Fjala përshëndetëse e ambasadorit maqedonas në Tiranë, Danço Markovski, në ceremoninë në Universitetin e Tiranës me rastin e rivitalizimit të Lektoratit të gjuhës maqedonase.
I nderuar Rektor Artan Hoxha
E nderuara Rektore Biljana Angelova
E nderuara dekane Esmeralda Kromidha
E nderuara drejtoreshë e Institutit Ndërkombëtar për Gjuhën Maqedonase, Kristina Nikolovska
E nderuara lektore Slavica Sviderska
Më lejoni që në fillim të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për dekanen Prof. Dr. Esmeralda Kromidha dhe prodekanen për bashkëpunim ndërkombëtar Prof. Dr. Drita Rira, të cilët u përfshinë plotësisht në realizimin e iniciativës për rivitalizimin e Lektoratit në gjuhën maqedonase. Të nderuar profesorë, faleminderit.
Ceremonia e sotme e hapjes zyrtare të Lektoratit në gjuhën maqedonase në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës ka një rëndësi të shumëanshme në marrëdhëniet e përgjithshme maqedono-shqiptare. Krijimi i këtij segmenti edukativo-shkencor në kuadër të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja nënkupton edhe krijimin e një selie shumë të rëndësishme kulturore dhe sociale që ofron një sërë mundësish.
Para së gjithash, Lektorati do të kënaqë interesin e pakicës kombëtare maqedonase në Shqipëri për të studiuar gjuhën e tyre amtare maqedonase në një institucion arsimor të lartë dhe nëpërmjet saj të ushqejë kulturën dhe veçantinë e saj kombëtare.
Së dyti, të mundësohet krijimi i kuadrove në fushën e edukimit dhe të përkthimit. Një gjendje që aktualisht është shumë e dobët.
Nga një këndvështrim më i gjerë, puna e suksesshme e Lektoratit do të ketë një aspekt pozitiv në fushën e bashkëpunimit dypalësh ekonomik, nëse merret parasysh prania e vazhdueshme e kompanive në tregjet e të dy vendeve. Nevoja për staf me njohuri të gjuhës maqedonase në kontaktet e kompanive shqiptare me partnerë në Maqedoninë e Veriut, apo në fushën e turizmit si guidë turistike përgjatë bregdetit shqiptar, janë vetëm një pjesë e mundësive që jam i bindur se studentët shqiptarë do gjejnë interes.
Unë sinqerisht shpresoj se hapja e Lektoratit do të jetë një impuls i ri në bashkëpunimin mes Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” nga Shkupi dhe Universiteti i Tiranës, si institucionet më të vjetra arsimore. Kjo për shkak të marrëdhënieve të zhvilluara mes dy vendeve mike.
Faleminderit.
©Makedonium