Në Bashkinë Pustec u zhvillua trajnimi i anëtarëve të Këshillit Rinor Vendor të Pustecit (KVR Pustec), si pjesë e projektit “Këshillat Vendorë Rinorë për Bashki më Pjesëmarrëse”, mbështetur nga Agjencia Kombëtare për Rininë dhe realizuar nga organizata “Aktivizmi Letrar dhe Kulturor”.

Ky aktivitet u konceptua si një hapësirë gjithëpërfshirëse mësimi, reflektimi dhe debati mbi rolin e të rinjve në qeverisjen vendore dhe forcimin e strukturave rinore. Për tri ditë me radhë, të rinjtë e KVR Pustec ndanë ide, përvoja dhe vizione për një komunitet që dëgjon zërin e brezit të ri dhe i jep atij vendin që meriton në vendimmarrje.

Në hapje të aktivitetit përshëndetën përfaqësues të organizatës “Aktivizmi Letrar dhe Kulturor”, ekspertët e projektit, si dhe zëvendëskryetari i Bashkisë Pustec, z. Atanas Plloça, i cili vlerësoi rolin e të rinjve si partnerë aktivë në qeverisjen vendore dhe theksoi rëndësinë e nismave që forcojnë kulturën e përgjegjësisë qytetare. Në takim mori pjesë edhe z. Vasil Sterjovski, lehtësues i projektit për zonën e Pustecit, i cili e cilësoi Këshillin Rinor si një mundësi reale për bashkëjetesë, përfshirje dhe ndërveprim kulturor ndërmjet të rinjve të bashkive kufitare.

Përmes diskutimeve mbi demokracinë funksionale, simulimeve të mbledhjeve të Këshillit Rinor dhe planifikimeve konkrete të aktiviteteve, të rinjtë dëshmuan se pjesëmarrja e tyre nuk është vetëm simbolike, por reale dhe me ndikim. Ata sollën ide për hapësira rinore, nisma për mjedisin, kulturën dhe barazinë gjinore, duke treguar se rinia e Pustecit është gati të marrë përgjegjësi dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi me institucionet.

Në përmbyllje, të rinjtë e KVR Pustec prezantuan planet e tyre për veprimtarinë njëvjeçare, morën certifikatat e pjesëmarrjes dhe shprehën angazhimin për të vijuar punën me përkushtim e energji.
©Makedonium
