Një përvojë moderne e letërsisë sonë
Në literaturën studimore dhe atë kritike flitet shpesh për gërshetimin e krijimit letrar me filozofinë. Teorikisht, letërsia (arti) është një pasqyrim apo riprodhim i realitetit në mënyrë krijuese dhe figurative, ndërsa, filozofia është shkenca e zhvillimit shoqëror dhe mendor njerëzor. Të dyja i bashkon objekti i përbashkët, jeta dhe mendimi njerëzor, pra, i njëjti brumë, por i gatuar dhe i servirur në mënyra të ndryshme, artistike dhe shkencore. Gërshetimi i tyre nuk ka pse të quhet një gjë e pamundur dhe as ndonjë zbulim i papritur. Gjersa në qendër të veprës letrare është njeriu si qenie e ndërgjegjshme shoqërore, ai, si karakter letrar, jo vetëm do të emocionohet apo dhe do të fantazojë, por edhe do të meditojë për veten e vet dhe për shoqërinë. Një gjë e tillë nuk ndodh me filozofinë, e cila ka si objekt jo direkt njeriun (personazhin konkret), por ndërgjegjen dhe mendimin njerëzor, nuk synon “rikrijimin” e njeriut, por përpunon bazat e përgjithshme të metodës për njohjen e shndërrimit të shoqërisë dhe të ndërgjegjes së tij, pa pasur aspak nevojë për përvojën artistike. Kurse letërsia e ka të nevojshëm arsyetimin filozofik. Në mënyrë të figurshme mendimi filozofik është mishëruar në folklor dhe në letërsinë botërore nëpërmjet gjuhës së figurshme, me anën e sentencave apo figurave letrare përgjithësuese apo simbolike.
Duke patur parasysh evolucionin që ka ndodhur në historimë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, në mënyrën e të jetuarit, të komunikimit, të të menduarit dhe abstragimit njerëzor, vlerësimi i shijeve dhe i normave të jetesës, të mundësive që krijon zhvillimi teknik dhe ai shkencor për t’u thelluar në enigmat dhe sekretet kozmike dhe tokësore, ka pësuar ndryshim edhe mënyra e perceptimit edhe e pasqyrimit figurativ të realitetit natyror dhe atij jetësor; mendja njerëzore shkon çdo ditë e më shumë drejt gërshetimit, ndërthurjes së shumë disiplinave dhe kategorive shkencore, filozofike dhe estetike, për pasojë, ka lindur natyrshëm dhe kërkesa për ta modifikuar edhe filozofinë e krijimit artistik. Dhe të gjitha këto, për arsyen kryesore, për ta afruar krijimin letrar sa më pranë perceptimit, gjykimit dhe shijeve të lexuesit të epokës së globalizmit gjithëpërfshirës.
Kjo prirje është ndier në letërsinë tonë që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar kur kemi dhe shembujt e parë të atij modernizmi, siç është romani “Pse?” i Sterjo Spasses. Është për të ardhur keq që kjo risi e letërsisë sonë nuk pati mundësi të zyrtarizohej si e tillë në mendimin kritik të periudhës së pasçlirimit, për arsye të njohura politike dhe ideologjike. Romani “Pse?” është fillimi i kësaj risie në prozën tonë të gjatë; një fillim të cilit edhe vetë autori i saj, Sterjo Spasse, iu shmang i detyruar nga kushtet letrare dhe jashtëletrare, e “harroi”, e “mohoi” duke shkruar gjithë ato vepra, romane sipas metodës së Realizmit socialist, që, jo vetëm nuk i pranonte, por edhe i ndëshkonte risi të tilla.
Sterjo Spasse e shkroi dhe e botoi romanin e tij në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar kur ishte fare i ri, në moshën njëzetedyvjeçare; kohë kur ishte nën ndikimin e letërsisë moderne europiane dhe të shkollave filozofike ndikuese të atyre viteve. Ai guxoi dhe talenti i tij krijues i spikatur i dha letërsisë sonë një etalon të ri krijues, etalonin e gërshetimit të krijimit letrar me meditimin e drejtpërdrejtë filozofik, të mishëruar në figurën e heroit të veprës, Gjon Zaverit.
Gjon Zaveri është një karakter letrar që përfaqëson të riun shqiptar me origjinë katundare, të ushqyer me mendimin artistik dhe filozofik europian të kohës së vet. Ai ka lexuar klasikë të letësisë europiane, që nga Bokaçio e gjer te Tolstoi, ka shfletuar vepra të filozofëve antikë dhe atyre bashkëkohorë, që nga Aristoteli e Platoni e deri te Niçe dhe Shopenhauri. Nga ana tjetër, filozofia e jetës së tij reale është nën presionin e vazhdueshëm dhe agresiv të zakoneve, mentalitetit dhe traditave patriarkale të familjes së vet katundare dhe të opinionit, të mjedisit fshatar, ku u lind e me të cilin nuk arriti dot të shkëputet, t’i kundërvihet realisht.
Personazhi Gjon Zaveri është në kontakt të vazhdueshëm edhe me jetën moderne të qytetit shqiptar të atyre viteve edhe të mentaliteteve të mbingarkuara dhe kontradiktore metafizike. Atë e mundon dilema hamletiane e dashurisë dhe e martesës, si institucione shpirtërore dhe morale të errësuara nga koncepti i tij tragjik: “Bota e hiçit, prej hiçit, për hiçin, rrotullohet rreth qëllimit të hiçit”. Autori shkruan: “Gjërat që dukeshin dhe prekeshin, i ngjanin (Gjon Zaverit) sikur i bënin pyetjen pa fund: ”Pse? Jeta pyeste: Pse? Vdekja pyeste: Pse? Ai e mbyti kështu veten e tij ndërmjet pseve pa fund e pa përgjigje”. Brumi i romanit, pra, është sa brumë jetësor, real (shkollimi, dashuria, martesa e detyruar nga kanun i drakonian, çmenduria dhe mbytja në valët e liqenit) aq edhe arsyetimet e tij filozofike për t’u dhënë përgjigje pyetjeve mbi dashurinë dhe martesën. Gjon Zaveri është sa një medium filozofik, po aq edhe një karakter letrar. Sterjo Spasse i vetëdijshëm i ka vënë për titull romanit pyetjen klasike të filozofisë “Pse”-në, duke nënvizuar kështu prirjen e risisë së tij letrare.
Romani “Pse?” është, në radhë të parë, një monolog filozofik i heroit me vetveten, monolog i cili i jep veprës një ngjyrim filozofik. Në të njëjtën kohë, heroi i romanit e përjeton gjithçka si një karakter i gjallë letrar, ai ndien, dyshon, përjeton dhe vuan emocionalisht. Ai, njëherësh, filozofon dhe përjeton kalvarin e ndjenjave, mendimeve të jetës së tij tragjike.
Autori ka gërshetuar kështu natyrshëm riprodhimin e karakterit njerëzor në mëyrë krijuese me mendimin dhe ndërgjegjen njerëzore. Hullia filozofike e romanit, pyetjet, arsyetimet, tezat dhe antitezat racionale, ashtu si tezat dhe antitezat filozofike ilustrohen në roman me episode të shkëputura dhe të rastësishme, me personazhe episodike që takon apo i ka rrotull heroi i romanit. Përvoja e jetës së këtyre personazheve pohon ose edhe mohon konceptet e tij filozofike. Ndërsa, subjekti i romanit, historia e marrëdhënieve të ndërsjellta të heroit me njerëzit, me mjediset qytetare apo katundare, veprimet e tij emocionale, përbëjnë shtratin e subjektit të romanit, duke i dhënë veprës ngjyrimin e mirëfilltë letraro-artistik, riprodhimin krijues dhe figurativ të realitetit.
Romani “Pse?” është kështu një vepër krejtësisht letrare që na bën, në radhë të parë, ta lexojmë dhe ta përjetojmë emocionalisht dhe figurativisht, si një përgjithësim artistik krahas forcës sugjestionuese të arsyetimit filozofik. Romani “Pse?” i Sterjo Spasses shënoi kështu një risi të vërtetë e të suksesshme në historinë e romanit kombëtar, një hap të guximshëm drejt modernizimit të tij.
Po sjell disa mendime dhe vlerësime të lexuesve e të kritikës së asaj kohe për romanin: “Sterjo…në romanin tënd shihet një filozofi, që kur e nis e deri sa e mbaron…”; “…e lëçita tri herë me radhë, sepse më tërhiqte shumë…”; “Vepra juaj e parë sentimentale e plot mendime filozofike, do të korrte suksesin më të bukur edhe te opinioni publik i atjeshëm (i Korçës) do të impresionohej si edhe në Gjermani kur këndoi Vertherin e Gëtes.”
“Pse”-ja është roman që del nga rrethi historik patriotik dhe një roman i ideve në Shqipëri.
© Vangjush Ziko (Nga libri me studime-ese-analiza “Përsiatje”)