Pa urë maqedonasit në zonën e Gorës janë të izoluar, AMIE apelon për rindërtim

Partia Aleanca e Maqedonase për Integrimin Europian (AMIE), u kërkon institucioneve përgjegjëse të vendit që të marrin masa urgjente për të ndihmuar banorët e Gorës, duke bërë të mundur hapjen e një bypassi te rruga e vjetër dhe rehabilitimin e shpejtë të aksit të vjetër Shishtavec – Kollovoz deri në rindërtimin e urës së Shtrezës.

– I dërguam kërkesë Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, si dhe Prefektit të Qarkut Kukës dhe Kryetarit të Bashkisë Kukës, për veprim urgjent. Po ashtu pasqyrojmë gjendjen faktike se nga data e parë e këtij muaji, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut është shembur ura e Shtrezës në aksin rrugor Kukës-Shishtavec, duke bllokuar fshatrat e njësisë administrative Shishtavec në zonën e Gorës, tha Vasil Sterjovski, kryetar i AMIE-së.

Ai shton se udhëtarët që duhet të përdorin këtë aks, duhet të shfrytëzojnë pikën e kalimit kufitar Shishtavec-Krushevë për të lëvizur më pas në rrugën Krushevë-Dragash-Morinë-Kukës për të ardhur në Kukës, apo për të shkuar në Shishtavec, që do të thotë kalimin e dy pikave kufitare me Kosovën; atë të Shishtavecit dhe Morinës dhe dyfishimin e rrugës duke shumëfishuar kostot për automjetet.

– Institucionet përgjegjëse ende nuk kanë marë masa konkrete për rindërtimin e urës, përvës se kanë bllokuar qarkullimin me vendosjen e blloqeve të betonit në të dy anët e urës. Banorë e zonës sës Gorës po hasin në vështirësi të mëdha në lëvizjen drejt qytetit të Kukësit për të plotësuar nevojat e tyre jetike në furnizimin me ushqime, ilaçe e marrje shërbimesh të ndryshme, si dhe tregtimin e patateve. Banorët detyrohen të ecin një pjesë rruge në këmbë të ngarkuar me ushqime e trasta të rënda në duar me rezervat disajavore, për të kaluar nga njëra anë e urës në tjetrën, thekson Sterjovski.

Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) kërkon nga institucionet përgjegjëse marrjen e masave imediate për të ndihmuar banorët e zonës së Gorës duke bërë të mundur hapjen e një bypassi te rruga e vjetër dhe rehabilitimin e shpejtë të aksit të vjetër Shishtavec – Kollovoz deri në rindërtimin e urës së Shtrezës.

Ura e përmendur është pjesë e rrugës Kukës-Shishtavec, investim i realizuar në vitin 2013.

©Makedonium