Gruevski–Berisha: E ardhmja e Maqedonisë dhe e Shqipërisë është në BE

Kryeministri Berisha në 23.11 2012 mirëpriti në një takim Kryeministrin maqedonas z. Nikola Gruevski, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Kryeministrit Sali Berisha, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.

Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes, në mjediset e Kryeministrisë të dy kryeministrat zhvilluan një takim kokë më kokë, që u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.
Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e homologut të tij maqedonas si një kontribut të ri shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore dhe në bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve. Në të dy takimet, kryeministrat ripohuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes vendeve në nivelin, bilateral dhe atë multilateral, si dhe theksuan angazhimin reciprok për thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, veçanërisht për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, në interesin më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve.

 

Në vijim u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase, përkatësisht Marrëveshja për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit dhe Marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Trebisht-Xhepisht.
Mw pas, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri maqedonas Gruevski, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku informuan për takimet mes tyre dhe iu përgjigjën interesit të mediave lidhur me çështje të ndryshme.
Në përfundim, Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të kryeministrit maqedonas dhe delegacionit që e shoqëronte, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.

 

Kryeministri Gruevski: Komuniteti shqiptar në Maqedoni ka një pozicion të rëndësishëm dhe përfaqëson një pjesë e rëndësishme të shoqëris maqedonase. Duke e shikuar këtë situatë, e theksova interesin për përmirësimin e pozitës të minoritetit maqedonas në Shqipëri me shpresë se edhe Maqedonasit në Gollobërdë, Gorë si edhe në qytetet Bilishtë, Korcë, Pogradec, Elbasan, Berat, Durrës, Tiranë dhe Kukës do të njihen etnikishtë dhe do ti mundësohet mësimin e gjuhës maqedonase sipas standarteve më të larta evropiane- tha Gruevski në konferencën e përbashkët pas takimit.
Kryeministri Berisha: Zonja dhe zotërinj, sapo përfunduam bisedimet me kryeministrin e republikës së Maqedonisë dhe firmosëm dy marrëveshje të rëndësishme në kurorëzim të kësaj vizite, marrëveshje që kanë të bëjnë me njërën prej lirive më themelore të qytetarëve të dy vendeve, atë të lëvizjes së lirë, njohjes së dokumenteve të qarkullimit dhe hapjes së një pike kufitare komunikimi në zonën Trebisht-Xhepisht, pra shtimin e një kanali të ri komunikimi mes qytetarëve të dy vendeve. Ishte një rast i veçantë për mua ti uroj një mirëseardhje të përzemërt kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, me të cilin kemi një bashkëpunim të gjerë dhe afatgjatë, prej vitesh.
E sigurova se kjo vizitë është një kontribut i ri shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore dhe në bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve tona. Në takimin tet a tet dhe në takimin me delegacionet, ne diskutuam gjerësisht për bashkëpunimin tonë të ngushtë në projektet tona madhore të integrimit evropian dhe euroatlantik. Shqipëria është anëtare e NATO-s, Maqedonia “de fakto” është anëtare e NATO-s. Shqipëria do të japë kontributin e vet modest që edhe momenti “de juro” të ndodhë sa më shpejt. Maqedonia ka bërë një progres të madh dhe ka fituar statusin vite më parë. Ne jemi të bindur se meriton plotësisht hapjen e negociatave dhe vlerësimin e progresit të merituar. Maqedonia mbështet Shqipërinë në procesin e integrimit evropian dhe sheh me interes hapat para në këtë drejtim. Ne diskutuam për intensifikimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit në çdo fushë. Ne ramë dakord që të bëjmë përpjekje të përbashkëta për Korridorin 8, për lidhjen e linjave të tensionit të lartë, për kompletimin në dy anët respektive të rrugës së Arbrit, unazës së Ohrit, lidhjen hekurudhore.
Unë e sigurova kryeministrin se qeveria do të mbështesë interesin e Maqedonisë për projektin Transadriatik të gazit që vjen nga Azerbajxhani. Diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fusha të tjera.
Si ç’është normale një temë e veçantë e takimit tonë është çështja e shqyrtimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve me origjinë shqiptare dhe maqedonase në të dy vendet tona. Ne vlerësojmë shumë rolin e shqiptarëve në paqen stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë, kontributin e tyre në këtë drejtim. Ne shohim me interes shumë të madh progresin e këtij vendi dhe të shoqërisë multietnike, si një rast unik, si një rast i shkëlqyer për tu bërë një shembull i ndritshëm në gadishullin e Ballkanit.
Unë e garantova kryeministrin se në Shqipëri qytetarët do të kenë të drejtë të deklarojnë pa asnjë ndrojtje etnicitetin që dëshirojnë dhe të respektohen plotësisht për origjinën e tyre etnike. Shqipëria ka bërë dhe bën çdo gjë për të vendosur në këtë vend standardet më të mira të Kopenhagenit për të drejtat dhe liritë e minoriteteve – tha Kryeministri Berisha. (Makedonium)