Statuja e maqedonasit Nikolla Kallfa vendoset në Maliq

Sipërmarrësi i njohur Gjergj Luca, njoftoi një vit më parë rijetëzimin e ish-Kombinatit të Sheqerit në Maliq, duke i rikthyer lavdinë dhe shkëlqimin e dikurshëm, përmes investimit dhe punës. Magazinat e shkatërruara shpejt do të jenë shtëpia e re e “Rozafa Fish City”.

Puna në Maliq po ecën me ritme të shpejta dhe Luca tregon se në nderim të njeriut që drejtoi gjatë viteve të lavdishme Kombinatin e Sheqerit, i ka ngritur statujë. Nikolla Kallfa do të presë vizitorët e Fish City në qytetin juglindor.

“Ky burrë këtu është Nikolla Kallfa, ish-drejtori i kombinatit që ka marrë pjesë në ndërtimin e këtij kombinati të madh dhe pastaj e ka drejtuar me mijëra punonjës, nga Korça, nga rrethina, nga Maliqi. Dhe ne zgjodhëm që monumentin e parë të rikujtojmë këtë burrë të madh”, thotë Luca.

Teksa qëndron krah statujës së Nikolla Kallfës, Luca thekson se sakrifica dhe puna e njerëzve të tillë duhet të promovohet te të gjithë të rinjtë, për të motivuar njerëzit. “Ishalla dhe kjo koha e sotshme pjellë burra si puna e këtyre këtu, që kanë qenë 24 karat”, përmbyll sipërmarrësi i Fish City.

Nikolla Kallfa ka qënë me origjinë maqedonase nga fshati Vërnik, zona e Devollit.

https://www.facebook.com/watch/FISH.CITY.ROZAFA/