Peshkatarët e Pustecit kërkojnë pikë grumbullimi: Tregtarët abuzojnë me shitjen e krapit të Prespës

Në bashkinë e Pustecit janë 50 peshkatarë të licensuar të cilët peshkojnë çdo ditë në ujërat e liqenit të Prespës.

Kërkesa e tyre e vazhdueshme ka qenë ngritja e dy vendgrumbullimeve të sasisë së peshkuar edhe për ta tregtuar si markë të liqenit të tyre pasi sipas peshkatarëve, me krapin e Prespës abuzohet nga tregtarë të rretheve të ndryshme.

Todi Jono nga fshati Pustec thotë se shoqata ka kërkuar ngritjen e dy stacioneve të grumbulllit të peshkut në fshatrat Kallams dhe Pustec.

Shoqata ka të pamundur me fondet e saj ngritjen e këtyre stacioneve, ndaj ka kërkuar mbështetjen e bashkisë.

Kryetari i bashkisë Pustec, Pali Kolefski ka bërë me dije se pas kërkesës së shoqatës së peshkimit ka kërkuar mbështetjen financiare të Ministrisë së Bujqësisë për ngritjen e këtyre dy stacioneve.

Një kërkesë të tillë e kanë edhe shoqata e peshkatarëve të Pogradecit të cilët në të shumtën e rasteve sasinë e peshkut e shesin në kushte ambulatore.

©Makedonium