Çfarë duhet të bëjnë subjektet politike të minoriteteve në këto zgjedhje?

Bledar Bashanovic

Bledar Bashanovic


Një interes specifik po përbën për bastexhinjtë politikanë të bixhozit politik shqiptar edhe zgjidhja e enigmës së qasjes politike të PBDNJ-së si parti kryesisht reprezente e interesave te minoriteteve.  Enigmë kjo edhe për vetë aktorin politik minoritar në fjalë , PBDNJ-në, por jo vetëm. Në një dilemë të tillë janë dhe forca të tjera përfaqësuese të minoriteteve specifike siç është Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian, MEGA apo dhe partia e sapo formuar e vlehëve të Shqipërisë. Në total ky  formacion politik minoritar, sipas të dhënave të kontestuara të Censusit bojkotuar të popullsisë të vitit 2011  mbi numrin e minoriteteve nga ana e përfaqësuesve të minoriteteve, nuk zë më shumë se 2% të popullsisë,por që në një vlerësim real edhe të elementeve të tjerë mbi egzistencën e tyre numerike potencialisht mund të përbëjnë një kushtëzim të fortë për çdo aleance qeverisëse.  Këto forca politike potencialisht decizive për mazhorancën e ardhshme parlamentare, nuk kanë as hedhur të paktën idenë për krijimin e një fronti të përbashkët, një aleancë parazgjedhore midis tyre për vendimarrjen mbi aleancat parazgjedhore me partitë e mazhorancës shqiptare. Një pasojë kjo e përçarjes së stërzgjatur të  vetë elementin minoritar, ose e thënë me drejt e lidershipit të tyre, situatë kjo e favorizuar nga disa elementë. Së pari sistemi zgjedhor, absolutisht në disfavor të minoriteteve, pjesëtarët e të cilëve janë në pothuajse të gjitha zonat ku jetojnë në minorancë numerike. Së dyti si pasojë e  moskoordinimi të tyre në proceset e vendimarrjes politike. Se treti importi i krizave dhe mosmarrëveshjeve midis shteteve të tyre amë mbi elementë kombëtarë me pjesëtarë të minoriteteve të tjera ka qenë nje hendek i pakapërcyeshëm në favor të interesit të përbashkët. Së katërti, profilizimi si të majtë apo të djathtë dhe si pasojë dhe shkëmbimi i pushtetarëve i shoqëruar me xhelozitë dhe luftën për pushtet  ka treguar se mungon akoma vullneti politik për unifikimin e qëndrimit politik të këtyre forcave politike minoritare, sidomos në kërkesat për ndryshimin e dispozitave të legjislacionit zgjedhor në veçanti  para zgjedhjeve, kur normalisht ka kohë dhe për të bërë advokacinë e nevojshme për të garantuar përfaqësimin e minoriteteve në të gjitha nivelet e pushtetit legjislativ dhe vendor.

Vlerësimi pragmatist i këtij sistemi zgjedhor tejet jofavorizues për forcat politike minoritare duhet  të rezultonte së paku në inicimin e proceseve konsultuese midis tyre, shkëmbimin e opinioneve mbi alternativat më të mira politike , bashkangjitja ndaj të cilave do të rezultonte pozitive në zgjidhjen e problematikave të minoriteteve nga mazhoranca politike. Kundrejt idesë pothuajse ideale të krijimit të polit të tretë politik, nga vetëm subjekte politike minoritare, ideja e bashkëngjitjes së këtyre partive en block ndaj një koalicioni parazgjedhor sipas kriterit të përftimit  të sa më shumë të drejtave apo pjesëmarrjes në pushtet që ajo pjesë e mazhorancës etnike në Shqipëri është e gatshme të akordojë për grupimin politik të minoriteteve, duket më aktuale. Nga ana tjetër ky lloj bashkimi, do të merrte me shumë gjasa edhe votat minoritare të shpërndara në parti të ndryshme të mazhorancës etnike, apo dhe pjesëtarëve të minoriteteve të cilat nuk kanë akoma formacione politike të profilit etnik. Në një situatë kur popullsia mazhoritare shqiptare në ndryshim nga minoritetet dhe subjektet e tyre politike nuk rrezikon të jetë e papërfaqësuar në Parlament ( të dy kahet politike kanë shumicë dërmuese mazhoritare shqiptare), përfaqësuesit politikë të minoriteteve rrezikojnë në mënyrë eminente mbas çdo zgjedhjeve të mbeten jashtë Parlamentit.

Natyrshëm lind pyetja çfarë ndodh nesë ky grupim minoritar do të aderojë në një aleancë bashkë me grupimin e partive të cilat mund të jenë humbëse të zgjedhjeve, si do të arrihej realizimi i të drejtave  pjesëmarrjes në proçeset vendimarrëse sidomos për çështjet që kanë të bëjnë me to në egzekutiv?  Për këtë pyetje ka një përgjigje të thjeshtë shumë më të moralshme sesa veprimet e disa forcave politike kohët e fundit. Këto subjekte politike do të kishin të gjithë moralin politik në emër të përfaqësimit të të drejtave të popullsisë minoritare që ato përfaqësojnë , të bëheshin pjesë e mazhorancës qeverisëse, edhe nëse kjo do të thoshte ndryshimin e kahut të koalicionit. Dhe çdo mazhorancë qeverisëse do të kishte të domosdoshme të bënte pjesë të saj këto subjekte, në emër të integrimit të tyre në jetën publike të vendit.

Kjo situatë imponohet nga kushtet aktuale jofavorizuese të garimit politik të pabarabartë midis mazhorancës dhe minoriteteve. Deri në një të ardhme kur përfaqësimi parlamentar i minoriteteve të jetë minimalisht i garantuar me anë të kuotave të parashikuara, duhet të sigurohet një advokaci efikase nëpërmjet një qëndrimi të unifikuar minoritar në parlament për adoptimin e një kuadri ligjor i cili do të mundësonte një gjë të tillë. Gjë e cila do të arrihet vetëm me sigurimin e një pjesëmarrje sa më efektive në pushtet të subjekteve politike minoritare.

Bledar Bashanoviq

Anëtar i Komitetit të Minoriteteteve