Në Pustec u promovuan kostumet kombëtare maqedonase nga Prespa

Në gjimnazin “Mitre Kolefski dhe Trajan Gjorgjiefski” në Pustec u prezantua projektit “Krijimi i kostumeve tradicionale të pakicës kombëtare maqedonase nga zona e Prespës”, organizuar nga Shoqata Maqedonase “Sonce”, me mbështetjen e Komitetit për Pakicat Kombëtare.

Të pranishmit u mahnitën nga kostumet e bukura të përpunuara nga Prespa e Poshtme dhe e Sipërme, si dhe nga versionet unike miniaturale, të përpunuara nga kostumografja e njohur nga Korça, Lirika Pojani. Përveç kësaj, u promovua edhe broshura dygjuhëshe, e përgatitur nga Vasil Sterjovski, e cila ofron një pamje të detajuar të historisë së kostumeve maqedonase të Prespës në gjuhën shqipe dhe maqedonase.

Sterjovski, i cili është autor i broshurës dygjuhëshe, në gjuhën shqipe dhe maqedonase, për kostumin popullor maqedonas nga Prespa, falenderoi Komitetin për Pakicat Kombëtare për mbështetjen e këtij projekti dhe ndër të tjera, tha se ata “me krenari prezantojnë këtë arritje për identitetin tonë maqedonas”.

– Veshjet popullore të Prespës janë pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme dhe festive të maqedonasve, që nga dasmat dhe pagëzimet e deri te festat e mëdha fetare dhe kombëtare. Çdo qëndisje, çdo motiv, çdo detaj i këtyre kostumeve mbart një histori, tregon historinë e të parëve tanë dhe ruan kujtesën e brezave që jetuan dhe ruajtën këtë trashëgimi të pasur kulturore për të ardhmen. Me shpërndarjen e broshurës për veshjet popullore maqedonase nga Prespa, me përshkrim dhe fotografi, synimi ynë është të edukojmë dhe informojmë publikun për historinë dhe rëndësinë kulturore të veshjes tradicionale maqedonase në zonën e Prespës, por edhe të shërbejë si një burim i vlefshëm për studentët, studiuesit dhe të interesuarit për kulturën maqedonase, theksoi Sterjovski.

Në këtë aktivitet ishtin të pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, At Alekso Themelko, nga kisha në Pustec, Drejtori i shkollës së mesme në Pustec, Trajan Vangjelofski, Marjana Felah, anëtare e Komitetit për Pakicat Kombëtare, si dhe Eftim Mitrevski, redaktor i Gazetës “Prespa”, të cilët shprehën mirënjohje, siç thanë ata, për këtë aktivitet që synon ruajtjen e një segmenti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore maqedonase, duke theksuar bukurinë e veshjes popullore që e përcjell komunitetin maqedonas brez pas brezi.

Si shenjë mirënjohjeje, disa institucione të rëndësishme në Pustec, përfshirë Bashkinë, gjimnazin, kishën “Shën Mihaili dhe Gavrili”, qendrën shëndetësore dhe muzeun etnografik të Spase Terpos, i’u shpërndan këto vepra arti në miniaturë që do të përcjellin frymën e traditës maqedonase për brezat e ardhshëm.

Aktivitet për promovimin e kostumeve popullore maqedonase nga Prespa u mbajt edhe në Korçë më 7 shtator.

©Makedonium