Laboratori Artistik në Korçë – Kuptimi i Teknikave Narrativo-Letrare / Diskutimi mbi Librin “Dhe pastaj ajo u bë pemë” nga Loer Kume

Sot në ambientet e Bibliotekës “Thimi Mitko”, u zhvillua aktiviteti “Laboratori Artistik: Kuptimi i Teknikave Narrativo-Letrare” në kuadër të projektit “Beyond Boundaries: Empowering Youth through Reading and Literature”.

Aktiviteti, që përqendrohej në romanin “Dhe pastaj ajo u bë pemë” të autorit Loer Kume, filloi me fjalët përshëndetëse nga drejtuesit e Shoqatës Aktivizmi Letrar dhe Kulturor, të cilët nënvizuan objektivat e projektit dhe rëndësinë e angazhimit të të rinjve në diskutime letrare si një mënyrë për të zgjeruar botëkuptimin kulturor. Jordia Tollkuci, drejtoreshë e Bibliotekës “Thimi Mitko”, theksoi se të rinjtë, përmes leximit dhe diskutimeve mbi letërsinë, mund të zhvillojnë një sens më të fortë të solidaritetit dhe të mirëkuptimit ndërmjet kulturave, duke e parë letërsinë jo vetëm si një mjet arsimimi, por edhe si një urë që i afron më shumë njerëzit.

Pas fjalëve hyrëse, autori Loer Kume ndau me pjesëmarrësit rrugëtimin e tij krijues për romanin “Dhe pastaj ajo u bë pemë”. Rrëfimi i Kumes, që eksploron ndërlikimet e ekzistencës dhe marrëdhënieve njerëzore, e prezanton protagonisten Marta nëpërmjet një narrative ciklike që fillon me fundin e saj, duke krijuar një atmosferë reflektimi dhe introspektive. Autori foli mbi simbolikën e rrënjëve dhe aktin e “krasitjes”, ku Marta heq të tepërtat në kërkim të thelbit të ekzistencës së saj, një proces që e çon atë drejt një kuptimi më të thellë të dashurisë dhe sakrificës. Pjesëmarrësit u përfshinë aktivisht duke lexuar pjesë të përzgjedhura nga romani, të cilat u sollën nga studentë dhe të rinj, dhe që përforcuan ndjesinë e fuqishme të ngarkesës emocionale dhe simbolike të tekstit.

Gjatë diskutimeve të hapura mbi librat dhe përvojat letrare, pjesëmarrësit ndanë mendime mbi ndikimin që teknikat narrative dhe tematika e romanit kanë në formësimin e jetës së përditshme. Të rinjtë shprehën vlerësimin e tyre për librin dhe për letërsinë si një rrugë që u mundëson të kuptojnë më mirë botën përreth tyre, duke e përjetuar atë përmes perspektivave të ndryshme. Aktiviteti përmbylli me fjalët e zonjës Tollkuci, e cila inkurajoi të rinjtë të vazhdojnë leximin dhe të shohin letërsinë si një burim të pashtershëm të reflektimit dhe përmirësimit personal, për të kontribuar kështu në krijimin e një shoqërie më të ndjeshme dhe të vetëdijshme.

©Makedonium