Shoqata maqedonase “Sonce” po zbaton projektin “Krijimi i kostumeve të pakicave kombëtare maqedonase, rome, arumune dhe egjiptjane në Qarkun e Korçës”, të financuar nga Komiteti për Pakicat Kombëtare.

Kosumografja Lirika Pojani duke përgatiur kostumet tradicionale
Projekti synon ruajtjen, rikrijimin dhe promovimin e veshjeve tradicionale të katër pakicave kombëtare që jetojnë në Qarkun e Korçës – maqedonase, rome, arumune dhe egjiptjane – duke vënë në fokus pasurinë e trashëgimisë kulturore dhe diversitetin e komuniteteve.
Projekti zbatohet nga Shoqata “Sonce” e pakicës maqedonase, në partneritet me Shoqatën “Disutni Albania” të pakicës rome, Shoqatën “Arumunët/Vllehët e Shqipërisë” të pakicës arumune dhe Shoqatën Integrimi Rinor Komunitar**çç të pakicës egjiptjane.
Në kuadër të projektit do të realizohen katër kostume tradicionale autentike, nga një për secilin komunitet, të bazuara në modele historike dhe në karakteristikat e veçanta të veshjeve tradicionale të tyre. Procesi i krijimit do të respektojë origjinalitetin, elementet tradicionale dhe vlerat e trashëgimisë kulturore të secilit komunitet.
Realizimin e katër kostumeve tradicionale e ka marrë përsipër kostumografja korçare Lirika Pojani, e cila do të punojë mbi modelet dhe elementet karakteristike të veshjeve të katër komuniteteve.
Paralelisht me krijimin e kostumeve, në kuadër të projektit do të përgatitet edhe një broshurë promovuese, e cila do të dokumentojë veshjet tradicionale, karakteristikat e tyre dhe rëndësinë që ato kanë për identitetin dhe trashëgiminë kulturore të komuniteteve përkatëse.
Projekti synon të kontribuojë në forcimin e identitetit kulturor të pakicave kombëtare, rritjen e ndërgjegjësimit për diversitetin kulturor në Qarkun e Korçës dhe promovimin e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe bashkëpunimit ndërmjet organizatave të katër pakicave kombëtare. Përmes këtij partneriteti, trashëgimia kulturore shihet jo vetëm si një pasuri që duhet ruajtur, por edhe si një urë që lidh komunitetet dhe promovon vlerat e diversitetit dhe bashkëjetesës.
Aktivitetet e projektit do të përmbyllen me një event publik prezantues në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, ku do të prezantohen katër kostumet tradicionale, broshura dhe rezultatet e projektit.
Nisma e Shoqatës “Sonce” dhe organizatave partnere synon që përmes dokumentimit dhe rikrijimit të veshjeve tradicionale, këto elemente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të ruhen dhe t’u përcillen edhe brezave të rinj.
©Makedonium
