AMIE: Qeveria shqiptare të ndalojë fondacionin “Kujtesa Bullgare” në Shqipëri

Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) i dërgon reagimin më të ashpër qeverisë shqiptare, e cila me mosveprimin e saj lejon fondacionin “Kujtesa Bullgare” nga Bullgaria të përhapë pa pengesa propagandën e tij në rajonet ku jetojnë maqedonasit në Shqipëri.

Shembulli i fundit për këtë është dhurimi i ambulancës modulare në fshatin Glloboçeni, Bashkia Pustec. Ndërsa nuk jemi kundër donacioneve që përmirësojnë jetën e komunitetit maqedonas, jemi të zemëruar sepse ky fondacion i përdor këto aktivitete për të manipuluar faktet historike dhe për t’i paraqitur maqedonasit si bullgarë.

Qeveria shqiptare ka detyrimin të investojë në rajonet ku jetojnë maqedonasit në Shqipëri dhe të mbrojë të drejtat dhe identitetin tonë nga agresioni bullgar. Çdo heshtje për këtë situatë është lejë për të vazhduar propagandën bullgare, e cila është e papranueshme dhe e dëmshme për komunitetin maqedonas.

Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian u bën thirrje edhe një herë institucioneve në Shqipëri që të marrin masa konkrete për mbrojtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore maqedonase. Është e papranueshme që komuniteti maqedonas të ekspozohet ndaj manipulimeve dhe presioneve nga fondacionet me motive të fshehura politike.

Të gjitha donacionet që synojnë të përmirësojnë jetën e maqedonasve janë të mirëseardhura, por ne kurrë nuk do të pranojmë që ato të përdoren për të promovuar narrativa të rreme. Është koha që qeveria shqiptare të forcojë praninë dhe investimet e saj në rajonet e banuara me maqedonas, si një sinjal i qartë se maqedonasit në Shqipëri janë pjesë e shtetit dhe se të drejtat dhe identiteti i tyre do të mbrohen.

Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i kushtojë vëmendje këtyre tendencave të rrezikshme dhe të bëjë presion ndaj qeverisë shqiptare për të parandaluar ndikimin e propagandës bullgare që synon të shkatërrojë identitetin e maqedonasve në Shqipëri.

©Makedonium