Përtej Kufijve – Fuqizimi i të Rinjve përmes Leximit dhe Letërsisë, është ndoshta etiketa më e bukur për të përshkruar lidhjet që letërsia krijon mes kulturave të vendeve fqinj. Anëtarë të Organizatës për Aktivizim Letrar dhe Kulturor, në Bashkinë Pustec, ishin pjesë të Kampit të Poezisë së të Rinjve të Ballkanit “Vanço Nikoleski”, me praninë e çmuar të ambasadorit maqedonas në Shqipëri z. Dancho Markovski, ku u prezantua libri “American Dream”, i botuar në shqip dhe në anglisht nga shtëpia botuese “Toena” dhe u dhanë certifikata vlerësimi për këtë libër!
Rrallëherë ndodh që në takime të tilla letrare, të jenë të pranishëm autori i librit, protagonist i ngjarjeve z. Beqir Potka dhe përkthyesja e librit në gjuhën angleze prof.as. Eriola Bonja Qafzezi ndaj dhe gëzimi për propozimin që ky libër të përkthehet edhe në maqedonisht, ishte i shumëfishtë!
Pas prezantimit të romanit, poetë të pranishëm, intelektualë, përfaqësues të Bashkisë Pustec dhe të rinj nga Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Greqia u bashkuan në një sesion të hapur për pyetje dhe diskutime rreth librit dhe rëndësisë së letërsisë në jetën e tyre.
©Makedonium