Sterjovski për “Euronews Albania”: Komuniteti maqedonas kërkon krijimin e Bashkive të Gollobordës dhe Gorës

Përfaqësuesi i komunitetit maqedonas në Shqipëri, Vasil Sterjovski thotë se e kanë mirërpitur krijimin e komisionit të posaçëm për reformën e re territoriale dhe se shpresojnë që të adresohen kërkesat e tyre për krijimin e dy bashkive të reja minoritare.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Sterjovski u shpreh se përveç Bashkisë së Pustecit, kërkohet edhe krijimi i dy bashkive minoritare maqedonase në zonën e Gorës në qarkun e Kukësit dhe në zonën e Gollobordës në qarkun e Dibrës.

“Ne si komunitet maqedonas mbështesim krijimin e komisionit të posaçëm për reformën territoriale në Shqipëri dhe shpresojmë që me përfundimin e punimeve, ky komision do adresojë dhe kërkesat tona të hershme që përveç Bashkisë së Pustecit, e banuar 100% me komunitet maqedonas, të krijohen edhe dy bashki të reja minoritare maqedonase, në zonën e Gorës në qarkun e Kukësit dhe në zonën e Gollobordës në qarkun e Dibrës.

Janë të gjitha kushtet që të krijohen këto dy bashki të reja minoritare maqedonase, sepse janë zona kompakte të banuara me popullsi maqedonase. Këtu jetojnë banorët autoktonë maqedonas”, theksoi ai.

©Makedonium