Edmond Themelko, kryetar i komunës Liqenas (Pustec) ka dhenë një intervistë më 13 mars 2013 për Gazeten Shqiptare. Më poshtë sjellim intervistën e plotë.
Kreu i Komunës Liqenas: Maqedonas në polici, ndihemi të diskriminuar |
Nga: TEDI BLUSHI |
Kreu i komunës së Liqenasit, Edmond Themelko, njëherazi kreu i partisë së minoritetit etnik maqedonas “Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian”, në një intervistë të dhënë për “Gazeta Shqiptare” ka sqaruar arsyet pse ka kërkuar ndryshimin e emrit të kësaj njësie vendore në Pustec. Ai rrëfen negociatat me Berishën, Ramën e Metën për këtë çështje si dhe sqaron problematikat e bën publike kërkesat e këtij minoriteti karshi autoriteteve shtetërore shqiptare.
Z.Themelko, ditën e hënë në Parlament do kalojë për miratim projektligji që parashikon ndryshimin e emrit të komunës Liqenas, në Pustec. Miratimi i kësaj nisme kërkon shumicë të cilësuar votash në Kuvend. A besoni se drafti, i propozuar në rrugë parlamentare nga ju dhe i mbështetur nga një grup deputetësh demo-kratë do të arrijë të sigurojë në Kuvend mbështetjen e të gjitha palëve?
Po, jam i bindur për këtë dhe kam marrë garanci të plotë.
Garanci nga kush?
Nga kryeministri, Sali Berisha, lideri i opozitës, Edi Rama dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Jeni takuar personalisht me ta?
Po i kam takuar të tre personalisht dhe më kanë garantuar për këtë.
Megjithatë dy deputetët socialistë, Pandeli Majko e Bashkim Fino në mbledhjen e grupit të tyre parlamentar kanë paralajmëruar votën e tyre kundër…
U njoha me qëndrimet e tyre. Mësova nga media se z.Majko është shprehur në këtë mbledhje se këtë kërkesë e propozon PD-ja dhe jo banorët e zonës. Ndihem i keqardhur për dy arsye. E para se z.Majko, si deputet i Qarkut të Korçës, ku përfshihet dhe Komuna e Pustecit, nuk ka ardhur ndonjëherë të na vizitojë apo të interesohet për problemet që shqetësojnë minoritetin etnik maqedonas. Nuk më takuar as mua dhe në dijeninë time as ndonjë nga banorët e zonët. Deputetja tjetër e Korçës, Olta Xhaçka, ka ardhur por Majko jo. As Fino jo e jo. E dyta nuk është e vërtetë që këtë kërkesë e ka iniciuar PD-ja. Kërkesa është e vetë banorëve të zonës. Kemi zhvilluar një referendum dhe në mënyrë plebishitare është kërkuar rikthimi i emrit Pustec. I habitur jam ndjerë edhe kur deputetja e PS-së, Vasilika Hysi abstenoi për projektligjin në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ligjeve ndërkohë që kur ishte kryetare e Komitetit Shqiptar të Helsinkit ajo ka firmosur kërkesën tonë.
Ju thatë se keni marrë mbështetje për këtë nisëm nga Berisha, Rama e Meta por në këmbim të çfarë ja u kanë dhënë këtë mbështetje z.Themelko? A ka mbështetja me votë e minoritetit maqedonas në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, një kusht i vendosur prej tyre?
Mbështetjen na e kanë dhënë në këmbim të rikthimit të një të drejte të mohuar padrejtësisht nga regjimi komunist me një dekret të ’73-shit të Haxhi Lleshit. Me këtë vendim klasa politike shqiptare besoj se do të dëshmojë distancimin nga praktikat dhe vendimet arbitrare të diktaturës komuniste ndaj minoritetit maqedonas.
Ju jeni kryetar i partisë “Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian”. Me kë do të hyni në koalicion në zgjedhje?
Është ende herët për të folur sepse vendimin do ta marrë Kongresi i partisë që pritet të mblidhet në muajin Prill. Padyshim që në koalicion do të hyjmë me atë parti që do të plotësojë të gjitha kushtet tona.
Cilat janë kushtet tuaja për një aleancë para-zgjedhore?
Garantimi i së drejtës së gjuhës amëtare maqedonase që po na mohohet. Maqedonasit që jetojnë në Gollobordë nuk kanë një shkollë ku të mësojnë gjuhën e tyre amëtare. Dhe kjo është skandaloze, dhunim i hapur i të drejtave të pakicave. Për këtë çështje iu kemi bërë një peticion edhe autoriteteve shtetërore dhe ende nuk kemi marrë përgjigje. Sot maqedonasit etnikë që banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë për fat të keq po ndihen të rrezikuar nga qarqet ekstremiste nacionaliste shqiptare siç është Aleanca Kuq e Zi, përfaqësuesit e së cilës, guxuan pak javë më parë të dhunojnë simbolet tona kombëtare dhe të hyjnë me forcë duke dhunuar godinën e komunës së Pustecit që unë drejtoj. Për këtë incident të rëndë ne iu drejtuam Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Kryeministrit, Sali Berisha dhe të gjitha ambasadave të huaja. Dhe me këtë rast më lejoni të falenderoj ambasadorin e SHBA, z.Aleksandër Arvziu i cili na mbështeti publikisht. Ndërkohë autoritetet shtetërore ende nuk na kanë dhënë një përgjigje për ngjarjen. Sot maqedonasit etnikë në Shqipëri ndihen të diskriminuar. Dhe ne jemi shumë të shqetësuar nga rritja në mënyrë ekstreme e toneve nacionaliste që rrezikojnë të dëmtojnë edhe marrëdhëniet shtetërore mes Shqipërisë e Maqedonisë. Nga ana tjetër, ne si minoritet, ndihemi krenarë që Republika e Maqedonisë i mbron dhe i respekton në maksimum të drejtat e shqiptarëve atje. Në Shqipëri, të drejtat e minoritetit maqedonas nuk respektohen as 10 për qind në krahasim me ato të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë.
Z.Themelko, konkretisht çfarë kërkon minoriteti maqedonas nga autoritetet shtetërore shqiptare?
Respektimin e konventave dhe të apeleve të organizmave ndërkombëtare për mbrojtjen e identitetit tonë etnik, kulturor dhe fetar. Shkurtimisht: të drejtën për të mësuar gjuhën tonë amëtare, përfaqësimin në institucionet shtetërore, minimalisht në ato lokale. Duam që përfaqësues të minoritetit etnik maqedonas të jenë pjesë e administratës publike, pjesë e sistemit gjyqësor dhe në Polici. Të kemi pra të njëjtat të drejta si shqiptarët në Republikën e Maqedonisë, të cilët ju siç e dini përfaqësohen në të gjitha nivelet e qeverisjes e administratës publike. Të paktën ne të kemi përfaqësim në nivelin lokal, këtu në Korçë, siç e përmenda pra, në strukturat lokale të Policisë së Shtetit, sistemit të drejtësisë dhe administratës publike, e të mos diskriminohemi më pse jemi maqedonas. E primare siç e përmenda dhe që më lejoni ta përsëris është që të na garantohet së pari e drejta e mohuar për të mësuar gjuhën tonë amëtare, maqedonase.
Maqedonasit ne Shqiperi kerkojne ato te drejta qe parashikohen ne Kushtetute.Por konstatojme se kohet e fundit po nxitet urejtja etnike nga disa grupime politike si brenda vendit dhe nga Maqedonija.Eshte per te cuditur fakti se te dy popujt kane bashkejetuar dhe nuk kane bere asnjehere lufte ndaj njeri tjetrit per faktin se mbas luftes se dyte ballkanike,atehere kur u percaktuan kufijte e shteteve te Ballkanit, Maqedonia dhe Shqiperia kane qene viktima. Ne qoftese shqiptaret e maqedonise kane vuajtur nga serbet, pse duhet te cfryhen kunder maqedonasve. Mendoj se urejtja, mllefi kane mare nje revansh te madh, ku po zgjerohet shtrirja. Ne keto kushte, media dhe forcat politike duhet te punojne ne drejtim te bashkejeteses, te zgjidhjes se kerkesave te minoriteteve dhe ne te kunderten e saj.
Maqedonasit ne Shqiperi kerkojne ato te
drejta qe parashikohen ne Kushtetute.Por konstatojme se kohet e fundit po nxitet urejtja etnike nga disa grupime politike si brenda vendit dhe nga Maqedonija.Eshte per te cuditur fakti se te dy popujt kane bashkejetuar dhe nuk kane bere asnjehere lufte ndaj njeri tjetrit per faktin se mbas luftes se dyte ballkanike,atehere kur u percaktuan kufijte e shteteve te Ballkanit, Maqedonia dhe Shqiperia kane qene viktima. Ne qoftese shqiptaret e maqedonise kane vuajtur nga serbet, pse duhet te cfryhen kunder maqedonasve. Mendoj se urejtja, mllefi kane mare nje revansh te madh, ku po zgjerohet shtrirja. Ne keto kushte, media dhe forcat politike duhet te punojne ne drejtim te bashkejeteses, te zgjidhjes se kerkesave te minoriteteve dhe jo ne te kunderten e tyre.