AMIE: Ndaloni abuzimet dhe bullgarizimin e rremë në Shqipëri

Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) përshëndet aksionin e sotëm të policisë shqiptare në Bashkinë Bulqiz, gjatë të cilit u arrestuan zyrtarë të përfshirë në lëshimin e vërtetimeve false për origjinë bullgare.

Megjithatë, theksojmë se kjo përfaqëson vetëm majën e ajsbergut. Abuzime të tilla janë të pranishme në disa bashki anembanë Shqipërisë që nga viti 2020 dhe përfaqësojnë një fenomen të organizuar që cenon rëndë rendin juridik dhe besueshmërinë e institucioneve.

Në vitin 2017, Bullgaria, nën kërcënimin e vetos për rrugën evropiane të Shqipërisë, jashtë çdo kriteri ligjor, arriti të imponojë njohjen e një pakice inekzistente bullgare.

Një nga masat kryesore për krijimin e një pakice artificiale bullgare në Shqipëri është pajisja me pasaporta bullgare, duke abuzuar me gjendjen e vështirë ekonomike, si të minoritetit maqedonas, ashtu edhe të qytetarëve shqiptarë në përgjithësi. Qytetarët paguajnë mijëra euro për të marrë një pasaportë bullgare dhe për të siguruar mundësinë e punësimit në vendet e Bashkimit Evropian, duke shfrytëzuar privilegjet që rrjedhin nga anëtarësimi në BE.
Bëhet fjalë për një biznes të organizuar me vlerë miliona euro, i cili nuk kufizohet vetëm në Shqipëri, por funksionon edhe në vende të tjera jashtë Bashkimit Evropian, si Maqedonia, Kosova, Serbia, Ukraina dhe Moldavia.

Vitet e fundit, si pjesë e kësaj strategjie, aplikantëve për shtetësi bullgare u kërkohen vërtetime për origjinë bullgare, të cilat lëshohen ilegalisht nga zyrtarë lokalë pa kompetencë ligjore. Për fat të keq, individë në pozita me përgjegjësi, të udhëhequr nga interesi personal, marrin pjesë aktive në këtë praktikë të jashtëligjshme.

Kujtojmë se AMIE që nga viti 2020 në mënyrë të vazhdueshme ka alarmuar opinionin publik, si dhe institucionet vendase dhe ndërkombëtare, për ekzistencën e këtyre abuzimeve.

I bëjmë thirrje Ministrisë së Brendshme dhe të gjitha organeve kompetente që të zgjerojnë hetimet edhe në bashki të tjera ku ka dyshime për aktivitete të ngjashme të jashtëligjshme, si dhe të shkatërrojnë të gjithë rrjetin që qëndron pas këtij krimi të organizuar që lidhet me lëshimin e pasaportave bullgare.

Njëkohësisht, kërkojmë nga institucionet kompetente të zgjerojnë hetimin jo vetëm për lëshimin e paligjshëm të vërtetimeve false për origjinë bullgare, por edhe për ndikimin që ka pasur rrjeti i sekserëve për pasaporta bullgare gjatë censit të vitit 2023 në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ka indikacione serioze se përmes shpërdorimit të detyrës dhe ndikimit kanë instaluar regjistruesit e tyre, dhe ndaj qytetarëve është ushtruar presion, kërcënime dhe ryshfet me qëllim që të deklarohen si bullgarë, gjë që përfaqëson një shembull klasik të inxhinierisë së censit.

AMIE mbetet e përkushtuar fuqishëm në mbrojtjen e identitetit të minoritetit maqedonas në Shqipëri dhe në respektimin e ligjeve dhe vlerave evropiane.

https://maei.al/archives/4364