Në emër të partive të komunitetit maqedonas, arumun, egjiptian dhe rrom në Shqipëri, veçanërisht partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane dhe partia për Europianizim dhe Integrim e Shqipërisë, dëshirojmë të shprehim zhgënjimin tonë të thellë dhe indinjatën ndaj vendimit të parlamentit për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor pa marrë parasysh kërkesat e drejta të minoriteteve për vende të garantuara në parlament.
Ky vendim, i cili u mbështet nga mazhoranca dhe një pjesë e opozitës, është një goditje e rëndë për demokracinë dhe barazinë në vendin tonë. Kërkesa jonë për vende të garantuara në parlament nuk ishte vetëm një kërkesë e arsyeshme, por edhe një domosdoshmëri për të siguruar një përfaqësim të drejtë dhe të barabartë për të gjitha komunitetet në Shqipëri.
Komiteti Këshillimor për Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Europës, në Opinionin e tij të pestë për Shqipërinë të publikuar në vitin 2023, rekomandonte fuqishëm që vendi ynë të krijojë politika pozitive për përfaqësimin e minoriteteve me vende të garantuara në parlament. Injorimi i këtij rekomandimi është një tregues i qartë i mungesës së vullnetit për të ndjekur standardet europiane dhe për të përmirësuar demokracinë në vend.
Sistemi zgjedhor aktual, proporcional rajonal, është diskriminues dhe nuk garanton përfaqësim të drejtë për minoritetet. Shpërndarja gjeografike e minoriteteve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë bën të vështirë përfaqësimin efektiv të interesave të tyre në parlament.
Minoritetet janë pasuri e një vendi dhe përmbushja e detyrimeve ndaj tyre është një kriter kyç për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përfaqësimi i minoriteteve në parlament do të përmirësonte përfaqësimin demokratik dhe do të tregonte angazhimin e vendit tonë ndaj standardeve europiane për mbrojtjen e minoriteteve.
Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona dhe për një sistem zgjedhor që garanton përfaqësim të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë deri sa vendi ynë të përmbushë standardet evropiane dhe të garantojë përfaqësimin e minoriteteve në parlament.
Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE)
Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane (ABDE)
Partia për Europianizim dhe Integrim e Shqipërisë (PEISH)