Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova përpiqen të përmirësojnë infrastrukturën rrugore

Zyrtarët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës u takuan në Ohër për të nisur me hov projektet e infrastrukturës së transportit. [Miki Trajkovski/SETimes]

Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova po punojnë në projektet e infrastrukturës së transportit për të përmirësuar udhëtimin dhe për të zhvilluar ekonomitë lokale.

Zyrtarët e transportit dhe infrastrukturës u takuan në Ohër muajin e kaluar dhe ranë dakord të fillojnë zbatimin e projekteve të udhëshpejtave, që fillojnë në tremujorin e parë të këtij viti për të lidhur këto tre vende. Ata ranë gjithashtu dakord të përfundojnë ndërtimin e hekurudhës përgjatë korridorit evropian të transportit Nr.8, lindje-perëndim si dhe liberalizimin e transportit të mallrave.

“Ne po nisim të intensifikojmë procesin e bashkëpunimit që ka për qëllim të zbatojë plotësisht të gjitha projektet dhe fondet në dispozicion. Procesi është i hapur ndaj të gjitha vendeve rajonale, sepse ato janë përfshirë në integrimin evropian,” tha ministri shqiptar i transportit dhe infrsatrukturës Edmond Haxhinasto.

Haxhinasto tha se takimet kanë një platformë të posaçme dhe janë strukturuar të zgjidhin problemet aktuale dhe të vështrojnë në të ardhmen.

Shqipëria njoftoi projekte kapitale të infrastrukturës rrugore për të ndërtuar udhëshpejta për të lehtësuar ndjeshëm transportin me Maqedoninë dhe Kosovën.

Zyrtarët maqedonas thanë se vendi do të nisë të ndërtojë dy udhëshpejta në pjesën e vet perëndimore, pranë Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa po punon njëherazi në kompletimin e udhëshpejtës për në Greqi.

“Unë njoftova tashmë nënshkrimin e marrëveshjes për të ndërtuar udhëshpejtën Kërçovë-Ohër: puna do të nisë në tremujorin e parë të 2014, dhe gjithashtu qeveria maqedonase po bën përpjekje të përftojë një paketë të favorshme financiare për udhëshpejtën Gostivar-Kërçovë. Përveç kësaj, unë njoftova planet tona për të rehabilituar rrugën për në Dibër [në kufirin shqiptar],” tha Mile Janakieski, ministri i transportit dhe komunikacionit të Maqedonisë.

Kosova ka kompletuar udhëshpejtën Nr. 6, që lidh Kosovën me korridorin veri-jugë Nr.10 të transportit, tha Fehmi Mujota, ministri i infrastrukturës i Kosovës.

“Ne jemi gati të nisim ndërtimin në udhëshpejtën e re për në kufirin maqedonas dhe presim ta përfundojmë atë në tre vjet,” tha Mujota.

Mujota tha se puna ka gjasa të vazhdojë përgjatë kufirit në Maqedoni për të lidhur këtë udhëshpejtë me atë Tetovë-Gostivar-Kërçovë.

“Vetëm kjo rrugë [e kompletuar] do ta bëjë korridorin Nr.8 funksional,” shtoi ai.

“Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në [zhvillimin] e korridorit të transportit Nr.8, [sepse] lidhja e Tiranës dhe Shkupit është shumë e rëndësishme,” shtoi Haxhinasto.

Kompletimi i infrastrukturës rrugore do të thotë një rritje në tregtinë midis të tre vendeve dhe kompanitë maqedonase do të nisin më lehtësisht të përdorin portet në Shqipëri si një alternativë ndaj portit të Selanikut, tha Menderes Kuçi, president i dhomës së tregtisë të Maqedonisë veriperëndimore në Tetovë.

“Ne presim që të gjitha negociatat dhe marrëveshjet do të zbatohen [shpejt]. Kjo do të ketë një efekt shumë pozitiv në ekonomitë dhe buxhetet shtetërore. Në qoftë se prodhimet tona shkojnë nëpërmjet porteve shqiptare, atëhere ato do të jetë më lehtë të arrijnë tregjet e largëta kineze,” i tha Kuçi SETimes.

Ekspertët thanë se sapo të kompletohet udhëshpejta maqedonase që shpie në kufirin shqiptar, udhëtarët do të arrijnë Tiranën në dy orë dhe portin e Durrësit në tre.

“Kjo do të lejojë biznesmenët tanë të arrijnë më lehtë bregdetin shqiptar, por gjithashtu atë malazes dhe Kosovën,” i tha SETimesMendi Kira, pronar i kompanisë së ndërtimit Trim dhe Ljum në Strugë.

Ky tekst është marë nga SETimes.com