“Faktoje”: Presione dhe rryshfet për minoritetin maqedonas – institucionet bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh

Qendra mediatike “Faktoje”, e cila merret me verifikimin e fakteve duke vlerësuar deklaratat e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, ka publikuar një tekst të gjerë për “betejën bullgare në Pustec”, ku pas verifikimit të fakteve rreth akuzave të kryetarit të AMIE-së dhe ish-deputeti, Vasil Sterjovski, i vlerëson si të vërteta.

Censi dhe “beteja” bullgare në Pustec

Presione dhe rryshfet për minoritetin maqedonas – institucionet bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh

Fushëbeteja e fundit e përplasjes historike mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duket se u zhvillua në fshatin e bukur të Pustecit. Denoncimi i ish-deputetit të parlamentit shqiptar, Vasil Sterjovski për ndërhyrje dhe presion që vjen nga Bullgaria për të krijuar artificialisht një minoritet atje, pavarësisht fakteve publike, deri tani është injoruar nga autoritetet shqiptare, pavarësisht dyshimit që bie mbi integritetin e procesit dhe vërtetësinë e informacioneve të dhëna nga qytetarët e vënë nën presion.

Jona Plumbi

Nisja e procesit të mbledhjes së të dhënave të qytetarëve në kuadër të censit që u zhvillua nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë, riktheu në vëmendje fenomenin e marrjes së pasaportave Bullgare.

Ish-deputeti i parlamentit të Shqipërisë, Vasil Sterjovski, kryetar i partisë “Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian”, denoncoi ndërhyrjen e ardhur nga Bullgaria ndaj këtij minoriteti me qëllim që të deklarohen si bullgarë në Censusin 2023.

AKUZA

Në tetor të 2023-shit Shqipëria nisi procesin e Censit, gjatë të cilit instituti i Statistikave bën mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave të popullsisë, për të publikuar më pas statistika demografike, ekonomike etj.

Pjesë e këtij procesi është edhe deklarimi i etnisë, që bëhet në bazë vetëdeklarimi. Pikërisht këtu ushtrohet presion tek qytetarët në fshatra ku ka shumicë minoritare maqedonase, sipas ish-deputetit Sterjovski.

“E dinim që këtë rradhë Bullgaria do përdorte të vetmin instrument, që janë pasaportat, që njerëzit të vetëdeklarohen bullgarë”. – deklaron Sterovski duke pretenduar se “që kur ka filluar procesi i censusit, madje edhe që një javë më parë, nga ambasada bullgare po marrin në telefon ata persona që kanë aplikuar për pasaportë dhe i kërkojnë të deklarohen në census si bullgarë dhe që flasin bullgarisht, në të kundërt do t’u ndërpritet procedura e marrjes së pasaportës”.

NDËRHYRJE E HAPUR ZYRTARE

Për të kuptuar ndërhyrjen e pretenduar ndaj minoritetit maqedonas në Pustec dhe jo vetëm, Faktoje bëri një verifikim të denoncimit të ish-deputetit Sterjovski, duke u nisur nga informacioni i mbledhur prej tij.

“Prej nisjes së censusit ambasadori bullgar nisi të vizitoj zonat ku ka minoritet maqedonas. Ditën e dytë të censusit vajtën në Gollobordë për të shpërndarë dhurata. Bënë fushatë haptazi në ditën e dytë të censusit.” – denoncon Sterovski.

Në 15 shtator, tre ditë përpara nisjes së procesit të censusit, në Shqipëri erdhi për vizitë zyrtare Zv.Presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova e cila është takuar me presidentin shqiptar, kryetaren e Kuvendit, zv.kryeministren Belinda Balluku dhe ministrin e brendshëm Taulant Balla.

Në publikimin e saj në rrjetin social Facebook, zv.Presidentja Bullgare tregon se “ka marrë garanci nga niveli më i lartë se regjistrimi kombëtar i popullsisë në Shqipëri do të bëhet sipas standardeve më të larta europiane, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve etnike, përfshi atë bullgar”.

“Sfidë” e quajti zv.presidentja bullgare zhvillimin e censit në Shqipëri, proces të cilin tha se Bullgaria do e ndjekë “duke shpresuar se gjithçka të jetë në rregull”.

Gjatë vizitës së saj Zv.Presidentja bullgare udhëtoi edhe drejt zonave të Shqipërisë ku ka minoritet maqedonas, si Golloborda, Ostreni i Madhë dhe Elbasani.

Pjesë e delegacionit shoqërues të presidentes Bullgare, ishte edhe qytetari Spas Tashev. Ky i fundit, ish-këshilltar i qeverisë bullgare, sot nuk mban asnjë post zyrtar.

“Ky person, në 30 Shtator 2023 në faqen e tij në Facebook ka publikuar foto nga formulari i censusit në Shqipëri.” – akuzon ish-deputeti Sterjovski, duke ofruar edhe fotografi të publikimit në fjalë.

Sipas publikimeve të denoncuara nga Sterjovski, shoqëruesi i zv.presidentes Bullgare në takimet në zonat minoritare maqedonase të Shqipërisë, Spas Tashev ka shpërndarë fotografi të përgjigjeve të dhëna nga qytetarë shqiptarë në procesin e Censit 2023, të dhëna që mbrohen me ligj si të dhëna të ndjeshme dhe personale.

“Faleminderit miqve të mi në Shqipëri që më kanë dërguar fotografi nga përgjigjet e censusit që tregojnë se ata janë vetëdeklaruar si bullgarë që flasin gjuhë bullgare.” – lexohet në publikimin e datës 30 shtator, në rrjetin social Facebook.

Ky publikim nuk gjendet më në rrjetin social Facebook.

Ajo që është ende publike në rrjet është një artikull i Spas Tashev sipas të cilit “deklarimi i përkatësisë etnike të bashkëatdhetarëve të tij bullgarë në censusin shqiptar do të varet para së gjithash nga diplomacia bullgare”.

Duke ngritur pretendime për rrezik të ndryshimit të rezultatit real, pretendim ky i mbështetur edhe nga zv.Presidentja Jotova, Sipas Tashev shkruan se “problemi” i regjistrimit të etnisë së popullsisë që jeton në kufijtë e republikës së Shqipërisë u bë i qartë në shkurt të këtij viti, kur INSTAT bëri një testim pilot për regjistrimin e popullsisë.

Tashev, i cili thotë se ka parë rezultatin e këtij testimi pilot, shprehet se “asokohe anëtarët e komisioneve u ndikuan nga Shkupi dhe në rajonin e Prespës së Vogël u regjistrua vetëm një bullgar, megjithëse njerëzit deklaruan para nesh se e kanë shpallur përkatësinë e tyre bullgare”.

Të dhënat që Tashev referon në këtë shkrim nuk janë publikuar nga INSTAT.

KËRCËNIME DHE DHURATA

Një tjetër formë e presionit dhe ndikimit që Sterjovski denoncon se është ushtruar ndaj minoritetit maqedonas është ajo e ndikimit përmes dhuratave dhe kërcënimeve të hapura publike.

“Ditën e nisjes së censit në Shqipëri, Fondacioni Makedonia bëri kërcënime publike ndaj qytetarëve që kanë aplikuar për pasaportë bullgare”. – thotë Sterjovski duke treguar publikimin e ndarë në rrjetin social Facebook nga një individ i quajtur Viktor Stojanov.

Postimi, që është ende publik në rrjetin social Facebook, është vetë-shpjegues. Stojanov publikisht i bën thirrje qytetarëve në Shqipëri që duan të aplikojnë për pasaportë bullgare sipas origjinës, që të deklarohen bullgarë në censusin që ka nisur në 18 Shtator.

Publikimet në rrjetin social facebook të Viktor Stojanov kanë nisur të paktën 1 muaj përpara nisjes së procesit të Censusit në Shqipëri, duke njoftuar se ai do jetë personalisht në Pustec gjatë procesit.


“Ky person është nga ekstremi i djathtë i Bullgarisë, kryetar i fondacionit MAKEDONIJA në Sofje, dhe vitet e fundit kemi pasur shumë probleme me të sidomos në Pustec. Ka ardhur shumë herë, ka bërë incidente me ekstremistë të tjerë të djathtë të partisë ATAKA. Kemi dyshime që mund të jenë edhe nën influencën Ruse sepse shohim që mbështesin hapur Rusinë. Ne këtë person e kemi denoncuar që në fillim para se të fillonte censusi.” – shpjegon Sterjovski duke treguar fotografi të kërcënimeve publike që Sterjovski ka shpërndarë ndaj shqiptarëve që aplikojnë për pasaportë bullgare.

Në shumë raste, në rrjetin social Facebook, Viktor Stojanov u shfaq duke shpërndarë dhurata në zona të Shqipërisë ku pretendohet se ekziston minoriteti bullgar. Datat përkojnë me ato të zhvillimit të censusit në Shqipëri.

Ndër të tjera, Stojanov ka shpërndarë edhe fotografinë e një tableti ku duken pyetjet e censit 2023 dhe përgjigjet e dhëna nga të anketuarit. Në foto, duket tableti i përdorur nga INSTAT për mbledhjen e të dhënave të popullsisë për censin 2023, si dhe pyetja mbi etninë, për të cilën Gëzimi, qytetari që jep përgjigjet, është deklaruar bullgar.

Kjo sipas ish-deputetit Sterjovski shkakton presion të madh tek ata qytetarë të cilët mund të jenë në proces të marrjes së shtetësisë bullgare, të cilët e besojnë se informacionet që japin si përgjigje gjatë anketimit nga INSTAT nuk janë të fshehta dhe “mund të përdoren kundër tyre”.

Kryetari i bashkisë Pal Kolefski deklaron se ky person nuk erdhi në Pustec gjatë censusit.

“E kam parë edhe vetë në rrjete sociale çfarë kishte shkruajtur. Ne e kemi bërë denoncimin për këtë person në Policinë Shqiptare, që gjatë procesit të Censusit ky person nuk duhet të influencojë apo të jetë prezent, të paktën për atë periudhë. Sepse ndikonte keq. Ne e kemi bërë si denoncim në qoftë se mund të vinte por ai nuk u afrua fare këte”j. – tha Pal Kolefski për Faktoje.

Denoncimin për të mos lejuar që Viktor Stojanov të hyjë në Shqipëri gjatë zhvillimit të Censit e ka bërë edhe partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian – njofton Sterjovksi – por ajo nuk u mor parasysh nga autoritetet shqiptare dhe Stojanov hyri i pashqetësuar në Shqipëri.


Besueshmëria ndaj procesit vështirësohet edhe më shumë kur të dhënat e qytetarëve të Pustecit publikohen nga mediat përpara përfundimit të mbledhjes së të dhënave nga INSTAT.

STANDARDI EUROPIAN DHE LIGJI PËR MINORITETET

Të gjitha këto forma presioni, por veçanërisht ajo e “gjetjes me emra” të personave që janë deklaruar apo jo bullgarë në census sjellin shtrembërim të rezultatit sipas Vasil Sterjovskit. Kjo sepse mungesa e besimit në një proces të rregullt dhe të fshehtë të regjistrimit të popullsisë, sjell për pasojë mundësinë e përgjigjeve jo të vërteta.

Në fakt, sipas Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Europës, vetëidentifikimi i lirë në kuadër të regjistrimit të popullsisë dhe proceseve të tjera të mbledhjes së të dhënave, fillon me vendimin e lirë të individit.

Vetëidentifikimi i lirë i një personi mund të vihet në dyshim vetëm në raste të rralla, si për shembull kur nuk bazohet në mirëbesim. – shkruan Konventa e Këshillit të Europës. Dokumenti i KiE vijon duke theksuar se “regjistrimi i vetëidentifikimit në rastin e identitetit të pakicës nuk duhet të imponohet nga jashtë”.
Të dy këto kritere bazë të regjistrimit përmes vetëidentifikimit janë shkelur, thekson Sterjovski.

PRAPAVIJË

Vasil Sterjovski e quan këtë aksion të Bullgarisë si pjesë e strategjisë së saj për asimilimin e minoriteteve maqedonase në rajon në mënyrë artificiale. Provë e kësaj sipas tij është fakti se edhe pse në anketat e INSTAT pyetja për etninë ka qënë gjithmonë me vetëidentifikim, në anketimin e vitit 2011 nuk figuroi asnjë minoritet bullgar në asnjë zonë të Shqipërisë.

Minoriteti bullgar u njoh për herë të parë me ndryshimet që iu bënë ligjit për minoritetet në vitin 2017, në një kohë kur në Shqipëri nuk figuronte asnjë minoritet i tillë. Sipas këtij ligji, çdo zonë që ka 20% të popullsisë pjesë të një grupi minoritar e ka detyrim të përdorë gjuhën e atij minoriteti në shkolla, dokumenta zyrtare, tabela apo njoftime. Kjo është ajo që do të arrijë Bullgaria, sipas Sterjovskit.

E pavarësisht qëllimit dhe strategjisë së zgjedhur nga shteti bullgar, ajo që publikimet në rrjetin social Facebook tregojnë është ndikimi që është ushtruar ndaj banorëve të zonave ku jeton minoriteti maqedonas që të deklarohen si bullgarë në census dhe kërcënimet për mos dhënie apo heqje të shtetësisë bullgare për ata që e kanë fituar këtë të drejtë.

Nisur nga të dhënat publike, denoncimin e ish-deputetit Vasil Sterjovski e vlerësojmë si të vërtetë.

“Faktoje” është një qendër mediatike që merret me verifikimin e fakteve duke vlerësuar deklaratat e zyrtarëve publikë dhe politikanëve. “Faktoje” është e vetmja media kontrolluese e fakteve në Shqipëri që inkurajon dhe promovon llogaridhënien bazuar në të drejtën e informimit dhe transparencës.

https://faktoje.al/censi-dhe-beteja-bullgare-ne-pustec/?fbclid=IwAR2Aqoa4d9r6xID6nPiN9nDq8PwpVDUuP3Uok-E0TJDMkOeyRmhxEwHGNHU