Shqipëria ka ende punë për të bërë në drejtim të përmbushjes dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Kështu u shpreh, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në pritjen vjetore të OSBE në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ku ishin të pranishëm zyrtarë të lartë, trupi diplomatik, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias.
“Kemi shumë për të bërë në fushat e lidhura me aksesin në drejtësi, për të patur një gjyqësor të pavarur. Kemi shumë për të bërë me lirinë e shprehjes, mbrojtjen e komunitetit rom, personat me aftësi të kufizuar, të drejtat e pakicave. Sot Shqipëria renditet në vendet me legjislacion të përditësuar. Ne e dimë që sfida aktuale mbetet ngushtimi i hendekut mes ligjbërjes dhe ligjzbatimit”, tha Bushati.
Ndërkaq ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, falenderoi personat që ndihmojnë OSBE-në për respektimin e të drejtave të njeriut në vend. (Makedonium)