Gazetarja e njohur Daniela Zisi i ka kushtuar një postim të veçantë në rrjetin social Facebook dokumentarit “Minoriteti maqedonas në Pustec, trashëgimi brez pas brezi”, një projekt i realizuar nga Qendra Kazus dhe i mbështetur nga AMSHC.

Në reagimin e saj, Zisi vlerëson dokumentarin si një dëshmi të rëndësishme për Pustecin dhe thesaret e tij natyrore, kulturore dhe humane, duke theksuar se ky realitet duhet parë dhe kuptuar sot, pasi e nesërmja, sipas saj, nuk premton asgjë tjetër veçse zhbërje dhe harresë.
Gazetarja ngre alarmin për situatën shqetësuese në Bashkinë e Pustecit, ku jeton minoriteti maqedonas, e cila përveç problematikave të shumta me të cilat përballen edhe zona të tjera të vendit, po e nis vitin me dy zhvillime serioze që, sipas saj, pritet të sjellin pasoja të rënda.
Së pari, ajo përmend ndarjen e re territoriale, e cila, sipas diskutimeve mes ekspertëve dhe politikanëve, nuk favorizon vazhdimësinë e Pustecit si bashki. Së dyti, Zisi i referohet Vendimit të Këshillit të Ministrave, të miratuar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, i cili i kthen fshatrat e Pustecit, një nga zonat me potencialin më të madh turistik në juglindje të vendit, në kampe pritëse për refugjatë.
“E dyta është bërë fakt; për të parën duhet reagim i fortë, që të mos e lejojmë të ndodhë”, shkruan Daniela Zisi, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim dhe reagim publik në mbrojtje të Pustecit dhe të minoritetit maqedonas që jeton aty.
©Makedonium
