Teksa i largohesh qytetit të Librazhdit, rrugës drejt Peshkopisë, gjithëkush që udhëton këndej, mendon së pari vështirësitë e mëdha, së paku gjer në Stëblevë shkruan në reportazhin e tij portali librazhdinews.
Sapo kalon një pjesë rruge, gati nën shkëmbin që vendasit e thërrasin “shkalla e Lunikut”, Qafa e Llëngës të shfaqet si një tynel malor.
Gjendur aty, mes shkëmbinjsh të lartë e pyjesh të shumë.
Ndanë përroit, faqe mali, dhjetra e dhjetra shtëpi prej guri, ndërtuar më fomrë kullash dye trekatëshe.
Pamja e bukur piktoreske ia lë vendin një jete të zbrazët.
Fshati i Llëngës mund të quhet edhe “Porta e Stëblevës”
Që këtu mendon se vendasit kanë kohë që kanë braktisur jetën e fshatit për të gjetur diçka më të mirë në qytete apo periferitë e tyre.
Rreth 45 kilometra nga qyteti i Librazhdit, një ndër vendet më të mrekullueshme të zonës Verilindore, Stëbleva me shtatë fshatrat e saj, si zona e poshtme e Gollobordës, mbetet një ndër vendet turistike më të bukura të Shqipërisë.
Ka nje popullsi autoktone, por jo te përhershme, pasi një pjesë e mirë e tyre qëndrojnë këtu vetëm gjashtë muaj në verë.
Pjesa tjetër e vitit në qytetet ku janë ngulur prej disa vjetësh.
Stebleva me fshatrat e saj
Dikur nga zonat më të populluara të trevës lindore të vendit, pakkush e mendonte se Stebleva, me fshatrat e saj do të rrudhej në më pak se 1800 banorë gjatë viteve të vështira të tranzicionit.
Lëvizjet më të madha demografike do të ishin gjatë viteve 2004-2005, periudhë kohe kur u dha drita jeshile për të gjitha ndërtimet informale në qytete edhe për të ardhurit nga zona të ndryshme të vendit.
Ndërsa dje numuroheshin rreth një mijë shtëpi me afro 8 mijë banorë, sot ky numër ka zbritur në rreth 150 familje, që, ose pakësohen në dimër, ose shtohen në verë.
Vitet e para të tranzicionit, nisin edhe lëvizjet e mëdha demografike nga zona e Stëblevës.
Secili që vendosj në qytete të Shqipërisë së Mesme apo në bregdet, krijonte mundësinë që të merte më pas të afërm të tjerë të fisit të tij.
E për të krijuar kështu lagje të tëra me steblevas.
Historikisht ka qenë në kufijtë administrativë të Dibrës.
Por, për shkak të afërsisë, zgjidhjes së problemeve jetike, me vendim të veçantë të Qeverisë, iu bashkëngjit rrethit të Librazhdit, para më shumë se 2 dekada.
Pra, viti 1990, me ndryshimin e sistemeve politike, mungesën totale të investimeve, mungesën e ndërlidhjes e komunikacionit, bëri që kjo trevë të përballet me mundësitë minimale për mbijetesë.
Nisi migrimi drejt Tiranës, Durrësit e Elbasanit
Edhe pse dëshira e mirë dhe përpjekjet për shtimin e blegtorisë ekzistojnë tek banorët, largësia nga tregu, rruga e dëmtuar deri në qytet, bën që kostoja të jetë e lartë dhe humbjet e blegtorëve gjithashtu.
Qumështi i blegtorëve steblevas, për shkaqet e mësipërme nuk mund të dalë në treg.
Ndërkohë që produktet e tij, si djathi, gjiza e mishi, mbeten burimet e të ardhurave të pakta të tyre.
Ndërsa udhëton në fshatrat e kësaj komune, të kap një ankth i trishtë.
Teksa syri të rrok qindra shtëpi, të braktisur prej viteve nga familjarët e tyre.
Dukurinë në fjalë e përjeton që nga fshati i parë LLënga e për të vazhduar më pas në Zabzun, Borovë, Stëblevë, Sebisht, Moglicë e Prodan.
Nuk ka fshat të kësaj komune që të mos ketë mundësinë të mbaj mend të ikurit, ndërsa numuron me gishta të mbeturit.
Zabzuni dhe Stëbleva ishin fshatrat më të populluara dhe më të zhvilluara të kësaj treve.
Por që sot kanë mbetur me nga 25 – 30 shtëpi.
Dy përjetime ndjen gjithkush, kur viziton fshatrat e kësaj komune
I pari, mbresëlënës, pasi bukuritë natyrore të mahnitin dhe i dyti, trishtimi për shtëpitë bosh, ku kanë frikë të këndojnë dhe qyqet.
Në pyjet ahorë dëgjohet vetëm kënga e zogjëve.
Por, një e moshuar do të na thoshte së zogjtë qajnë për të gjithë ata që kanë braktisur këtë vend të bukur.
Në fakt bukuria e këtyre anëve mbetet e vështirë edhe ta përshkruash.
Por vendasit, të ikurit dhe të mbeturit, vetëm në dy stinë e ndajnë vitin.
Dimri dhe vera
Dimri i gjatë gjashtë muaj dhe tepër i egër, ndoshta mbetet një ndër arsyet e kësaj braktisjeje të madhe.
Ndërsa dimri ka zbritur, nuk e ka prishur ende çdo gjelbërim e hijeshi.
Pa e ditur se do të gjente nga 2 pleq në çdo dhjetë shtëpi.
Përballë këtij prezantimi gri, ngushëllohesh në një fakt tjetër.
Të tëra tokat janë të punuara
Migrantët nuk ia kanë kthyer përgjithmonë shpinën fshatit, mallit e gjëse.
Vijnë këtu në verë, mbjellin tokat, edhe qëndrojnë disa muaj.
Dhe aty nga gjysma e vjetës së dytë shtegëtojnë sërish nëpër qytete të ndryshme të vendit.
Sa për të moshuarit, ata qëndrojnë plot gjashtë muajt e verës për të mbjellur në pranverë e për të korrur prodhimet në fund të verës apo me fillimin e vjeshtës.
Ka nisur java e aksionit për mbjelljen e patates
“Kjo është kultura bazë e jetesës”- pohon një agronom i apasionuar në profesion.
Edhe ai e kultivon këtë. Vendasit prodhojnë sasi të mëdha patatesh, sikurse edhe mishin pastërma, fasulen e misrin, gjer tek gjalpi e djathi.
Të gjitha grumbullohen për tu trasportuar në “fshatrat” e rinj që kanë ngritur të ikurit.
Statistikat e dhimbshme:
Fshatrat / Ishin / Janë
Llënga – 50 shtëpi 12 shtëpi
Zabzuni – 300 shtëpi 25 shtëpi
Borova – 150 shtëpi 15 shtëpi
Sebishti – 100 shtëpi 35 shtëpi
Stëbleva – 300 shtëpi 30 shtëpi
Moglica – 35 shtëpi 5 shtëpi
Prodani – 30 shtëpi 0 shtëpi