesëmarrës, së pari faleminderit që më jepni mundësinë që në këtë përvjetor të 80-të të arsimit në gjuhën maqedonase, të them dy fjalë për tim atë, Foto Nikollën, njeriun modest dhe punëtor. Ai nuk jeton më fizikisht, por është i gjallë në faqe librash dhe kujtimet e atyre që e kanë njohur, sepse jetën e tij ia dedikoi arsimit, informimit dhe teksteve për njerëzit e Prespës dhe të gjithë minoritetit maqedonas, të cilit edhe unë dhe fëmijët e mi i përkasim.

Jam rritur në një shtëpi të mbushur me libra, duke dëgjuar rrahjen e gërmave maqedonase nga një makinë shkrimi që edhe sot e ruaj me fanatizëm. Jam rritur duke parë tim atë të kërrusej teksa shkruante me orë të tëra, mbi fletë që kutërbonin erë karboni dhe plumbi, sepse e tillë ishte teknologjia. Im atë Foto dhe makina e tij e shkrimit, im atë dhe programi radiofonik, ishin binomet që shoqëruan ditët e mia për më shumë se një dekadë. Nuk më bezdisi kurrë vendosmëria dhe përkushtimi, sepse im atë nuk mund të ishte ndryshe. Aroma e librave të sapoprintuar, që shpesh i sillte edhe vetë nga Tirana, përkthehej me gëzimin e një pune të mbaruar, që kishte dashur shumë impenjim dhe mund. Unë e dua maqedonishten edhe për shkak të dedikimit të tij. Jam ndier krenar që zëri i cili përcillte lajmet në gjuhën maqedonase në Radio Korca, ishte zëri i babait tim.

Sot ndihem krenar që në këtë përvjetor të 80-të të arsimit në gjuhën amtare maqedonase, vij si pasuesi i një njeriu që maqedonishten dhe njerëzit e minoritetit, i donte pa kushte. Jam krenar për çdo gërmë që ka shkruar, për çdo libër shkollor, por edhe për shumë botime të tjera, ku do të veçoja: “Krijues letrarë nga minoriteti maqedonas në Shqipëri”, botuar në maqedonisht dhe shqip, por edhe përkushtimin për ribotimin e fjalorit shqip-maqedonisht të Nikolla Berovskit.

Shumë nga artikujt e tij për arsimin, folklorin dhe traditat e maqedonasve në Shqipëri i ruaj me fanatizëm. I mbaj mend si sot ditët e themelimit të partisë që sot njihet si Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian; përkushtimin dhe vendosmërinë e tim ati dhe miqve të tij që mblidheshin edhe në shtëpinë tonë duke hartuar programin.

Në dekadën e fundit të punës, im atë ishte anëtar i Komitetit të minoriteteve pranë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, si kurorëzim i një jete dedikuar njerëzve të tij. Unë jam nga Shulini, i biri i Fotos dhe nipi i Bogdanit dhe jam krenar për gjuhën dhe minoritetin, të cilit i përkas.

Faleminderit.

©Makedonium