Këshilli i Qarkut Kukës në bashkëpunim me Komunën Shishtavec dhe mbështetjen e Raiffeisen Bank dhe disa bizneseve vendase organizuan për të katërtin vit rradhazi Kampionatin Lokal të Skive në fshatin turistik të Shishtavecit .
Në ditën e parë, të ftuarit u njohën me gatimet vendase dhe potencialet turistike që ka Shishtaveci si dhe rëndësinë që ka sporti i skive për zhvillimin turistik të kësaj zone.
Ndërsa në ditën e dytë, u zhvillua kampionati i skive ku morën pjesë skiatorë nga 5 ekipe, 4 ekipe nga Komuna Shishtavec dhe një ekip nga Korça sipas këtyre grupmoshave: deri 10-vjeç, 10 -17 vjeç dhe mbi 17 vjeç për djem dhe vajza.
Ftesës për të marrë pjesë në këtë aktivitet iu përgjigjen figura të shquara të sporteve ekstreme si çiklistë dhe parashutistë. Parashutistët siguruan një përfomancë fluturimi me parashutë gjatë kampionatit të skive duke i shtuar elementet e spektaklit, ndërsa çiklistët përjetuan një eksperiencë aventurë duke e bërë rrugën e kthimit nga Shishtaveci në Kukës me biçikletë.
Në fund të aktivitetit, u bënë vlerësime me çmime për skiatorët më të mirë për të tre grupmoshat.
Të ftuar në këtë aktivitet ishin përfaqësues të Institucionit të Prefektit, Këshillit Bashkiak, Komunave, ekspert të turizmit, sportist, përfaqësues të shoqatave, biznesmenë dhe banorë vendas nga zona e Gorës. (Makedonium)