Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, z. Ditmir Bushati, më 26 janar 2015 priti në takim dhe zhvilloi bisedime me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, z. Nikola Poposki, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë.
Gjatë takimit, Ministri Bushati, e siguroi homologun e tij se Shqipëria mbështet integritetin, sovranitetin, stabilitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë, dhe i shprehu Ministrit Poposki vëmendjen dhe rëndësinë e veçantë që Shqipëria i kushton zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona fqinje.
Nga ana e tij, Ministri Poposki vlerësoi mbështetjen që Shqipëria ka treguar në drejtim të bashkëpunimit dypalësh dhe integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, duke theksuar angazhimin e qeverisë së vendit të tij për të vijuar intensifikimin e reformave që çojnë drejt këtij qëllimi.
Të dy ministrat shprehën kënaqësinë për ecurinë e bashkëpunimit dypalësh politik dhe konkluduan se mundësitë dhe realizimi i bashkëpunimit ekonomik nuk i përgjigjet nivelit të atij politik. Për këtë qëllim ministrat e vunë theksin në intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike.
Dy Ministrat biseduan edhe për angazhimin e dy qeverive, në frymën e Konferencës së Berlinit, për të identifikuar projekte të përbashkëta në fushën e infrastrukturës dhe energjisë si dhe gjetjen e rrugëve për financimin e tyre. Gjithashtu u bisedua edhe për funksionim 24 orë i pikës kufitare Trebishtë-Xhepishtë.
Ministrat shprehën shqetësim lidhur me ngjarjet e fundit në Francë, duke u theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia do të jenë përkrah koalicionit anti-terror në luftën kundër terrorizmit.
Ministri Popovski u takua edhe me Presidentin e Republikës se Shqipërisë, z. Bujar Nishani dhe Kryeministrin e Republikës se Shqipërisë, z. Edi Rama.
Në ambientet e ambasadës maqedonase në Tiranë, ministri Popovski realizoi një takm me përfaqësuesit e komunitetit maqedonas në Shqipëri. (Makedonium)