Koalicioni i AMIE-së dhe Partisë Socialiste e nisi fushatën zgjedhore në Pustec me promovimin e Pali Kolefskit për kryetar bashkie

Në Pustec, në bregun e liqenit të Prespës, koalicioni i së vetmes parti të maqedonasve në Shqipëri, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) dhe Partisë Socialiste, nisi fushatën zgjedhore me promovimin e Pali Kolefskit për kryetar bashkie të bashkisë Pustec.

Duke falënderuar maqedonasit në Shqipëri për pjesëmarrjen e madhe në prezantimin e tij, Kolefski iu referua të gjitha projekteve të realizuara në katër vitet e fundit.

– Dhe në katër vitet e ardhshme, me mbështetjen e qeverisë, Bashkia Pustec do të shndërrohet në një vend siç e meritojnë banorët e saj. Vetëm duke ecur përpara së bashku do ta bëjmë Prespën një vend vërtet të mirë për të jetuar dhe punuar. Jemi realistë dhe flasim për projekte konkrete e jo për ëndrra, tha Kolefski.

Në promovim mori pjesë edhe ministri Niko Peleshi, i cili para të pranishmëve tha se Pali Kolefski është treguar një administrator i mirë dhe i përkushtuar në detyrën që zgjedhësit i ngarkuan katër vjet më parë dhe për këtë arsye është propozuar sërish nga Partia Socialiste së bashku me partinë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, për një mandat të ri për kryetar të Bashkisë Pustec.

“Mbështetja me votë në 14 maj për Pali Kolefskin është një garanci për të gjithë banorët e Bashkisë Pustec se transformimi dhe punët e mira në këtë bashki do të vijojnë me ritëm edhe më të lart në këtë mandat të dytë”, tha Peleshi.

Përshëndeti edhe kryetari i AMIE-së, Vasil Sterjovski, i cili tha se në periudhën e kaluar kanë pasur komunikim të shkëlqyer me kryetarin Kolefski.

Ai theksoi se kur Sterjovski ishte deputet, kanë bashkëpunuar për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqoheshin maqedonasit në Bashkinë Pustec dhe një nga përfitimet më të mëdha ishte zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm në Bashkinë Pustec.

– Kryetari Pali Kolefski ka mbështetjen e partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian dhe këshilltarëve të AMIE-së në Këshillin e Bashkisë Pustec për të gjitha iniciativat në drejtim të zhvillimit ekonomik të bashkisë, zhvillimit të turizmit, si dhe në drejtim të mbrojtjes dhe avancimit i të drejtave të maqedonasve në Bashkinë Pustec, theksoi ai.

Sterjovski u bëri thirrje maqedonasve në Bashkinë Pustec që të votojnë për Kolefskin dhe për listën e këshilltarëve të partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian.

©Makedonium