Shqipëria dhe Maqedonia njohin kontributet e sigurimeve shoqërore për efekt të përfitimit të pensionit për të gjithë shtetasit shqiptarë që punojnë në Maqedoni dhe anasjelltas. Kjo u bërë e mundur falë marrëveshjes “Për mbrojtjen shoqerore”, e cila u firmos më 17 mars 2015 në Shkup nga Mininistri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, z. Erion Veliaj dhe homologu i tij maqedonas, Ministri i Punës dhe Politikave Sociale të Maqedonisë, z. Dime Spasov.
Marrëveshja bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. Ajo garanton personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar. Por ajo që ka më shumë rëndësi dhe që prek një kategori të madhe qytetarësh nga të dyja vendet është mundësia që krijon për bashkimin e periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare të cilat tashmë do merren në konsideratë, për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre për pension pleqërie, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar, të vetëpunësuar, si dhe për punëdhënësit, si dhe të drejtën për të eksportuar përfitimet, atje ku jeton.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy ministrat e vlerësuan atë si një instrument që i vjen në ndihmë shumë qytetarëve maqedonas dhe shqiptarë që për arsye të ndryshme kanë punuar apo punojnë, respektivisht në Shqipëri dhe Maqedoni, por që për mungesë të legjislacionit përkatës nuk mund të përfitonin të mirat e kontributeve të tyre shoqërore.
“Marrëveshja që nënshkruam sot është dicka konkrete, e cila ndihmon për të pasur një pension më të lartë në të dy anët e kufirit. Rreth 300 mijë qytetarë potencialë andej e këtej kufirit do ta shfrytëzojnë e përfitojnë nga marrëveshja e pensioneve. Kjo marrëveshje bën që askujt të mos i humbasë as edhe një ditë pune për një pension më të mirë nesër. Me homologun maqedonas diskutuam edhe për krijimin e një tregu të përbashkët e të liberalizuar pune në të ardhmen e afërt”, – tha ministri Erion Veliaj. (Makedonium)