Banorët e komunitetit maqedonas të Bashkisë Pustec këtë vit nuk kanë mundur të sigurojnë drutë e dimrit. Dimri është në prag dhe ata s’kanë ku të gjejnë drutë e zjarrit. Më parë i siguronte bashkia, por tashmë prerjen e druve nuk e lejon Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Dy javë para fillimit zyrtarisht të dimrit banorët e Pustecit kanë dalë në protestë për lëndën drusore. Këtë vit është i pamundur sigurimi i druve të zjarrit si pasojë e kufizimeve të vendosura nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura.
“Ka 10 vjet që ne i merrnim drutë, këtë vit asgjë. Periudha është kritike akoma nuk kemi marrë asnjë dru. Duam të shkojmë të marrim drutë me rregulla”.-tha Cvetko Kitani, kryeplaku i fshatit Leska.
“Na i ka siguruar gjithmonë bashkia, tani na thonë që nuk do drejtoresha e zonave të mbrojtura. Nuk marr dot as një gomar dru, se të zë rojtari i pyllit. Pa dru nuk rrihet jemi vend malor”, tha një tjetër banor.
Protesta u mbajt përpara bashkisë minoritare, pikërisht sot kur pritej vizita e Daniel Pirushit, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Pirushi e anuloi vizitën në Pustec, ndërsa banorët u pritën nga kryebashkiaku, Pali Kolevski i cili mbështeti protestën.
“Mbështes banorët në kërkesën e druve sepse është e drejtë elementare. Ne jemi zonë malore dhe drutë janë të domosdoshme. Që në maj bashkia ka bërë listën e banorëve për kërkesat e mundshme se sa dru zjarri mund të duhen për dimër. Kemi bërë kërkesën pranë Agjencisë së Zonave të Mbrojtura. Ne menduam se do zgjidhej si vitet e kaluara, nëpërmjet punimeve përmirësuese. Vitet e kaluara ne siguronim drutë nëpërmjet punimeve përmirësuese sepse në zonat e mbrojtura nuk lejohet prerja e druve. Ne kemi propozuar që lënda drusore të shpërndahet brenda ditës sidomos për familjet e varfëra”, tha kryebashkiaku Kolevski.
Për të furnizuar 800 familje duhen deri në 8 mijë m3 dru zjarri. Bashkia pret lejen nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, që të zbatojë marrëveshjen, pasi gjithë territori është pellgun ujëmbledhës të liqenit të Prespës, i cili ka statusin Parku Kombëtar i Prespës, zonë e mbrojtur në nivel ndërkombëtar.
©Makedonium