Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Znj. Eglantina Gjermeni priti në një takim Ambasadorin e Maqedonisë në vendin tonë Z. Stojan Karajanov, për të diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e turizmit në prag të çeljes së sezonit turistik.
Pala maqedonase u shpreh shumë e interesuar për të vendosur ura bashkëpunimi mes dy vendeve, duke ftuar Agjencinë Kombëtare të Turizmit të prezantojë ofertën turistike shqiptare në një panair të posaçëm në Shkup, për të promovuar potencialin e madh turistik shqiptar. Sipas tij një marëveshje mes dy agjencive respektive do të ndikonte në rritjen e ofertës turistike mes dy vendeve. Ambasadori informoi Ministren se vetëm gjatë vitit të kaluar Maqedonia eksportoi 500 mln euro për turizëm drejt vendeve fqinje dhe sipas informacioneve të deritanishme nga operatorët turistikë këtë vit mendohet që 30% e kësaj shume të shpenzohet në Shqipëri.
Ambasadori Karajanov i përcolli Ministres vlerësimin e turistëve maqedonas për komoditetin, sigurinë dhe bukuritë e shumta natyrore që ofron Shqipëria. Nga ana e saj Ministrja Gjermeni duke vlerësuar modelin maqedonas për promovimin e turizmit përmes incentivave ligjore, i shprehu ambasadorit maqedonas angazhimin për forcimin e mardhënieve të bashkëpunimit në funksion të rritjes së numrit të turistëve. Ministrja propozoi organizimin e takimeve mes operatorëve turistikë të dy vendeve për të krijuar një paketë të përbashkët turistike, sikundër po veprohet me Kosovën.
Të dy palët ranë dakord që shumë shpejt të prezantojnë ofertën e përbashkët turistike, të zyrtarizuar përmes marëveshjeve dypalëshe mes Ministrive dhe Agjencive të Turizmit. (Makedonium)