Promovohet libri i pedagoges Maria Dojçe për maqedonasit në Shqipëri

Në Muzeun “Sterjo Spasse” në fshatin Glloboçeni, Bashkia Pustec u promovua vepra kapitale “Integrime harmonike të pakicës maqedonase në Republikën e Shqipërisë – Rasti i minoritetit maqedonas në zonën e Prespës dhe Vërnikut” nga Prof. Dr. Maria Dojçe, intelektuale e shquar.

Në Shqipëri ky është studimi i parë real sociologjik për integrimin e një pjese të komunitetit maqedonas në shoqërinë shqiptare. Në këtë kontekst, ky studim fokusohet në ndikimet e ndërsjella social-kulturore ndërmjet shqiptarëve dhe pjesëtarëve të komunitetit maqedonas në Qarkun e Korçës.

Prof. Dr. Maria Dojçe

Promotor të librit ishin Prof. Dr. Gjergji Pendavinji nga Universiteti “Fan Noli”, Jorida Tollkuçi, Drejtore e Bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë, Vasil Sterjovski, si dhe autori Prof. Dr. Maria Dojçe.

Aktivitetin e përshëndesën ambasadori kroat në Shqipëri, Zlatko Kramariq, së bashku me ambasadorin maqedonas në Shqipëri, Danço Markovski, Prof. Dr. Jonela Spaho, Dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin “Fan Noli” në Korçë si dhe Prof. Dr. Katerina Todoroska nga Instituti i Historisë Kombëtare në Shkup.

Në promovimin e monografisë morën pjesë edhe Prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë, Ana Verushi, Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski si dhe përfaqësuesja e komunitetit maqedonas pranë Komitetit për Pakicat Kombëtare, Marjana Kostofski.

Promovimi i monografisë u bë të mundur nga Shoqata maqedonase “Sonce”.

©Makedonium