Rudina Hoxha
Interviste e ambasadorit maqedonas në Shqipëri, Vele Trpevski për “Gazeta Shqiptare”.
Ambasadori i Maqedonisë në Tiranë, Vele Trpevski nuk mund ta fshehë entuziazmin e tij kësaj here. Dhe ka arsye. Shumë projekte, disa të realizuara dhe disa të tjera në fazën finale, një forum biznezi midis dy vendeve tepër i suksesshëm, marrëdhënie dypalëshe që nuk fokusohen më vetëm në politikë siç ndodhte 20 vite të shkuara por edhe në ekonomi, mirëqënie e praktika të suksesshme dhe një ‘shpërthim’ i pritshëm i mundësive turistike që më së shumti kanë si pika reference – Ohrin dhe Prespën. “Projekti ynë më i fundit që është duke u finalizuar pas 10 vite diskutimesh është vendosja e linjës me varkë nga Ohri në Pogradec”, – thotë Trpevski për “Gazeta Shqiptare” që deri më tani ka kryer 500 takime me biznesmenë shqipëtarë e maqedonas për të promovuar bashkëpunimin ekonomik.
Z. Ambasador, ju lutem, le ta fillojmë nga ajo që është më e freskëta: Forumi Invest Maqedoni-Shqipëri që u mbajt më 22 Maj 2013 në Tiranë. Çfarë u arrit dhe si do të ndikojnë rezultatet e këtij forumi në marëdhëniet dypalëshe?
Promovimi i marëdhënieve ekonomike dhe përmirësimi i tregtisë ka qënë gjithmonë një nga prioritetet kryesore në axhendën e ambasadës maqedonase në Tiranë. Është pjesë e një orientimi strategjik të qeverisë maqedonase për të tërhequr Greenfield Investments dhe promovuar eksportin. Në dy vite e gjysmë që po shërbej në Shqipëri, kam kryer të paktën 500 takime me biznesmenë shqiptarë si dhe me përfaqësues nga sektorë të ndryshëm nga të dyja vendet me qëllim gjetjen e rrugëve më të mira për promovimin e lidhjeve ekonomike. Ky mision është ndihmuar fort nga marrëdhëniet tona të mira politike. Dy vendet karakterizohen nga një nivel i lartë marrëdhëniesh politike. Po të kemi parasysh vizitat dypalëshe apo marrëveshjet e nënshkruara, mund të arrijmë në përfundimin se dy vendet tona janë në rrugë të mbarë. Në këto dy vite e gjysmë, ne kemi rritur volumin e tregtisë dypalëshe me 25 % në krahasim me 2009. Siç e theksoi edhe ky Forum, Shqipëria dhe Maqedonia duhet të përpiqen më shumë me qëllim rritjen e volumit total të tregtisë nga 90 milion euro që është aktualisht në 200 milion euro që është objektivi ynë.
Duke shkuar mbrapa në kohë, shikojmë se Maqedonia ka organizuar disa forume biznesi në Shqipëri. A është bërë ekonomia objektivi kryesor i maqedonasve në Shqipëri?
Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të ngushta. Ne regjistrojmë rreth 40 vizita të përfaqësuesve të nivelit të lartë si përshembull, Presidentët, Kryeministrat, ministrat dhe delegacionet parlamentare, për të mos përmendur komunikimin në nivel ekspertësh çdo vit. Kjo tregon intensitetin e lartë në komunikimin e nivelit të lartë. Ky fakt ka përgatitur terrenin për të punuar në fusha të tjera. Dy vendet fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia, përshkohen nga shumë “fije” bashkëpunimi. Në kohë krize, ne menduam se është koha për të shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga tregu ekzistues dhe për të rritur ndikimin tonë në tregjet e reja dhe kjo është detyrë e Ambasadës. Ne po përpiqemi të gjejmë zgjidhje të reja lidhur me investimet. Më tej, përpjekjet tona të përbashkëta po shkojnë drejt hapjes së pikave të reja të përbashkëta të kalimit si ajo e inaguruar majin e kaluar, Xhepisht-Trebisht. Kjo e fundit është si pika e përbashkët që Shqipëria ka me Malin e Zi dhe aty forcat policore të Shqipërisë dhe Maqedonisë punojnë së bashku.
Kohë pas kohe, situata e komunitetit etnik shqiptar në Maqedoni del në pah. Në çfarë shkalle, janë respektuar të drejtat e tyre?
Kur vjen puna tek komunitetet etnike, Maqedonia është shembulli kryesor i një vendi ku të drejtat e këtyre komuniteteve dhe integrimi i plotë i tyre respektohen plotësisht. Si provë të kësaj, është e rëndësishme të shihen raportet pozitive të BE-së për Maqedoninë në 4 vite me radhë. Pjesë e kritereve për t’u plotësuar është padyshim edhe respektimi i të drejtave të komuniteteve etnike. Marrëdhëniet midis maqedonasve dhe komunitetit etnik shqiptar bazohen në ligje, marrëveshje dhe parime. Faktori shqiptar përfaqësohet në nivel politik; ai është i pranishëm në Parlament dhe në të gjitha institucionet. Ky është treguesi më i mirë i statusit të komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë. Prandaj ne duam që komuniteti maqedonas në Shqipëri të gëzojë të njëjtat të drejta. Pikë së pari, ne duam njohjen e komunitetit maqedonas në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe jo vetëm në zonën e Pustecit në rajonin e Korçës. Pavarësisht se ku jeton ky komunitet, ne duam që ai të njihet dhe të gëzojë të njejtat përfitime si maqedonasit nga Pusteci si përshembull të studiojë gjuhën maqedonase. Gjithashtu ne do të vlerësonim hapjen e një katedre të gjuhës maqedonase në Universitetin e Tiranës sepse nevoja për folës profesionalë maqedonas është e madhe. Nga ana tjetër, ne shpresojmë sinqerisht që të drejtat dhe kërkesat e komunitetit maqedonas në Shqipëri do të përfaqësohen së shpejti nga një deputet në Parlamentin shqiptar.
Pra, ju po thoni se komuniteti etnik shqiptar nuk ka asnjë ankesë?
Siç e thashë, Maqedonia ka një sistem shumë funksional kur bëhet fjalë për komunitetet etnike. Padyshim ka mënyra për të përmirësuar më tej këtë aspekt në të dyja vendet tona por ky është një proces në vazhdim. Avokatët më të mirë të komunitetit shqipëtar në Maqedoni janë përfaqësuesit e tyre politikë në Parlamentin maqedonas dhe shpresoj se komuniteti maqedonas në Shqipëri do të prezantohet së shpejti në Parlamentin shqiptar.
A mund të flasim për projekte të reja gati për t’u zbatuar midis dy vendeve?
Majin e kaluar, ne filluam më në fund ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 KË midis Bitolës dhe Elbasanit. Maqedonia dha 56 milion euro për këtë projekt që do të ndihmojë në stabilizimin e sistemit të energjisë. Të dy vendet sapo kanë hapur pikën e pestë të përbashkët të kalimit. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunimin e përbashkët në kontekstin e integrimit europian; një marrëveshje tjetër për kalimin e kufirit vetëm me një mjet identifikimi. Muajin e kaluar, një marëveshje dypalëshe u nënshkrua midis agjensive respektive të promovimit të investimeve. Marrëveshje të tjera janë drejt finalizimit sa i përket mbrojtjes së Liqenit të Prespës, rajonit të Ohrit e të tjera. Të dy palët po përdorin dendur fondet e IPA-s përsa i përket bashkëpunimit ndërkufitar. Në Tetor, ne presim të nënshkruajmë me palën shqiptare një program kulturor dhe arsimor. Siç mund ta shihni, shumë po ngjet në të gjitha sektorët.
Sa interes ka Maqedonia në promovimin e turizmit bilateral?
Shumë në fakt. Në Nëntor të 2011, ne organizuam një udhëtim të 15 gazetarëve shqiptarë dhe 15 operatorëve turistikë më të mirë shqiptarë për të parë mundësitë dhe potencialet e turizmit në Maqedoni. Arritën në përfundimin se interesi është i madh sidomos për turizmin dimëror dhe zonën e Ohrit. Organizuam të njëjtën gjë në 2012 dhe do të ndjekim këtë praktikë edhe në 2013. Udhëtime të tilla shfrytëzojnë mundësitë turistike dhe rezultojnë në paketa tërheqëse për turistët e të dyja vendeve. Ne do të qëndrojmë në këtë fushë sepse shohim se të dy vendet tona kanë mundësi të mëdha. Siç e keni vënë re, turistët maqedonas po vërshojnë në brigjet shqiptare këto vitet e fundit. Ato po preferojnë të blejnë apartamente në Shqipëri gjithashtu. Sidomos nga Vlora e poshtë. Gjithashtu, në Mavrov në Maqedoni, rreth 50 % e kapaciteteve zihen nga turistë shqipëtarë. Është e rëndësishme të nënvizosh se projekti ynë më i fundit që është duke u finalizuar pas 10 vite diskutimesh është vendosja e linjës me varkë nga Ohri në Pogradec. Kjo ide u kristalizua pas 10 vite diskutimesh.
Pra 2013 tingëllon një vit i begatë për Maqedoninë dhe Shqipërinë?
Në fakt ashtu është. Në 20 vitet e fundit të marrëdhënieve tona zyrtare, ne kemi bërë një përpjekje të madhe për ndërtimin e tyre. Nëse 20 vite më parë, diskutimet midis delegacioneve respektive përqëndroheshin vetëm në çështjet politike, sot, rreth 90% e asaj që diskutohet është për ekonominë, mirëqënien dhe praktikat më të mira. Sot ne flasim dhe diskutojmë hapur dhe lirshëm për gjithçka. Kjo metodë ka krijuar besim dhe kjo e fundit ka çuar në rezultate pozitive. Nëse krijohet një marrëdhënie e hapur, çdo gjë mund të arrihet